Avdulla Kënaçi: Për heroinat e Kosovës që denoncojnë përdhunimet serbe!
Dy gra kosovare kanë dalë publikisht duke dënuar përdhunimet e serbëve gjatë luftës së fundit. Është guxim, kurajo, trimëri për t’u përballur me një të vërtetë historike të hidhur. Ato flasin edhe në emër të 20 mijë grave të tjera që hezitojnë të dalin nëpër gjyqe duke treguar çfarë mizori kanë përjetuar prej pushtuesve serbë.
I kam parë me sytë e mi ato gra të raskapitura e të shkatërruara psikologjikisht. Pas dhunimit ishin dëbuar forcërisht nga Kosova. Shteti i dobët shqiptar i kishte strehuar në hotel “Arbëria”. Nuk kishin as fuqi dhe as dëshirë të tregonin çfarë u kishte ndodhur. U përpoqa të merrja intervistë në emër të RTVSH-së prej tyre. Ishte e vështirë. Ato nuk ishin as në qiell, as në tokë.
Ishte shumë e dhimbshme. Kontrolloheshin çdo ditë nga një ekip mjekësh në spitalin përballë. As mjekët nuk ishin në gjendje të tregonin cfarë kishin konstatuar. Në sytë e tyre lexohej mllef dhe urrejtje kundër serbëve kriminelë. Shqiptarët ishin goditur në pikën e tyre më të fortë, nderin dhe krenarinë.
I përshëndes këto dy gra heroina të Kosovës për gjestin e tyre.
I përshëndes për daljen publikisht duke treguar të vërteta të hidhura. Më mirë vonë se kurrë. Bota perëndimore dhe jo vetëm duhet ta dijë çfarë ka ndodhur…
Gjykatat ndërkombëtare do të japin verdiktin e tyre për këto krime lufte si në Mesjetë…
Kjo është historia jonë.