Çapajev Gjokutaj: Laviret mos i kërkoni mes hallexheshave!
Çapajev Gjokutaj
1.
Dje dita dhe një pjesë e natës më ikën rrugëve, një sebep në Vlorë, ndaj afërmesnate, në pritje të gjumit klikova nja dy media online të merrja vesh lajmet.
‘Ekzekutoi dy prostituta, u arratis nga burgu italian’, thoshte titulli i njerit. I hedh një sy dhe marr vesh se dy vajzat fatkeqe po bëjnë gati dy vjet që hanë dhé, po lajmi i kujton vetëm si prostituta.
Mendja e lodhur gjen sebep të arratiset dhe kujtoj gjetjen e një sociolinguisti: pothuajse të gjitha gjuhët kanë një mori sinonimesh për femrat e përdala, por fare pak për meshkujt kuvarë.
E njëjta gjë ndodh edhe me shqipen, them. Besnikëria në lidhjet burrë – grua është normë morale për të dyja gjinitë. Por ligjërimi diskriminon dukshëm gratë dhe vajzat. Për burrin përdor 3-4 emra me ngarkesë negative, të tipit: pusht, kurvar, gruar e ndonjë tjetër.
Për gruan ka një lumë syresh si: kurvë, putanë e prostitutë; e përdalë e bishtdredhur; buçe, dosë, xhadë e zuskë; kuçkë, lavire, breklëshuar, shkërdhatë etj. etj.
Ngjan se, si shoqëri kemi patur frikë se po të qenë vetëm dy a tre fjalë përkeqësuese do të humbisnin ngarkesën e do të topiteshin.
Vështirë të thuash pse, kur është fjala për marrdhënie jashtë një lidhjeje, gratë pandehen më të gatshme se burrat. Mund të jetë e kundërta, se dhe mentaliteti priret të mbyllë një sy për burrat.
Atëhere pse nxitojmë që të demonizojmë gratë e të lemë në hije burrat?
Mbase kjo është dëshmi se patriarkati e ka sanksionuar këtë normë favorizuese për burrat, nga që janë më të pushtetshëm e më të zotë.
Mbase dëshmon se gruaja shihej thjesht si mall e fabrikë fëmijsh që pa besnikërinë dhe ndershmërinë zhvleftësohej, madje bëhej edhe e rrezikshme.
Por mbase ka dëshmuar e dëshmon se, prej natyre, një pjesë e burrave priren të jenë të dobët, dyshues, frikacakë e gjithë komplekse.
Në këto rrethana kemi krijuar një varg të pasur sinonimesh për gruan dhe i përdorim jo thjesht si fjalë, por si set thikash që duhen mbajtur kurdoherë të mprehura, kurdoherë në gadishmëri.
2.
Bëj t’i ikij meditimit e të kthehem te leximi. Tre katër tituj pas lajmit të parë has një tjetër, po me prostitutë, por kësaj here të gjallë.
Agjenti i një emisioni investigativ, duke bërë pazar me një vajzë që urdhërohet nga një tutor, merr vesh se kjo s’është veçse 16 vjeç, ka lindur një fëmijë dhe me paret që nxjerr ndihmon edhe familjen. I bie t’i ketë hyrë kësaj rruge minimumi kur ishte 14 vjeç.
Vetëm halle të mëdha dhe ca batakçinj e të pashpirt mund të detyrojnë një kërthi akoma buzëqumësht të shesë trupin, të tjetersojë ndjenjat dhe ta përmbytë jetën e vet intime me vulgaritet e shitjes së mishit të bardhë.
Por opinioni s’e ka për gjë që edhe kësaj të gjore t’i ngjisë damkën e prostitutës dhe ta shpotisë e lanisë në thikat e sinonimeve lavire, shkerdhatë etj. etj.
Është e vërtetë, rreth e rrotull kemi shumë vajza që shesin trupin, por kemi akoma më shumë njerëz që bëjnë tregti e s’pyesin për ndjenja, dinjitet e ideale. Dhe s’dihet cila palë prostituon me të vërtetë. Gjithsesi mos u lodhni t’i gjeni prostitutat tek hallexheshat që detyrohen të shesin trupin.
3.
Bëj një tjetër përpjekje t’i iki meditimit dhe të përqendrohem tek leximi. Pa kaluar 5 – 6 minuta has një lajm tjetër, që kullon sensacion dhe perversitet.
Gjykata e Lezhës ka dënuar një të moshuar, 75 vjeçar se ka abuzuar me një vajzë të sëmurë mendore. Lajmi shton se familja e vajzës është në hall të madh, të tri vajzat e shtëpisë, të gjitha me probleme të shëndetit mendor, tani janë rritur dhe herë pas here abuzohen seksualisht. Madje kanë vuajtur edhe raste shtatzanie.
Ndjej krupë e ngjthje mishi dhe kujtohem se leximi i këtyre deli lajmeve ka bërë të kundërtën, gjumi është arratisur. Gjete me se të përgjumesh, i hakrrehem vetes dhe sakaq nis e vras mendjen pse në lajmet që i percillen përditë publikut ka aq shumë vrasje, vjedhje, abuzime seksuale, perversitete e lapërdhi.
Nga që i kemi me shumicë apo nga që gjenden lehtë, shprehin një gjendje të rënduar sociale apo dembellëk gazetarësh e papergjegjshmëri redaksish?
U iki këtyre hamendjeve si dora thëngjillit se në të kundërt do ta gdhij. S’di sa kohë kalon dhe në gjumë më del e sëmura mendore. Bën të vëjë në gji foshnjën po ngerdheshet dhe e le mbi stolin e lulishtes për ta mbajtur larg jargëve të të moshuarit.
Hap sytë, ndjej neveri deri te flokët dhe thonjtë dhe them me vete se përreth kemi shumë të lojtur dhe akoma më shumë të papergjegjshëm e abuzues. Bëni mirë që edhe këta të mos i kërkoni mes të sëmurëve mendorë.