Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmir CECI: Mbi librin “Vdekja më e dobishme se jeta” të Erget Cenollit

Image result for erget cenolli

 

Unë e njihja autorin, ndër të tjera dhe si imitues i një vesi të Borgesit si një “mi bibliotekash”. Ja njihja  mirë sytë, flokët, buzëqeshjen  e tij të zakonshme…por  s’më kish shkuar ndër mend se nën lëkurën e shtatit prej 1,7 m i lartë do të zbuloja një  galapagos plot korale të befta poetike.

Gjatë leximit shpesh bëhesha kureshtar dhe pyesja veten: Cili diell ju ka dhënë  dritë  këtyre poezive!? Dielli që lind mbi Korçë apo ai i botës poetike të Ergetit? Çfarë ajri kanë thithur flegrat e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve që gjallojnë  mbi letër!? Ajrin plot oksigjen të Moravës apo atë plot smog të qytetit? Kush i mbolli “Lulet  plot tundime të prillit”!? Natyra apo vetë poeti? Kush i ujit mëngjeseve!? Shiu i blerimtë apo loti i trishtimtë… Cili qiell i amshon? Cili fllad i përkund!?… etj, etj si këto  retorika.

U djersita faqe më faqe dhe shumicën e përgjigjeve e gjeta në këtë libër dhe paksa  syresh të strukura  nën hije, si në “antilibër”.

Tek sa lexon poezitë përhumbesh në larminë e një natyre racionale dhe iracionale që të përshfaqet jashtë syve dhe brenda ballit. Një natyrë  e vërtetë dhe ëndërr, e lëndët dhe palëndët, realiste dhe ekspresioniste.

Gjate krijimit  autori  mundohet të qëndrojë larg  letrarizmave steriotipe zyrtare.  Ai është alergjik dhe ndaj një folklorizmi e romantizmi i dalëboje. Me një klasicizëm ekspresiv të modifikuar ai synon të  përsëritë, skanojë e rikrijojë  botën sipas Egos dhe Unit të  tij. Braktisja në masë e rregullave dhe kërkesave kanoniste i japin mundësi të shpalosë nëpër shtigje të reja bybotën e tij reale dhe imagjinare.

Poezia e tij ka pesimizëm, ka trishtim, ka “vargje qaramane”, por ka dhe optimizëm, ka shpresë, ka lule. Ajo nuk ka rima false për duartrokitje shurdhuese, por ka asonanca dhe aliteracione me tinguj plot ngjyra natyre. Ajo nuk është  thjesht një frymëzim me qëndisma dhe konstalacione subjective, por një mision intelektual për katarsis ideo- estetik.

Stili i tij është i lirshëm, kuturisës, anarkik, me pak kopsa e karfica shtrënguese, pa format klishe apo skema aartificiale.

Megjithatë ai arrin ta josh lexuesin, ta marrë për dore e ta shëtisë, “të eci pa fjalë në rrugë të pashkelura” gjuhësore me plot bukuri artistike dhe kënaqësi estetike.

Në kërkim të formatimit të stilit të tij personal, Cenolli gërmon, provon, eksperimenton e luan me detaje, e artifica  të veçanta  stilistike e kompozicionale.

Në funksion të formës,  ritmit, muzikalitetit dhe mendimit zhvendos, anasjell, bashkëngjit andej-këndej elementët strukturorë të vargut të lirë (psh. “Qiellshëtitje mbrëmësore” formësuar nga -“Shëtitje në qiellin e mbrëmjes”, etj).

Ndërsa  vendosja  emrave  në krye të fjalëve të çiftëzuara me lloj e lloj cilësorësh  si tinguj, ngjyra, lëvizje, veprime, temperaturë, reaksione rrisin së tepërmi   intesitetin dhe kreativitetin emocional e intelektual të vargut.

Autori  me shumë durim  mbledh elementë, artifakte, zhargone, dialektizma, aforizma, figura  letrare  të vjetra  dhe i riciklon, i shkrin e i derdh ndër vargje të lira plot asosacione, qënie, imazhe reale e sureale. Atij i pëlqen që materien fizike e lëndore ta ambalazhojë e zbukurojë me finesë me dekoracione metafizike e  spirtuale.

Ai nuk është Apollon i rregullsisë së rimës e metrikës, por dëshiron të jetë një Dionis kaotik, erotic, pa shumë disipline. Diku ai  vetë  citon “se për të nuk ka rëndësi vargu, forma, por fjala, përmbajtja, domethënia, kozmosi i saj”. Rrjedhimisht ai beson se çdo fjalë ka brendësinë dhe nëntokën e saj mbushur me minerale të çmuara për shëndetin shpirtëror të njeriut. Jo rrallë ai guxon, hyn brenda galerive të tyre dhe gërmon si  një urith etimolog modest.

Në funksion të atraksionit, ndjenjës, mendimit ai bën përmbysje kohrash dhe hapësirash, bën ndërrime dhe kombinime të vendeve, perosonazheve dhe ndodhive të ndryshme “duke rikrijuar e risjellë në kujtesën tonë legjenda, balada, rrëfenja të ronitura ndër shekuj”.

Ai hyn në puset e thella e të errta të së kaluarës Ilirike me qëllime të qarta  zbulimi, njohje  dhe evokimi. Mundohet të ndriçojë e zbërthejë palimpsestin e mjegullës së errët dhe të largët mitike plot Era, Shtojzvalle, Gjarprinj, Ujvara me dritën e imagjinatës  së tij  hulumtuese.

Ndonjëherë ndodh që sipërfaqen diellore të një sendi apo fenomeni e zhyt, e fundos në brendësi të bërthamës së tij të fshehtë embrionale  ose dhe anasjelltas brendësinë e nxjerr në sipërfaqe, në dritë të syrit.

Shpesh si një surealist alogjik e ngre “tokën me ujvarat  në qiell  dhe qiellin me re  puplore e zbret në tokë”. Ekspresiviteti, stuhitë psikike, ndjesitë frojdjane në shumë raste e bëjnë ligjërimin të çrregullt, të paparashikuar në figuracione e të pakuptuar në koncepte.

Gjatë leximit nëpër fraza e sintagma vargjesh të duhet një koncetrim logjik që të  mund të zbulosh e të shijosh se si fjalët bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë në këtë univers poetik.

Pastaj  kur ndodh që  ngopemi  me këngën e zogjve, valëzohemi  në shpirt si ujrat apo mbushemi si shishe me plot lëng ambrozi, atëhere e kuptojmë që  fryma dhe enegjia e asaj që lexojmë ka prekur të vërtetën tonë natyrale.

Së fundmi duke përmbyllur librin, ndjejmë se jemi vënë në lëvizje, jemi manipuluar, jemi molepsur, jemi ripërtërirë nga lojrat plot imazhe befasuse psiko-lirike .

 

Për të qenë i qartë dhe shpjegues me çfardo lloj skepticizmi apo snobizmi po shkruaj me poshtë pak nga impresionet e mia mbi disa poezi

Tundimet e prillit

Poezi që dallon për një vëzhgim të hollë të elementëve të natyrës si një krahasim, imitim, animizim i vetive dhe tipareve të njeriut. Prilli i dalldisur nga  aromat  dhe ngjyrat është në ekstazën e tij erotike. Me lulet vallëzojnë bletët, grerat, pashkët… Vallëzojnë  të  dashuruar… në krahët e flladit  dallgëzues.

Lule më lule

Personazhi i futurës, një krijesë e bukur hyjnore bredh e lirë lule më lule deri sa përfundoi  keqas ngulur në gjëmbin e tredafilit. Një trillim me material folklorik që e risjell  në kujtesë të lexuesit një flutur të padjallëzuar  e naive. Poezia nuk është impression, apo një eskursion erotik syri, por një përqasje e bukur narrative që kodifikon nën rreshta një  proverb të vjetër.

Gjumë milingone

Autori hulumton jetën, zakonet e milingonave jo në aspektin zoologjik, por nëpërmjet figurave letrare si personifikimi, hiperbola e animizmi. Ai e mitizon, e paralelizon jetën e tyre me jetën tonë etiko-sociale. Milingonat punojnë, lodhen, flejnë, dashurojnë si dhe njerëzit nën hënë.

Rindërtimi

Poezi optimiste, e thjeshtë, e kapshme, me frymën universale të rilindjes e ringritjes shpirtërore e trupore. Ai ende iluminon se shpirti i poezisë tashmë e  modifikuar nga dora e tij me  metafora  sofiste  e shigjeta ironike  do të jetë  tepër efikase në këtë luftë emancipuese. Si një Donkishot i Ri radhitet ‘nën armë’ në   këtë betejë të vjetër shekullore. Është një poezi moralizuse ku autori revokon vetitë dhe vyrtytet më të mira tradicionale duke luftuar dyfytyrësinë, falsitetin, përdaljen dhe karierizmin.

Rrëfenja e pikave të shiut

Natyra veshur me re shiu të sjell ndër kujtesë si në mjergull Majakovskin  futurist  tek “Re me pantallona”. Mirëpo Ergeti ecën ndryshe, lëviz ndryshe, mendon ndryshe. Me një dendësi emrash dhe foljesh jep në dinamikë metamorfozën e pikës së shiut gjersa ajo “u rrit“ e u  kthye në një “gurrë joshëse“ mes dy shkëmbinjve të mishtë epshorë. Gjetje e bukur, interpretim i hollë. Fjalët rrjedhin të turbullta nga pluhuri e balta. Më në fund Toka dhe Qielli u puthën në ujë tek pika e rritur e shiut. Këtu poezia dhe ëndrra që ajo mbart mbarojnë  dhe mbyllen.

Ato buzë….

Kjo poezi  revokon  baladat dhe legjendat e vjetra  që pluhuri i kohës  pothuajse  i ka zhdukur nga  kujtesa  kombëtare. Por autori hulumton dhe gjen tek trëndafilat e egër, shtigjet, qiparisët ,mollët   autoktone, gjurmë të gjalla   prekjesh, puthjesh, shprirtrash të kreshnikëve, heronjve, hyjnive të eposit e gojëdhënave tona. Për t’i  dhënë forcë dhe përshkallzim emocional vargut, autori përdor anaforën duke  përsëritur në çdo fillim frymëmarrjeje dyfjalshin me reticence “Ato buzë…”.  Ndërsa foljet e shumta të përdorura, do të shëronin, do të ringjallnin, do të rimëshironin, do të rikrijonin e do të shtonin hap pas hapi dinamikën dhe temperamentin e ligjërimit.

Portret i ylbertë

Intresant nuk është eksplorimi i hollë i spektrit të ngjyrave tone –tone e nëntone, por krahasimi dhe interpretimi i tyre me emocionet e ndjesitë trupore. Ylberizimi  i natyrës dhe shpjegimi i saj si një portret njerëzor është një risi poetike surealiste.

Me fjalë të stërpikura  me bojë ai krijon një akuariel ndjesish plot ngjyra fluturash, lëvizje uragani, fërgëllime truri  dhe ciklone kënaqësie. Për mua kjo poezi  është një  autoportret psikik dhe shpirtëror i trazuar  e i pashpresë.

Me sa kuptoj autori nuk krijon poezi  impresioniste të çastit. Ai vrojton, akumulon dhe më pas e përpunon atë çka ka mbetur nga mbreslënia. Më pas ai krijon e mediton në funksion të mesazhit apo kuptimit që do të shprehë. Në këtë këndvështrim poezia e tij nuk është vetëm ndjenjë, emocion, por dhe një   mesazh i qartë osë abstrakt.

Për të zezën dhe elegance (sonet)

Ndër inciativat më sfiduese në këtë libër janë sonetet ose ndryshe tingëllimat. Autori vë veten në një sprovë të fortë, ai tenton të eksperimentojë këtë poezi të vështirë në ndërtimin gjuhësor dhe strukturor. Gjatë kompozimit  të saj i qëndron besnik formës klasike me dy strofa katrena dhe dy tercina me skemë të rimave  fundore –abba/cddc  dhe eae/eaa.

Ndër dhjetë sonetet e këtij libri për mua “Për të zezën dhe elegancën” është më intriguesja në aspektin e gjetjes dhe realizimit. Në të ndjehet lehtë një ligjërim i rrjedhshëm me elementë eklektikë, shumëkuptimorë. Flokët, fustani, thonjtë, qeprikët, takat, silueta të “zeza“ skicojnë portretin fizik të një vajze delikate dhe përgatitin pejsazhin pamor intrigues. Në vështrim të parë një kamuflash i zi, i ftohtë, liturgjik, kishtar. Në strofën e parë në funksion të kontekstit dhe idesë përsërit me lakime tetë herë trajtat e fjalës e “zezë”. Por me një interpunkt të beftë sfondi zhvendoset, merr kthesë në strofën e dytë. Natyralisht  e zeza e thith Diellin në thellësi. Ajo i pranon dhe reklamon dukshëm të gjitha ngjyrat. Ndaj  sapo  hyn  nën këtë  vello  “natë vere” në sy, në gjoks, në zemër, ka  zjarr, ka temperaturë, ka epsh, ka tinguj, ka optimizëm. Një kontrast i skajshëm provokues, melankolik e dramatik. Në qendër të sonetit  një vajzë  plot mister si një trëndafil i zi epshndjellës e plot ngjyra jete. Një lule-vajzë  që  shkëlqen, vezullon, flakëron  si  xixëllonjë mes vështrimeve hijezbeta, të egra e tunduese. Në hiret e saj femërore  dylufton  simbolika e ngjyrave dhe  bashkëjeton diversiteti i ndjenjave. Jeta e saj, dramë dhe romancë. Një femër elegante plot tangërllik dhe dëngla, delikate dhe oshëtitse, tunduese  dhe hermetike. Një siluetë mitike, romantike dhe modern. O Zot, një krijesë reale, hije dhe ëndërr. Një kartolinë Korçe veshur me  muzg  dhe ag, një muzë  e përfytyruar qyshkur nga Petrarka.

Në këtë sonet ligjërimi është tepër i ngjeshur i ngarkuar në drejtim të leksikut, kuptimit dhe nënkuptimit, domethënies së figurave dhe ideve. Pra është një  ligjërim poetik  modern  edhe në  kuptimin semantik dhe trajtimin sintaksor. Në  këtë vargëzim mbisundojnë emrat të bashkëngjitur pranë e pranë me mbiemra cilësorë. Ka pak ose aspak lidhëza. Ka shumë presje çlodhçse dhe medituese. Ato folje që janë përdorur kanë detyrën e vështirë misionare të lëvizjes e të transmetimit të të gjithë ngarkesës emocionale dhe poetike tek lexuesi i kultivuar. Këto folje janë ingranazhe që mundësojnë unitetetin dhe funksionimin e gjithë gjymtyrëve të kësaj krijese miks  klasike e postmoderniste. Lexuesi duhet të jetë tepër i vëmendshëm dhe fin që të dallojë  “valëzimin  e flokëve krela- krela” që  të mund të dëgjojë “oshëtimën e takave” që të ndjejë “cekjen e vështrimeve kalimtare” që të përthith “shikimet epshore” apo  të zbulojë  të fshehura  “në thellësi të zemrës  kristale dielli e lumturie”. Çfarë elegance plot detaje që ka  ky   kompozimi!? Një poezi trup-femre, që nis në krye me krelat e flokëve, zbret  përtokë  në  hapat e takave dhe përfundon  në thellësi  tek  kristalet e  zemrës…

Please follow and like us: