Albspirit

Media/News/Publishing

Bruceloza, si të mbrohemi nga infeksionet që shkakton sëmundja

Bruceloza është një sëmundje që shkaktohet nga mikroorganizma të gjinisë “Brucella” dhe që transmetohen te njeriu me rrugë direkte ose indirekte. Pra bruceloza humane është e lidhur ngushtësisht me infeksionin në kafshë. Speciet kryesore të kësaj gjinie janë “brucella melitensis” (kjo njihet mjaft mirë në gjuhën e popullit), të cilën e kanë si bartës dhentë dhe dhitë, “Brucella Bovis” që e kanë si bartës gjedhët dhe “Brucella suis” që kanë si bartës derrat. Brucellat janë mjaft rezistente në mjedisin e jashtëm.

Në qumështin e ftohtë mund të jetojnë me javë, kurse në gjalpin dhe djathin e njomë jetojnë për 1-2 muaj. Lëndët dezinfektuese veprojnë mjaft mirë mbi brucellat. Kjo është një sëmundje e kudondodhur në të gjithë botën, sidomos në pellgun e detit Mesdhe, në Afrikë, Lindjen e Mesme, Azi dhe Amerikë. Në Shqipëri, si në të gjitha vendet e Mesdheut, sëmundja ka ekzistuar gjithmonë, në të gjitha kohërat. Tek kafshët Bruceloza ka prekje gjenitale, gjë që shpjegon dhe manifestimin kryesor të saj që janë dështimet e kafshëve. Bartshmëria e infeksionit është e zgjatur (shumë vite). Rastet me brucelozë janë shtuar shumë pas viteve 90, si midis bagëtive, ashtu edhe midis njerëzve. Ato u vunë re sidomos te emigrantët e kthyer nga Greqia. Bagëtitë vazhdonin të qarkullonin në kufijtë shtetërorë pa kontrollin e nevojshëm. Prandaj dhe u shfaqën më tepër në rrethet kufitare si Korça, Gjirokastra, Vlora e deri në Kukës e Kosovë.

Por, cili është burimi i infeksionit për njeriun dhe si përhapet ai ?

 Burim infeksioni shërbejnë kafshët shtëpiake, bagëtitë e imëta, gjedhët, derrat. Karakteristike për kafshët është ndjeshmëria e madhe e tyre në periudhën e barrës. Prandaj infeksioni në këtë periudhë shkakton dështime në këto kafshë. Placenta dhe embrioni gjatë abortit përmban shumë brucela. Kafshët e sëmura eliminojnë brucela me rrugë gjenitale, me qumësht, me urinë etj. Edhe në rastet kur kafsha duket e shëndoshë mund të eliminojë brucela. Pra infeksioni përhapet në drejtimin nga kafsha e sëmurë për te njeriu i shëndoshë, kurse nga njeriu te njeriu infeksioni pothuajse nuk përhapet. Kjo do të thotë se nuk duhet të kemi frikë kur takojmë ndonjë person që po trajtohet për sëmundjen e brucelozës. Në përhapjen e infeksionit nga kafshët e sëmura kanë rëndësi të madhe epidemiologjike produktet e tyre ushqimore siç janë, qumështi dhe produktet e tij, mishi apo edhe produktet joushqimore si leshi dhe lëkura. Nga këto, më i rrezikshëm është qumështi i pazier ose i papasterizuar. Nga nënproduktet e qumështit të papërpunuara termikisht, si përhapës të sëmundjes shërbejnë djathi i njomë, gjalpi, gjiza. Edhe mishi shërben si burim i infeksionit, sidomos kur kafsha ka pasur dështime tre muaj më parë. Gjithashtu janë përshkruar raste me brucelozë në kohën e qethjeve të bagëtive, të përpunimit të leshit e të lëkurës. Në ambientet ku jetojnë kafshët me brucelozë, mund të infektohet toka, kashta, bari, plehu, uji, zarzavatet dhe ushqimet e tjera. Bruceloza ka karakter sezonal që është më e theksuar në periudhën e pjelljeve e të dështimeve të bagëtive, si edhe në periudhën e qumështit. Përhapja e brucelave merr përmasa të gjera për shkak të përhapjes së produkteve të bulmetit në një zone të gjerë dhe mund të kemi për rrjedhojë një përhapje masive të infeksionit (për shembull fshatarët shesin produktet e qumështit apo edhe mishin në qytet).

Si zhvillohet infeksioni në organizmin e njeriut?

Brucella hyn në organizmin tonë përgjithësisht nëpërmjet lëkurës së dëmtuar, gojës dhe mjaft rrallë nëpërmjet syve. Në varësi nga porta e hyrjes kemi zmadhim të nyjeve limfatike regjionale (zmadhim i gjendrrave në afërsi të portës së hyrjes). Pikërisht këtu kemi shumëzimin e brucelave. Periudha nga infektimi deri në shfaqjen e shfaqjen e shenjave klinike luhatet midis 7 dhe 21 ditëve. Pas shumëzimit brucelat pushtojnë gjakun dhe me anë të tij ato mund të përhapen kudo, në të gjithë organizmin. Brucelat çlirojnë shumë lëndë toksike që veprojnë negativisht në organizmin tonë. Ato kanë një ndikim të theksuar mbi sistemin nervor, mbi indet dhe organet e tjera dhe sidomos mbi gjendrrat mbiveshkore.

Cila është prognoza e sëmundjes?

Prognoza për jetën është e mire, por ka raste kur të sëmurët mbeten gjatë të paaftë ose gjysmë të aftë për punë. Kjo ndodh zakonisht në format kronike të brucelozës, në ata persona që janë vazhdimisht në kontakt me kafshë të infektuara ose produkte ushqimore (kasapë, punonjës të baxhove, veterinerë), por edhe në rastet kur të sëmurët nuk mjekohen mire në kohë (që në fazën akute të saj). Diagnoza vihet në laborator me ekzaminime specifike për të. Edhe mjekimi është specifik (kjo i takon mjekut specialist)

Cilët janë personat që rrezikohen më tepër?

Janë njerëzit që merren me blegtori, bujqësi, veterinerët, kasapët,ata që punojnë në baxhot e përpunimit të qumështit, në fabrikat e prodhimit të sallamit, personeli mjekësor që punon në laboratorë. Pra përgjithësisht kjo sëmundje ka karakter profesional.

Por njerëzit mund të infektohen edhe aksidentalisht nga përdorimi i qumështit të papasterizuar dhe nënprodukteve të tij, nga përdorimi i mishit të infektuar e të papërpunuar mire termikisht, përdorimi i sallatave të infektuara nga bagëtitë.

Simptomat e brucelozës

Sëmundja mund të ketë një fillim të menjëhershëm ( e përgjithshmja), por mund të ketë edhe një fillim gradual. Ka mjaft variacion kronik, duke filluar që nga format më të lehta e të zgjatura e deri te format e rënda dhe me dëmtime në të gjithë organizmin. Shenjat e fillimit janë mjaft të përgjithshme dhe jotipike.
Të sëmurët ankojnë për dobësi të përgjithshme, këputje ulje të oreksit dhe ulje të aftësisë në punë. Në mëngjes ndihen më mire kurse në darkë ndihen mjaft të këputur. Ankojnë për dhimbje koke dhe eksitabilitet nervor. Të gjitha këto janë shenja të një intoksikacioni të përgjithshëm.
Nga ky fillim i përgjithshëm, vlen të theksojmë ethen, dhimbjen e kockave (artralgjia), djersitja e bollshme, ulja e oreksit. Temperatura mund të mos jetë shumë e lartë, por mund të shkojë edhe 39-40 gradë C, shoqëruar me shenjat e përgjithshme dhe djersë profuze. Gjatë kësaj periudhe me temperaturë mund të vihet re zmadhimi i shpretkës, mëlçisë dhe gjendrrave limfatike.
Djersitja është një nga veçoritë e sëmundjes, sidomos në zonat e sqetullave (aksilare) dhe në rrëzë të kofshës (zona inguinale). Të sëmurët kanë nevojë të ndërrohen shpesh dhe lëkura e tyre është pothuajse gjithmonë e lagur. Por veçoria e tyre është se ata djersijnë, edhe kur nuk kanë temperaturë dhe pine shumë lëngje (e domosdoshme për të zëvendësuar lëngjet që humbasin me djersitje). Mëlçia dhe gjëndrat limfatike janë të zmadhuara.
E veçanta tjetër është prekja e sistemit artikular (sistemi kockor). Dhimbjet artikulare ndihen pothuajse në të gjithë kyçet, por sidomos në kyçet e mëdha dhe në shtyllën kurrizore. Kyçet janë të ënjtura, të dhimbshme, por jo të skuqura. Shpeshherë këta të sëmurë paraqiten dhe trajtohen për artrite reumatizmale dhe sëmundje të tjera inflamatore të kyçeve për shkak të kësaj veçorie karakteristike. Të sëmurët natën kanë pagjumësi dhe dhimbje të shpinës. Ata karakterizohen edhe nga irritabiliteti nervor dhe një gjendje depresive.

Ndërlikimet e sëmundjes

Bruceloza është një sëmundje që mund të prekë të gjitha organet, por në radhë të parë prek sistemin artikular (kockor), sistemin nervor, kardiovaskular, urogenital etj.

Kockat

Mund të kemi kështu osteomielite (infeksione kockore) shoqëruar me destruksion (shkatërrim) kockor, si edhe ndryshime tipike në harqet e vertebrave të shtyllës kurrizore.

Sistemi nervor

Në sistemin nervor kemi meningite, meningoencefalite, si dhe shpesh gjendje depresive. Në mushkëri kemi bronkite astmake, pleurite etj.

Mëlçia

Në mëlçi mund të zhvillohen hepatite anikterike (pa zverdhje), por që kalojnë lehtë. Mjaft të shpeshta janë dhe infeksionet urinare.

Masat parandaluese të higjienës së përgjithshme:

Larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i rrobave të punës dhe ndërrimi i tyre në shtëpi, përdorimi i dorezave dhe dezinfektimi i duarve gjatë pjelljeve të kafshëve, përdorimi i qumështi të pasterizuar ose të përpunuar termikisht, përdorimi i mishit të përpunuar aq sa duhet.
Vaksinimi parandalues rezervohet kryesisht për njerëzit më të ekspozuar ndaj infeksionit si edhe punonjësit e laboratorëve. Mbrojtja mund të zgjasë deri në dy vjet por nuk është absolute. Rëndësi të veçantë ka veçimi ose therja e bagëtive të infektuara si edhe vaksinimi preventive(parandalues) i tufave të bagëtive.Syri.net

Please follow and like us: