Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Provinciali me shishet me raki të bërë vet

Image result for shengeni i ballkanit

Njësoj si ai provinciali tipik që u nis drejt kryeqytetit të takonte mikun, të rregullonte punën e vajzës a të djalit, edhe kryeministri jonë shkoj të takonte teze Merkelin. Madje shpërndau një video në arratisje e sipër po me të njëjtën mendësi për t’na treguar neve, provincialëve të tjerë se ai ka miq, madje miq të fortë që të thyejnë damixhanin e rakisë vetëm me sy. Me siguri ka marrë me vete edhe ca shporta me vezë, ndonjë shishe raki të bërë vet, ca mjaltë bio apo vaj ulliri nga Kanina a Vunoi. Nga ana tjetër krejt ndryshe nga homologu i tij maqedonas, na përgatiti për një jo që iu thaftë goja atij europiani me emrin Macron. I ka thënë Zaevit në të e sipër, eja të shkojmë bashkë se Angelën e kam mike, aq mike e kam sa shqiptarët i thërrasin teze. Dhe ia kam lënë vilat qeveritare në Dhërmi disa herë për të pushuar. Zorani si i padjallëzuar që është, nuk vonoi, e ndoqi me vrap se me të vërtetë i dhimbset vendi i tij. Madje sapo deklaroi se nëse Maqedonisë nuk i çelin negociatat ai dhe qeveria e tij hapin krahun, arsyeja se bënë një marrëveshje kuvendarë e qytetarë t’i thoshin po Europës në lidhje me kompromisin e madh me Greqinë për emrin. Ky i joni nxorri një video ku ashtu i parruar gati të na hante me gojën plot shkumë se ne duhet të solidarizohemi me ‘të dhe t’i biem Europës ku ta ketë e ku i dhëmb. Se ajo kurvë e motit i ka fajet, gjeniu dhe shakaxhiu i përparimit i ka përmbushur të gjitha. Madje e ka parë Zaevin me inat dhe më mbrapa me zë dyshues i ka thënë, po ti çe ke këtë punën që bie qeveria po nuk u hapën negociatat. Dhe në fakt është për të ardhur keq por e vërteta është se ne morëm më qafë Maqedoninë. Kur ta kuptoj këtë Zaevi, ose edhe e ka kuptuar, me siguri do jetë një qytetar i thjeshtë, kurse Rama do komandoj përmes Erion Veliajt edhe nja 15 vjetë të tjera.
Tani t’i kthehemi revanshit të provincialit…, kush ka sy dhe shikon me vëmendje konferencën për shtyp të presidentit francez aty pak më parë, kuptohet qartë se sa kokëçarje apo ndërhyrje ka patur. Eshtë kategorisht i prerë dhe me të drejtë na vë në dukje se liberalizimi i vizave qe një favor dhe si i tillë na ka radhitur në vendin e dytë për azilantë. Kjo ka domethënien se ato marifetet tona nuk kanë fund për të shpikur rrëmbime, hasmëri, përndjekjen shtetërore për shkaqe politike etj. Mjafton kaq për të kuptuar se sa punë i duhet shqiptarëve për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe lirive të individit. Nga ana tjetër me devizën firmose se po i bëjmë, nuk ecet më. Ky provinciali jonë që iku vringthi në kryeqytet me shportat plot e di shumë mirë që shishet e rakisë apo kavanozat e mjaltit nuk t’i pjerth kush. Por është ajo shpresa e të ligut se mos po u hedh hi syve atyre se shqiptarëve nuk e ka problem. Ua ka qorruar me sy e ua ka shurdhuar veshët me kohë. Kërkon të futet në Europë ku ka dy vjet që gërrëverret vetëm për të ngritur një Gjykatë. Nga ana tjetër u gërmushet prokurorëve kur i arrestojnë një argat kadastre, sepse kujton se ata nuk dëgjojnë kur flet ky. Shkurt nuk e do siç nuk e ka dashur me kohë çeljen e negociatave. T’i hakërrohesh Europës kur në 30 vjetë demokraci nuk është futur këmbë politikani brenda, të paktën Maqedonia e Veriut i ka kopsitur ca, është ca absurde. I bën ata të qeshin, për më tepër në një ditë dhe në një vend që nderon dhe kujton akoma një diktator si Enver Hoxha. Pa u futur në fiaskot ekonomike ku defiçitit të fondit të shpërblimit të pensionistëve në fund të vitit një ministre i përgjigjet me të shohim se sa do na mbesin pastaj flasim për pensionin e trembëdhjetë.

Please follow and like us: