Albspirit

Media/News/Publishing

Liderët e BE-së nuk arrijnë pajtim për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë dështuar të arrijnë pajtim lidhur me nisjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

Për këtë temë, është diskutuar të enjten deri në orët e vona në samitin e BE-së, raporton Radio Evropa e Lirë.

Edhe pse ka dominuar qëndrimi se me Shqipërinë dhe me Maqedonisë së Veriut duhet të merret vendim pozitiv për nisjen e negociatave, pasi ato i kanë përmbushur kriteret e kërkuara, liderët e BE-së nuk kanë arritur konsensus për këtë.

Disa liderë kanë shprehur keqardhje dhe zhgënjim për këtë dështim dhe kanë shfaqur frikën se kjo gjë mund të ndikojë negativisht në besueshmërinë e BE-së në rajon dhe mund ta destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babish, ka shprehur keqardhje për mosarritjen e konsensusit për Tiranën dhe Shkupin Zyrtar.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se hezitimi për të mos vendosur për nisjen e negociatave me këto dy shtete si edhe kërkesa për ndryshimin “e rregullave të lojës” nuk është gjëja e duhur.

Por, burimet diplomatike kanë konfirmuar se ka qenë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ai që në fund ka kundërshtuar çfarëdo vendimi.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, pas takimit, ka thënë se vendi i tij ka qenë i gatshëm të pranojë të jepet një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut, por ka kundërshtuar që një gjë e tillë të bëhet edhe për Shqipërinë.

As përpjekjet për t’i ndarë këto dy shtete dhe për të pasur së paku vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut nuk kanë dhënë fryt.

Pas diskutimeve të gjata lidhur me zgjerimin e BE-së është dhënë propozimi që liderët e BE-së të paktën të dalin me deklarata pozitive edhe pa e miratuar vendimin, për të dhënë sinjale se një gjë e tillë mund të ndodhë më vonë. Edhe kjo gjë është kundërshtuar nga Franca dhe kështu debati ka rezultuar pa asnjë konkluzion rreth zgjerimit.

Burime brenda BE-së kanë thënë se deri në fund të vitit apo në fillim të vitit të ardhshëm, Franca do të duhej të dalë me një propozim më të qartë se si mendon të reformohet procesi i zgjerimit të BE-së në mënyrë që të mbështesin një vendim pozitiv për këto dy shtete.

Ka informacione se liderët e BE-së mund të tentojnë që të premten të provojnë edhe një herë të  arrijnë së paku pajtim për një deklaratë të përbashkët. Por, duke pasur parasysh temat tjera që ata i kanë në agjendën e sotme, edhe lëshimi i një deklarate të përbashkët duket se ka pak gjasa të ndodhë.

Disa diplomatë që kanë folur me gazetarët pas takimit të liderëve të BE-së, kanë thënë se çështjen e zgjerimit dhe vendimin për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut e kishte vendosur si temë të samitit presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk. Ata kanë thënë se Tusk është angazhuar fuqishëm që të ketë vendim pozitiv, por kundërshtimi i Francës ishte i pakapërcyeshëm.

Please follow and like us: