Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: 4 pikëpyetjet, Shqipëria në kurthin serb të “Ballkanit për Ballkanasit”

4 pikëpyetjet, Shqipëria në kurthin serb të “Ballkanit për Ballkanasit”

 

Minisamiti trepalësh i Serbisë me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut në Novi Sad në 10 tetor mund të cilësohet si hapi i parë i realizimit të projektit të vjetër serb të “Ballkanit për ballkanasit”, ide që ka qenë në themel të ambicies shekullore hegjemoniste serbe për të sunduar Ballkanin. Kjo ide është riaktivizuar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe për arsye të pakuptueshme ose të errta është përqafuar pa mëdyshje edhe nga kryeministri i Shqipërisë. Në Novi Sad kjo ide mori formë diplomatike blloku. Për herë të pare kemi sfidën diplomatike të izolacionizmit ballkanik ndaj Bashkimit Europian.

Për të kuptuar thelbin e projektit serb të izolacionizmit ballkanik, të miratuar në Novi Sad, mjaftojnë deklaratat e presidentit serb, i cili në konferencën e përbashkët trepalëshe të shtypit theksoi: “Unë jam i lumtur që ne filluam të kemi kujdes për veten tone dhe që ne nuk kemi nevojë për një tutor”.

Atij i bëri jehonë në këtë linjë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i clli deklaroi po aty se “ky takim është ndër rastet e rralla që liderët e Ballkanit mblidhen pa mentorët e Bashkimit Europian”.

Çfarë përmban ky “çlirim” i liderëve të tre shteteve ballkanike, që krijuan një kor fshati kundër tutorëve dhe mentorëve të BE? Kjo prirje e re diplomatike dhe shtetërore për t’u shkëputur nga tutorët dhe mentorët e BE zbulon dhe thelbin e projektit gjeopolitik serb të të ashtuquajturës “zonë ekonomike ballkanikoperëndimore” dhe të të ashtuquajturit “mini Shengen”.

Ministri i qeverisë serbe Marko Gjuriç, duke iu drejtuar shteteve ballkanike për të mbështetur inisiatëven e presidenti Vuçiç paraqitur liderëve të Ballkanit për krijimin e “zonës së përbashkët ekonomike”, bën thirrje në emer të qeverisë serbe: “Le ta bëjmë tonën parrullën “Ballkani për ballkanasit”.

Për këdo është e qartë se nuk ka aleanca dhe blloqe dy, tre apo shumëpalëshe, që nuk kanë mentorët dhe tutorët e tyre. Në Novi Sad dhe për projektin e miratuar atje mentori i ri i grupit është Serbia. Këtë e pohoi kryeministri maqedonoverior Zaev në konferencën e përbashkët të shtypit, kur deklaroi se inisiativa e grupit është e presidentit serb. Projekti gjeopolitik i Serbisë për të ashtuquajturën “zonë e përbashkët ekonomike ballkanikoperëndimore” është në kah të kundërt të qëllimeve dhe strategjisë së BE.

Ai nuk ka lidhje as me Procesin e Berlinit dhe as me samitin BE-Ballkani Perëndimor të Triestes, sepse u organizua jashtë tyre. Nuk është rastësi që në këtë minisamit të Serbisë nuk denjoi të shkonte asnjë zyrtar i lartë i BE apo i shteteve të rëndësishme të BE, në një kohë kur në gjithë forumet e organizuara që prej 20 vitesh në kuadër të Ballkanit Perëndimor gjithmonë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të BE dhe të organizmave të rëndësishme ndërkombëtare.

Nuk është rastësi që as Brukseli, as Berlini, as Parisi dhe as Uashingtoni nuk shprehën asnjë germë përkrahje për minisamitin trepalësh të Serbisë.

Mendoj se për shkak të konfuzionit të përhapur nga mungesa e transparencës, ku nuk është publikuar në Tiranë as deklarata e përbashkët e tre udhëheqësve, duhen sqaruar disa gjëra.

Së pari, duhet sqaruar se minisamiti i Novi Sadit nuk merret as me Shengen dhe as me mini Shengen, sepse nuk quhet Shengen qarkullimi i shtetasve me karta identiteti. Shengen është regjimi i qarkullimit të shtetasve të BE, të cilët qarkullojnë tek shtetet anëtare pa asnjë dokument dhe pa asnjë kontroll të njerzve, të makinave dhe të mallrave në kufijt e shteteve anëtare. Nga anan tjetër, nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor shtetasit e Shqipërisë hyjnë në të gjitha me karta identiteti dhe vetëm Serbia e ndalohet këtë regjim.

Nëse kalimi me karta identiteti ka disa vite që është arritur me Malin e Zi, me Maqedoninë e Veriut, me Kosovën dhe me Bosnjë- Hercegovinën, përse u dashka quajtur sukses i madh ballkanik apo mini Shengen se presidenti i Serbisë paska premtuar që në fund të vitit 2021 edhe Serbia do të ndjekë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia tallet dhe gjithmonë i ka shitur ajër qeverive të Shqipërisë.

Së dyti, duhet sqaruar se Serbia dhe dy shtetet, që iu ngjitën asaj në projektin e Novi Sadit, po shpërdorojnë në inflacion fjalën integrim “ballkanik”, kur në fakt sipas fjalorit diplomatik serb duhet quajtur “jugosllav”. Është një insinuatë e diplomacisë serbe, sepse projekti serb i “integrimit ballkanik” apo i “zonës së përbashkët ekonomike”, të drejtuar prej saj, përfshin vetëm shtetet ish-jugosllave plus ish republikën e shtatë jugosllave, të piketuar nga Tito, Shqipërinë.

Presidenti serb Vuçiç i ka vënë pikat mbi “i”, kur i deklaroi mediave amerikane sapo u zgjodh president, se projekti i tij i bashkimit ekonomik ballkanikoperëndimor “është ringjallja e Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë”. Nuk kuptohet përse qeveritarët e Tiranës nuk lexojnë shpjegimin e vetë presidentit serb.

Së treti, ka një ngutje nga ana e Serbisë për të krijuar “bllokun ekonomik dhe politik ballkanikoperëndimor”. Fakti që Beogradi nxitoi të mbledhë minisamitin shpejt brenda një muaji pas takimeve të para të Vuçiçit me kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në shtator në Nujork, tregon se presidenti serb ka një arsye në ngutjen e tij. Ngutja shpjegohet me faktin se në datën 25 tetor Serbia do të nëshkruajë anëtarësimin e saj në organizatën ekonomiko-politike të “Unionit Ekonomik Euroaziatik”, të krijuar nga Rusia.

Kjo do të thotë që efektet e marrëveshjes së anëtarësimit të Serbisë në  organizatën ruse do të shtrihen edhe në dy shtetet, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, që vrapuan të bëhen anëtarë të bllokut të ri trepalësh ekonomik të Serbisë. Kjo ndihmon Rusinë që të penetrojë më thellë dhe më gjërë në Ballkanin Perëndimor dhe t’i shmanget sanksioneve të BE ndaj Rusisë. Pas anëtarësimit të Serbisë në “Unionin Ekonomik Euroaziatik” të Rusisë bashkimi i Shqipërisë me sanksionet e BE ndaj Rusisë mund të quhet i pavlefshëm.

Së katërti, është për t’u habitur që Shqipëria nuk i bën vetes pyetjen pse duhet futur në një bllok trepalësh të krijuar nga Serbia, në një kohë kur Ballkani Perëndimor ka kaq organizata e mekanizma të krijuara posaçërisht për të, si “Ballkan 6”, formati i Brionit, formati i procesit të Berlinit, formati i SEECP, etj.  Por projekti i Serbisë është ndryshe nga ato të formateve të mësipërme. Serbia don tani të jetë vetë tutori e mentori i projektit të rikrijimit të Jugollavisë së vjetër.

Është i kuptueshëm dhe pritej qendrim i Maqedonisë së Veriut, e cila që në referendumin e 8 shtatorit 1991 për pavarësinë, nën diktatin e Beogradit futi në pyetjen e referendumit pjesën e habitëshme mbi të drejtën për t’u bashkuar në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë. Tani që Serbia po krijon këtë aleancë të shteteve jugosllave Shkupi e ka pretekstin ligjor të bashkimit. Që Serbia pas prishjes së Jugosllavisë e ka patur obsesion rikrijimin e Federatës në forma të reja, e tregon vigjilenca për t’u admiruar e Kroacisë, që ka vendosur barrikadën ligjore dhe kushtetuese ndaj projekteve serbe.

Në Kushtetutën e Kroacisë, neni 142  thotë: “Çdo procedurë për përfshirjen e Republikës së Kroacisë në aleancë me shtete të tjera, nëse kjo aleancë çon ose mund të çojë në ringjalljen e Unionit të Shteteve të Sllavëve të Jugut, është e ndaluar”.

Absurditeti i qeverisë së Shqipërisë, që shkon me dajre dhe me lodër të rimarrë vendin e piketuar para 70 e ca vitesh të ish-republikës së shtatë të Jugosllavisë, nga vjen??? Mëqe është fjala për hyrjen e Shqipërisë në një aleancë të re me Serbinë, pyetja dhe kërkesa serioze është: a e shtroi për diskutim dhe për miratim në parlament qeveria e Shqipërisë këtë hap strategjik? A zhvilloi ajo ndonjë referendum për të pyetur popullin shqiptar, nëse don të bashkohet me Serbinë në  një aleancë? A e konsultoi qeveria e Shqipërisë Kosovën për këtë akt të saj të aleancës me Serbinë, akt që neglizhon dhe mohon shtetësinë e Kosovës?

Inisiativa diplomatike serbe për t’iu kundërvënë integrimit europian të Ballkanit me izolacionizëm ballkanik është një prirje e Serbisë për të rekrutuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në një linjë të dytë, jo europiane. Kjo është linja filoruse. Ndaj dhe një bosht themelor i projektit gjeopolitik serb të rikrijimit të Jugosllavisë me emrin “zona e përbashkët ekonomike ballkanikoperëndimore” është largimi i mentorëve dhe i tutorëve të BE.

Dalja e presidentit serb dhe e kryeministrit të Shqipërisë me një qendrim të përbashkët diplomatik kundër mentorëve dhe tutorëve të BE nuk është vetëm një delir sovranizmi artificial, aq i zakonshëm tek liderët ballkanikë. Kur propozoi zyrtarisht për herë të parë në Paris në 16 shtator të vitit 2016 projektin e tij të krijimit të “zonës së përbashkët ekonomike ballkanikoperëndimore”, Aleksandër Vuçiç e lidhi atë me kushtin e shkëputjes së shteteve ballkanike nga BE.

Ja çfarë deklaroi tekstualisht presidenti serb: ”

BE nuk është më i vetmi faktor koheziv, që mund të bashkojë Ballkanin. Ne duhet ta bëjmë atë vetë tani. Ne kemi nevojë të kujdesemi ne vetë për vetëveten. Ja pse unë i kam bërë thirrje udhëheqësve të vendeve të rajonit tonë që të fokusohemi tek vetvetja”. Që në atë kohë kam tërhequr vëmendjen për idete e rrezikshme rajonale të presidentit serb:”Nuk ka dhe nuk mund të ketë faktor tjetër koheziv në Ballkan që të zëvëndësojë faktorin koheziv europian në bashkëpunimin e këtyre vendeve. Përderisa vendet e Ballkanit Perëndimor po shkojnë drejt anëtarësimit në BE, nuk kanë nevojë për blloqe të reja rajonale, që mishërojnë izolacionizmin ballkanik. Ftesat dinake për “fokusimin e ballkanasave tek vetëvetja” janë reminishenca të papranueshme të devizës së vjetër serbe “Ballkani ballkanasve”, për të mbajtur rajonin larg BE dhe pranë Serbisë”.(Libri ”Ballkani Faustian”, 2016, fq.511).

Kjo partiturë dipomatike serbe ishte thelbi i fjalimeve të presidentit serb dhe të kryeministrit shqptar në Novi Sad.

Është një naivitet apo inkompetencë e papranueshme diplomatike dhe politike, që qeveria e Shqipërisë del dhe bëhet pjesë e ideve dhe e projekteve serbe. Nuk ka burrë nëne, që ta shpjegojë se si Shqipëria mund të hyjë në një bllok specifik me Serbinë, kur Serbia nuk njeh Kosovën dhe po kërkon ta zhbëjë si shtet e ta rimarrë si koloni të saj. Është uluritëse situata që në një bashkësi prej gjashtë shtetesh ballkanikoperëndimore, ku kemi dy shtete shqiptare, në vend që ta japë tonin faktori shtetëror shqiptar, ridel Serbia me pretendimin të rikrijojë Jugosllavinë e re me dy shtete shqiptare.

Kemi një kthim mbrapsht të tendencës historike të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon, në të cilin Shqipëria me dorën e vet po shkakton errozionin e peshës së faktorit shqiptar dhe të kombit shqiptar në rajon. A vjen kjo nga sëmundja e pashërueshme e politikanëve tanë për të sakrifikuar shtetin dhe kombin në altarin e internacionalizmit ballkanik apo nga arsye të tjera të koduara, për këtë do të duhet të pritet shumë kohë ta lexojmë në arkiva.

Por leximi i kujdesshëm i marrëdhënieve midis Serbisë dhe dy shteteve shqiptare ta jep një përgjigje qysh tani./gazeta dita/

Please follow and like us: