Albspirit

Media/News/Publishing

Ditët e fundit të Leninit

Njeriu i konsideruar si “lideri politik më i rëndësishëm i shekullit të XX-të” mbylli sytë mbi 95 vite më parë pas një sëmundje të gjatë dhe të tmerrshme

Më 21 janar të vitit 1924 vdiq Vladimir Iliç Uljanovi, i njohur më mirë si Lenin, “politikani më i rëndësishëm i shekullit të XX” sipas Enciklopedia Britannica. Lenini qe udhëheqësi i revolucionit rus, kreu i parë i shtetit i Rusisë sovjetike dhe shpikësi i marksizëm – leninizmit, doktrinës që për më shumë se 70 vjet do të udhëhiqte Bashkimin Sovjetik dhe do të frymëzonte lëvizjet revolucionare e të gjithë botës. Kur vdiq, për shkak të një formë shumë të rëndë arterioskleroze, prej dy vitesh ishtë i paaftë që të lexonte, i bllokuar në shtrat apo në një karrige me rrota, i shoqëruar në çdo moment nga e shoqja, i shtrënguar si një fëmijë që mësonte sërish të shkruante e të fliste. Ishte vetëm 53 vjeç.

Treni i Leninit

Vladimir Iliç Uljanovi nuk do të ishte bërë kurrë Lenin sikur më 9 prill të 1917 të mos kishte hipur në një tren. Në atë kohë në Rusi Cari tashmë kishte rënë. “Revolucioni i shkurtit” e kishte përmbysur dhe e kishte zëvendësuar më një qeveri socialistësh të moderuar që e konsideronin Leninin dhe partinë e tij, bolshevikët, si ekstremistë të rrezikshëm. Lenini dhe krerët e tjerë bolshevikë që detyruar të jetonin në mërgim, ndërkohë që në Shën Petërsburg vendosej fati politik i vendit. Midis Leninit dhe Rusisë ishte e gjithë Europa e impenjuar në Luftën e Parë Botërore. Qe qeveria gjermane, armike e Rusisë, ajo që vendosi ta hipë Leninin në një tren drejt Shën Petërsburgut. Në atë kohë Gjermania ishte në luftë me Rusinë në lindje dhe me Francën e Mbretërinë e Bashkuar në perëndim. Në ankth që të mbyllnin të paktën një prej dy fronteve, strategët gjermanët menduan që të dërgonin në Rusi kreun e revolucionarëve më ekstremistë dhe financimi i fushatës politike të tij ishte një mënyrë e mirë për ta rrëzuar përfundimisht vendin. I konsideruar si kokë e nxehtë revolucionare, Lenini do ta vinte më tej në bela qeverinë Kerensky dhe ka mundësi do ta shtrëngonte Rusinë të tërhiqeshin nga lufta. Plani i tyre pati një sukses të papritur dhe spektakolar. Lenini hipi në tren në Bernë më 9 prill 1917. Përshkoi Gjermaninë dhe nga aty arriti në Suedi, një vend në atë kohë neutral. Nga Stokholmi mori një tren të dytë dhe më 16 prill, pak përpara mesnatës, zbriti në stacionin e Shën Petërsburgut. Në harkun e 7 muajve, Lenini përmbysi qeverinë Kerensky gjatë revolucionit të famshëm të tetorit, vendosi regjimin e parë socialist në histori dhe firmosi paqen me Gjermaninë. Volodja Vladimir Iliç Uljanov ose, siç e quanin miqtë e tij më të ngushtë, Volodja, shkurtim i Vladimir, lindi nga një familje funksionarësh publikë më 22 prill 1870. Biografët e tij nuk bien dakort në përcaktimin e momentit se kur Volodja u bë revolucionar. Një prej episodeve më të rëndësishëm në këtë rrugëtim qe kur më 1887 vëllai i tij Aleksandër, anëtar i një grupi terroristësh të ekstremit të majtë, u dënua me vdekje pse kish kërkuar të vriste Car Aleksandrin e III. Një vit më parë i ati i kishte vdekur nga një hemoragji celebrale dhe Lenini hoqi dorë nga feja ortodokse. Pak vite më pas ishte bërë pjesë e disa rretheve revolucionare, më 1893 u arrestua për herë të parë dhe u dërgua në internim në Siberi për 3 vjet. Në atë kohë Volodja ndoshta ishte bërë Lenin. Një njeri, që siç shkroi më 1910 një kundërshtar i tij politik: “Për 24 orë në ditë ishte i impenjuar me revolucionin, nuk ka mendime të tjera përveç revolucionit dhe, kur fle, nuk ëndërron gjë tjetër përveç revolucionit”. I kthyer në Rusi pas internimit, Lenini u bë një prej liderëve kryesorë të revolucionit të 1905 dhe u arratis sërish 2 vite më pas, kur forcat cariste arritën ta ndalojnë revoltën. Në periudhën e mëpasme konceptoi doktrinën e tij, atë që u bë e njohur si marksizëm – leninizmi: idenë se revolucioni socialist duhej të udhëhiqej nga një pararojë e kufizuar revolucionarësh profesionistë. 10 vite më pas e vuri në praktikë këtë doktrinë, kur bashkë me një grup të madh njerëzish të “pararojës revolucionare” të tij zbriti në stacionin e Shën Petërsburgut.

Iktusi i parë

Në mesin e 1921 revolucioni rus kishte fituar. Për habinë e madhe e të gjithë botës dhe ka mundësi të vetë liderëve bolshevikë, revolucionarët kishin arritur ta rrëzonin qeverinë Kerensky, të firmosnin një paqe të veçuar me Gjermaninë, të vendosnin një diktaturë dhe një regjim socialist. Ndërkohë i kishin mbijetuar një lufte civile, një ndërhyrjeje të fuqive të huaja, një pushtimi të dështuar të Polonisë, një serie revoltash fshatare dhe një zije buke, e nisur rastësisht, por më pas e përkeqësuar shumë, që vrau rreth 5 milionë njerëz. Në vitin 1921 kishte akoma përplasje më të ashtuquajturët “gardistë të bardhë” – kundërrevolucionarët monarkistë – dhe revoltat e fshatarëve, por Lenini dhe pararoja e tij e revolucionarëve profesionistë kishin një rend tjetër problemesh. Edhe pse luftimet nuk kishin munguar, lufta ishte tashmë e fituar: mbetej të shtyhej përpara një shtet. Ka mundësi kjo qe periudha ku Lenini ju nënshtrua presioneve më të forta. Një shembull i mirë i llojit punës që duhej të përballonte jepet nga axhenda e tij e 21 qershorit 1921 – një ditë absolutisht e zakonshme. Në orën 11 të mëngjesit arriti në Moskë, në banesën e tij në Gorki dhe mblodhi menjëherë Byronë Politike, organin më të rëndësishëm të Partisë Komuniste. Në rend të ditës të mbledhje kishte: vënia rregull në parti, zija e bukës, Kongresi i 3-të i Kominternit, disa probleme fiskale, vizita e një senatori amerikan, kongresi i partisë së Moskës, që do të mbahej brenda pak javësh, propozimi i qeverisë kineze për të dorëzuar disa “gardistë të bardhë”, konfirmimi i ambasadorëve në Berlin dhe shumë çështje të tjera. Byroja Politike kishte përgjithësisht midis 20 dhe 40 çështje të ngjashme për t’i diskutuar në çdo mbledhje. Gjatë një pauze, Lenini ju përkushtua kalimit të kohës më të preferuar të tij: diktimit të notave dhe letrave. Atë ditë diktoi një dyzinë që kishin të bënin me tema si furnizimi me ushqim i Kaukazit verior, ligje agrare dhe politika pune. Pasi ka përfunduar së diktuari, ju kushtua leximit të korrespondencës dhe firmosjes së dokumentave financiare, ligjeve dhe lejeve të llojeve të ndryshme. Siç e kishte pranuar në të kaluarën vetë ai, Lenini nuk ishte i përshtatshëm për këtë lloj stresi. Qysh i ri, kishte qenë një njeri emotiv. Nevrikosej lehtësisht dhe po aq lehtë binte në një gjendje xhindosjeje të egër: zbehej, gjendja e tij shpirtërore ishte nervore dhe i irritueshëm, fliste me ngut dhe në mënyrë të eksituar. Në vitin 1917 i shkroi së motrës: «Mezi arrij të punoj, pasi nuk arrij të mbaj nën kontroll nervat e mia». Nuk duronte që dikush t’i fliste, çohej në këmbë ose bënte zhurmë teksa fliste dhe qenë të famshme shpërthimet e tij thuajse histerike gjatë mbledhjeve të Byrosë Politike sapo perceptonte një mungesë minimale vëmendjeje. Rrëfëhet se e bezdisnin shumë tingujt e violinës. Pavarësisht tolerancës së tij të ulët ndaj stresit, Lenini këmbëngulte që të merrej me gjithçka. Vëzhgues bashkëkohorë shkruan se ai kishte një obsesion në kuptimin e vërtetë të fjalës për hollësitë, për të cilat shpesh pretendonte që të merrej personalisht. Në administratën e pafundme të shtetit, kishte krijuar komisione në kuptimin e vërtetë të fjalës për t’u marrë me punët e vogla (popullorçe quheshin “komisione krimba”). Në verën e 1921 ka mundësi që ishte tashmë i sëmurë, edhe pse nuk ishte akoma e qartë se cila ishte patologjia e tij. Disa kanë hipotezuar për një formë sifilizi. Ka mundësi që ishte i prekur nga një dobësi gjenetike e sistemit vaskular të trurit (familjarë të ndryshëm të tij vdiqën për shkak të iktuseve apo aneurizmave). Stresi që i shkaktonte sasia e madhe e pushtetit që kishte akumuluar dhe mania e tij për të kontrolluar çdo aspekt të politikës ruse, ka mundësi që ia përshpejtuan me shpejtësi sëmundjen. Gjatë pranverës së vitit 1922 dhimbjet e kokës të Leninit u bënë më të rënda, më të gjata dhe më të dhimbshme. Më 26 maj 1922 Lenini pati një iktus që e la të paaftë të fliste e të lëvizte për shumë ditë. Lajmi nuk u botua dhe deri në rrethin më të lartë të partisë përhapej informalisht. Ato ditë Leon Trotsky, një prej liderëve më të rëndësishëm të partisë, i konsideruar nga shumë si trashëgimtari natyral i Leninit, shkroi në kujtimet e tij: «Si mund ta besonim që Lenini mund të sëmurej dhe të vdiste tamam si një njeri normal»? Agonia e Leninit zgjati për 2 vjet e gjysmë. Për të paktën 1 vit, kur akoma arrinte të fliste e të lexonte, mbeti në qendër të jetës së partisë ose të paktën e provoi. Atë vit vendosi 2 objektiva: të spastrojë (domethënë të mërgojë apo të vrasë) klasën e intelektualëve rusë (atë që ai e quante “jashtëqitja” e vendit) dhe të përcaktonte suksesionin e tij, ka mundësi duke penguar Josif Stalinin, një tjetër prej liderëve më rë rëndësishëm të partisë, që të bëhej lider i vendit pas vdekjes së tij. Fatkeqësisht për Rusinë, ia arriti vetëm me objektivin e parë. Gjatë gjithë vitit 1922 Lenini u konsiderua lideri i Bashkimit Sovjetik: kur shkonin ta takonin në vilën e tij në Gorkij, liderët komunistë i afroheshin akoma me frikën e me adhurimin që i rezervohej një shefi të ashpër e të paparashikueshëm. Këshillat e tij dëgjoheshin, linjat e tij politike ndiqeshin në mënyrë të saktë. Gjatë atyre ditëve Stalini ishte ndoshta një prej të paktëve që e kishte kuptuar se Lenini nuk do të shërohej më kurrë. Në fakt, shëndeti i Leninit ishte përfundimisht i kompromentuar – një gjë që sigurisht nuk mund të shprehej me zë të lartë nëqoftëse nuk donte të përfundonte në bodrumet e Lubjankës, selia qendrore e policisë sekrete e themeluar prej tij. Lenini e rifitoi përdorimin e fjalës pak javë pas iktusit, por humbi përgjithmonë aftësi të tjera. Në verën e 1922 mjekët e tij i kërkuan që të shumëzonte 12 me 7. Nuk qe në gjendje të jepte përgjigje. Gjëja e tronditi dhe kur mjekët e lanë vetëm kaloi 3 orët e mëpasme duke kërkuar zgjidhjen e shumëzimit. Në fund ia doli: e motra gjeti një copë letre ku Lenini kishte shkruar: 12+12 = 24, 24+12 = 36 e kështu me radhë. Kur provonte të shkruante, nuk arrinte rezultate më të mira. Mjekët e tij thanë se një ditë Lenini kishte mbuluar 21 faqe më shkarravina fëminore dhe të pakuptueshme. Por në asnjë moment Lenini mendoi se këto probleme mund ta çonin tek dorëheqja nga postet dhe tërheqja në jetën private. Në ditët ku kishte harruar sesi shkruhej dhe si zgjidhej një problem i klasës së 3-të fillore, Lenini organizoi spastrimin e madh të intelektualëve, që çoi në deportimin e 200  artistëve e shkrimtarëve dhe në pushkatimin e shumë të tjerëve.

Telefonata

Gjatë verës dhe vjeshtës së 1922 Lenini vazhdoi të frekuentojë mbledhjet politike, edhe pse jo më me frekuencën dhe intensitetin e përpara sëmundjes. Në nëntor mbajti diskutimin e tij të fundit publik. Është interesante të nënvizohet sesi përmbledhjet e shkruara nga anëtarët e Byrosë Politike në ato ditë kërkojnë që ta evidentojnë në mënyrë obsesive se Lenini “fliste në mënyrë të qartë” apo se “dukej që kishte pushuar”. Një pjesë e mirë e lidershipit sovjetik e kishte kuptuar tashmë se Lenini nuk do të mund ta drejtonte më vendin. Por shumë nuk ia thonin një gjë të tillë as vetes. Lenini ishte më i sinqertëë dhe pas diskutimit të tij të fundit i rrëfeu së motrës se në një moment të caktuar e kishte harruar krejtësisht se çfarë kishte thënë deri një moment më parë dhe sesi do të duhej ta vazhdonte diskutimin. Stalini ishte një ndër të paktit që e kishte pranuar situatën dhe po punonte intensivvisht për të siguruar suksesionin e Leninit, sipas disa historianëve, qysh nga 1920 i kishte rregulluar gjërat në mënyrë që të eliminonte rivalin e tij kryesor Trotzky, sapo Lenini të mbyllte sytë. Sigurisht, gjatë 1922 Stalini e kishte siguruar suksesionin dhe e demonstroi mjaft qartë një gjë të tillë. Në verën e 1922, pas këshillës së mjekëve, Byroja Politike vendosi që ta mbante Leninin të izoluar nga politika: askush nuk duhej ta informonte më për atë që ndodhte në Moskë apo të kërkonte këshillat e tij. Stalini i ngarkua që ta mbante karantinën. Midis 15 dhe 20 dhjetorit 1922 Lenini pati një iktus të dytë, që e la sërish të paralizuar dhe të paaftë që të fliste për shumë javë. Më 23 dhjetor Stalini mësoi se gruaja e Leninit, Nadezhda Krupskaya, nuk kishte respektuar urdhërat për ta mbajtur Leninin të izoluar nga jeta politike. Krupskaya mendonte se politika ishte gjëja e vetme që e mbante në jetë burrin e saj. Pavarësisht urdhërave të Stalinit, vazhdoi që ta ndihmojë të shkruajë letra dhe nota të drejtuara anëtarëve të ndryshëm të partisë, t’i lexoje gazetat dhe ta mbajë të informuar për çka ndodhte në Rusi. Kur e mësoi, Stalini i telefonoi Krupskaya. Sipas rrëfimeve, që një telefonatë jashtëzakonisht nervoze e dramatike dhe gruaja e Leninit në fund qe e dëshpëruar. Nuk dihet se çfarë i thanë njëri tjetrit. Sipas disa rrëfimeve, Stalini e sulmoi me egërsi pse kishte shkelur karantinën e vendosur burrit të saj nga partia. «Ndarja e shtratit me të», duket se i ka thënë Stalini, «nuk të jep të drejtën që të vendosësh për të. [Lenini] i përket partisë shumë më tepër sesa ty». Sipas disave, Stalini kishte përdorur shprehjen “të ndash nevojtoren” në vend të “të ndash shtratin”, dhe e kishte quajtur “putanë” Krupskaya. Lenini nuk mësoi për këtë bisedë deri në marsin e 1923. Mjekët, që nuk kishin ide se çfarë kishte ndodhur, shkruan se atë ditë Lenini kishte pësuar “një përkeqësim të pashpjegueshëm të gjendjes së tij”.

Kongres – kongres

Incidenti në telefon e bindi Leninin se Stalini nuk ishte njeriu i duhur të cilit t’i besonte suksesionin e vet. Në letrat e tij të fundit, të shkruara midis dhjetorit të 1922 dhe janarit të 1923, Lenini kishte lënë amanetet e tij: vija drejtuese për një reformë të partisë dhe opinione personale lidhur me liderë të ndryshëm. Nuk qe i butë me askënd, por qe jashtëzakonisht i ashpër me Stalinin dhe la të kuptohej se Trotsky ishte pasuesi më i përshtatshëm. Testamenti i Leninit, siç u quajtën këto letra, u neutralizua lehtësisht nga Stalini, që tashmë e kontrollonte faktikisht të gjithë makinën e partisë (edhe Trotsky, për shkakt të kritikave i të cilave ishte objekt tek letrat, kontribuoi që të mos jepej shumë publicitet testamentiti, duke i dhënë kështu një ndihmë vendimtare Stalinit për t’u çliruar prej tij). Gjithsesi, kur shkroi testamentin, Lenini nuk dinte akoma për telefonatën. Në marsin e 1923 e shoqja i tregoi episodin (ishte dita kur mjekët vërejtën një përkeqësim të “pashpjegueshëm” të gjendjes së tij). Në përgjigje, i shkroi Stalinit një letër shumë të ashpër ku e kërcënonte se do të ndërpriste çdo marrëdhënie me të në rast se nuk i kërkonte falje së shoqes. Përgjigja e Stalinit qe po aq e ashpër. I shkroi se kishte bërë atë që duhej bërë dhe se po të ishte e nevojshme, do të kishte kërkuar falje, por mendonte se nuk kishte bërë asgjë të gabuar. Lenini nuk arriti t’i përgjigjej kurrë. Më 9 mars pati iktusin e fundit, u bë i paaftë që të fliste dhe me pjesën e djathtë të trupit komplet të paralizuar. Qysh nga ajo ditë asnjë prej liderëve komunistë nuk shkoi më ta takojë. Nganjëherë liderët e partisë shkonin në vilën e tij në Gorki dhe nga larg e shikonin teksa shëtitej në park në karrige me rrota. Shpesh ndodhte që në ato momente të shikonin gruan e tij të kërkonte që ta mësonte sërish të fliste. Lenini nuk e fitoi më aftësinë e të folurit, por për disa muaj arriti të shprehej me një lloj gjuhe me shenja dhe ndonjë njërrokësh. Në librin e tij “Koba The Dread”, shkrimtari Martin Amis vëren se në atë situatë lideri revolucionar mund të mbështetej mbi një ngushëllim të vogël. Ato pak njërrokëshe që arrinte të shqiptonte qenë megjithatë njërrokësha politikë “fshatar, proletar, popull, revolucion dhe, sidomos, sezd-sezd, “kongres – kongres”.

Fundi

Pas iktusit të tretë, Lenini jetoi për rreth 1 vit. Shumë udhëheqës sovjetikë në kujtimet dhe në diskutimet e tyre kanë treguar për biseda intensive dhe të iluminuara me Lenin gjatë këtyre muajve. Gjithsesi, bëhet fjalë për shpikje propagandistike: tentativa për t’u akredituar si leninistë deri në fund pas vdekjes së liderit të madh. Një prej këtyre shembujve të propagandës së pasvdekjes është rrëfimi që bëri një prej truprojave të tij. “Në vjeshtën e 1923”, rrëfeu ai, “në Gorki u soll një kolltuk si dhuratë nga ana e Partisë Komuniste Angleze”. Sipas rrëfimit, Lenini e vërejti paksa kolltukun dhe përmendi emrin e një shoku të vjetër që kishte humbur këmbët gjatë luftës civile: «Le t’ia dërgojmë kolltukun! Ai nuk mund të ecë, kurse unë nuk kam nevojë akoma për kolltukun». Në realitet, ato ditë vështirë se Lenini mund të kujtonte ndonjë gjë që kishte ndodhur po atë mëngjes dhe tashmë ishte i paaftë që të shprehte ndonjë koncept të çfardoshëm koherent. Një përshkrim më i besueshëm për atë periudhë vjen nga një piktor që u dërgua në Gorki për të bërë një portret të tij. “[…] I ulur në kolltuk, i mbuluar me një kuvertë dhe duke shikuar drejt nesh me një buzëqeshje të shtrembër, i pafuqishëm dhe fëminor si një njeri në fëmijërinë e tij të dytë, Lenini mund të shërbente vetëm si ilustrim i sëmundjes së tij dhe sigurisht që jo si një model për portret”. Në dhjetorin e 1923 Lenini dukej sikur kishte bërë përparime. Me ndihmën e një bastuni dhe të një shoqëruesi ishte bërë në gjendje të ecte pak hapa. Por nëse gjendja e tij fizike dukej se po përmirësohej, nuk kishte shenja të një përmirësimi në aftësitë e tij mendore. Në tetor Lenini la të kuptohej me gjuhën e tij të shenjave dhe të fjalëve njërrokëshe se dëshironte të bënte një vizitë në Moskë. Duke parë kushtet e tij, të paktën ato fizike, mjekët ia plotësuan dëshirëm. Askush nuk i doli në Moskë që ta priste. Lenini u dërgua që të bëjë një vizitë ne sallat e mbledhjeve të boshatisura, u dërgua në studion e tij të braktisur ku zgjodhi disa libra për t’i marrë me vete (ka mundësi që i zgjodhi në mënyrë krejtësisht të rastësishme, duke qenë se prej muajsh ishte i paaftë që të lexonte). I bënë një shëtitje nëpër qytet dhe më pas në panairin e bujqësisë e të punëve të krahut, por duke qenë se po binte shi, mjekët vendosën që ta shëtisnin me makinë. Në mbrëmje, pasi ka njoftuar Kremlinin dhe e ka lajmëruar për librat e marrë nga Lenini, grupi u kthye në Gorki. Pak muaj më pas, natën e 20 janarit 1924, Lenini pati krizën e fundit. Bashkëshortja e tij e përshkroi kështu atë mbrëmje: “[Pasi i ka dhënë për të pirë lëng supe dhe kafe], filluam të dëgjojmë një gurgullimë të dalë nga gjoksi. Sytë i dukeshin gjithnjë e më pak me jetë. [Infermierët e tij] po e mbanin fizikisht të ulur, ai ankohej herëpashere, trupi i dridhej. Në fillim i kam mbajtur dorën e ngrihtë e të djersitur, por më pas kam parë peshqirin që bëhej i kuq dhe shenjat e vdekjes në fytyrën e tij të zbehtë. Profesori Foerster dhe Doktori Yelistratov provuan t’i bëjnë frymëmarrje artificiale, por më kot. Nuk qe e mundur të shpëtohej”. Lenini vdiq në orën 18 e 50 minuta të 21 janarit 1924, 3 muaj përpara përvjetorit të tij të 54-ët, dy vite e gjysmë nga iktusi i parë. Mjekët që i bënë autopsinë u habitën sesi kishte jetuar aq gjatë dhe për faktin që kishte arritur të ruante një aftësi minimale komunikuese. Raporti i autopsisë është jashtëzakonisht eksplicit. Skleroza e sistemit qarkullues të trurit të tij kishte arritur në pikën që disa enë gjaku i qenë kalcifikuar krejtësisht. Kur goditeshin nga instrumentat e kirurgut, lëshonin një tingëllimë sikur i bihej gurit. Paretet e shumë enëve qenë aq të bllokuara sa që as një qime floku nuk mund të kalonte ndër to. Për këtë motiv, pjesë të tëra të trurit të Leninin nuk merrnin gjak të freskët. Për dekada të tëra këto detaje mbi fundin e liderit të Bashkimit Sovjetik ju fshehën opinionit publik. Trupi i Leninit u ekspozua për 5 ditë dhe i vizitua nga rreth 1 milion njerëz. Menjëherë më pas nisi procesi shumë i vështirë e balsamosjes së trupit të tij, që akoma sot ruhet në mauzoleum në Sheshin e Kuq të Moskës (ironikisht, qe pikërisht Lenini ai që pak vite më parë kishte urdhëruar të hapeshin sarkofagët dhe varret e shenjtorëve për t’u treguar rusëve se ruajtja e mrekullueshme e trupave ishte vetëm një legjendë). Përpjekja e fundit e Leninit, për ta penguar Stalinin që ta pasonte, dështoi krejtësisht. Pak pas vdekjes së tij, Stalini mori drejtimin e partisë dhe brenda pak vitesh u bë padroni absolut i Rusisë, duke nisur një epokë terrori, zi buke, deportime dhe ekzekutime në një shkallë shumë më të madhe se ajo e imagjinuar ndonjëherë nga Lenini. Kryeministri britanik Winston Churchill, që bile ishte shumë kritik ndaj tij, shkroi se vetëm Lenini mund ta ndalonte Rusinë nga marrja e kësaj rruge tragjike: «Fatkeqësia e parë më e madhe e Rusisë ka qenë lindja e Leninit. E dyta në radhë ka qenë vdekja e tij».

Storica-Përgatiti: Armin Tirana.

Please follow and like us: