Albspirit

Media/News/Publishing

Kur perëndimi pa kthim i Vincës shkon më tej se ç’mendohej

Çerçiz Loloçi

Agim Vinca, poet, studiues e publicist me rreth 28 libra, në një të përditshme ka hedhur disa insinuata kundër Ismail Kadaresë, nisur nga akordimi i çmimit ‘Nobel’ nga Akademia e Suedisë për autorin kontravers austriak, Peter Handke dhe sidomos për shënimin e tij për këtë autor në librin “Ra ky mort e u pamë”, Botimet Onufri, 1999.

Ky shkrim, nga fillimi në fund, flet para së gjithash se deri ku mund të shkojë ligësia njerëzore, por edhe për një keqkuptim e mosdije nga artikullshkruesi, që pretendon të jetë edhe studiues e profesor universiteti.

Agim Vinca bën ‘zbulimin e parë’ se teksti i Kadaresë mungon në botimin shqip dhe gjendet në atë frëngjisht. Sipas tij, “gabim teknik apo shmangie e qëllimshme? Për të mos i irrituar lexuesit shqiptarë, veçanërisht ata kosovarë, në njërën anë, por edhe për të mos u hatëruar me Handken, ‘këshilltarin e shtëpisë botuese austriake Residennz Verlag’, në anën tjetër, ky tekst është hequr në botimin shqip, por nuk është prekur në botimin frëngjisht. Sepse, ‘Handke është frankofon’; gruaja e tij është franceze; jetojnë në Francë…Do të doja ta kem gabim, por kësaj i vjen, me keqardhje po e them, era kalkulim”!

Në të vërtetë asnjë nga pikëpyetjet që ngre autori veleshtar nuk qëndrojnë. Ismail Kadare ka preferuar ta ketë këtë tekst fillimisht në frëngjisht dhe jo në shqip, për faktin e thjeshtë dhe të vetëm se bota frankofone ka më shumë lexues dhe sidomos një numër intelektualësh të njohur jo vetëm francezë ishin rreshtuar pro Jugosllavisë, pro Serbisë, pro Millosheviçit, mes të cilëve edhe Peter Handke. (Këtë tekst natyrisht e ka lexuar edhe Handke me gjithë bashkëshorten e vet franceze).

Po ashtu në botimin shqip, ashtu si edhe në gjuhën frënge, kur e ka parë të nevojshme për ta publikuar, Kadare shprehet pa asnjë ekuivok: “Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë”.

Dhe më poshtë: Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.

Kuptohet fare lehtë se Peter Handke nuk është nga të preferuarit e Ismail Kadaresë, madje ai është kritik me këtë autor që ringritjen e famës e kërkon me rrethana jashtëletrare, pra që të ndjekë një kauzë të gabuar, të një lideri të dënuar botërisht. “A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo”, thotë Kadare. (Është pak a shumë si kjo replikë e Vincës me Kadarenë që as më shumë e as më pak kërkon vëmendjen e tij, ngjashëm edhe me shkrimin e tij pas botimit të librit ‘Kohë e pamjaftueshme’ të Helena Kadaresë, domethënë shfaqet sërish një i shkarë e hedh një gur në pus dhe të dalin pastaj dhjetë a pesëmbëdhetë akademikë, përfshi edhe autorin, për ta nxjerrë).

‘Zbulimi i dytë’ i Vincës është për mosreagimin e Ismail Kadaresë kundër Akademisë së Suedisë për laurimin e Peter Handkes.

Padyshim që është veprimi i drejtë. Duke qenë vetë për mëse katër dekada një nga konkurentët e këtij çmimi të rëndësishëm, madje në pesëshen më të diskutueshme edhe në vitin 2019, ana etike nuk mund ta lejonte Kadarenë të shprehë rezerva ndaj një çmimi të dhënë për autorin austriak.

Përpos skandaleve që kanë shoqëruar çmimin Nobel, përfshi edhe atë të fundit me laurimin e Peter Handkes, kjo akademi ka nderuar emra dinjitozë dhe si institucion vijon të mbajë kurorën e lartësive të letërsisë. Kadare si anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, mes të cilave ‘Cino Del Duca’, ‘Man Booker International’, ‘Princi i Asturias’, çmimi i Jeruzalemit, çmimi amerikan ‘Neustadt’, etj., e ka tejkaluar me kohë Nobelin dhe marrja ose mosmarrja  e tij nuk e ul vlerësimin si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohëve të sotme.

Përkundër mosreagimit të tij, ishte dinjitoze protesta e akademisë së Kosovës (shkrimi i kryeakademikut Mehmet Kraja në Washington Post) dhe mospëlqimi i gjithë shtypit më të zëshëm perëndimor, madje edhe intelektualëve dhe shkrimtarëve seriozë në Beograd.

Pavarësisht se nuk u nderua edhe këtë vit me çmimin e Akademisë së Stokholmit, Kadare përjetoi marrjen e dy çmimeve të rëndësishme ndërkombëtarë, atë aziatik ‘Pak Kyongni 2019’ dhe tjetrin të quajtur ‘Nobeli amerikan’, çka përbën një majë tjetër vlerësuese për atë vetë, por edhe për letërsinë shqipe.

‘Zbulimi i tretë’ i Vincës është ulja në një darkë me Peter Handke (shkrimi i Vincës titullohet ‘Darka e gabuar”) dhe sipas tij kjo është e gabuar. Edhe këtu argumentat që sjell janë aq turpëruese sa një mendje normale nuk do të kuptonin se çfarë lidhje kanë mes tyre. Ripërmendja e darkës mes dy shkrimtarëve, që kanë një hendek të madh në sferën e krijimit dhe pranëvënia e disa fakteve të dëshmuara nga vetë Kadare, kanë brenda edhe një ligësi të madhe që ngjajnë me ato raportimet ish kooperativistëve të skutave të thella malore në kohën e regjimit diktatorial.

Natyrisht nuk ia vlen të merresh kaq gjatë me Vincën e perënduar e të papenduar, por ndihesh keq kur disa syresh janë të një prerje me të që mendojnë si marksisë e shkruajnë si leninistë duke e parë letërsinë në mënyrë zhdanoviste, bardh e zi, pak a shumë si një rrëfim i kahershëm, titulluar “Pionieri i katundit”.

Fatmirësisht sot jetojmë në një botë të hapur dhe me pak dijeni e kupton fare qartë se çfarë përfaqëson njëri dhe çfarë tjetri, në rastin më konkret çfarë përfaqëson Vinca dhe çfarë Kadare, nuk ka më idhuj të rremë që krijojnë me shumicë diktaturat apo juntat, mjerisht edhe regjimet demokratike, por janë përcaktuese vlerat estetike që përcjell dhe që, sa bëhen pasuri kombëtare, po aq edhe kthehen në vlera të qëndrueshme mbarëbotërore.

 

 

 

Shkrimin e plotë të Kadaresë mund ta lexoni këtu: https://alb-spirit.com/2019/10/12/20-prill-1999-shenimet-e-kadarese-per-peter-handke-ne-ditarin-e-tij-per-kosoven-ra-ky-mort-e-u-pame/

Shkrimin e Agim Vincës mund ta lexoni këtu: https://www.gazetadita.al/darka-e-gabuar/

 

Disa nga reagimet kundër çmimit Nobel në letërsi për Peter Handke, mund t’i lexoni këtu:

https://alb-spirit.com/2019/10/10/skandali-i-akademise-suedeze-nobelin-per-letersi-e-merr-perkrahesi-i-miloshevicit/

————————

Dy fjalë për autorin

  1. Redaktor përgjegjës i revistës dygjuhëshe (shqip-frëngjisht), “Monumentet”, botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
  2. Autor i dhjetra skicave, tregimeve, novelave, monografi, dosje letrare, një skenar filmi dhe një roman.
  3. Autor i një komedie “Mikomania”, vënë në skenë me trupën e Universitetit Bujqësor, Tiranë.
  4. “Tregime”, përmbledhje me tregime, botimet Naim Frashëri.
  5. “Adoleshentët”, përmbledhje me tregime, botimet Naim Frashëri.
  6. “Planet virgjerie”, roman me subjekt nga lufta italo-greke, 1940, botimet Marin Barleti.
  7. “Holokaust, dosje pa koment për krimet e Miloshevicit”, botimet Lumo Skëndo, bashkëautor.
  8. “Zalldardha”, monografi, botimet Lumo Skëndo, bashkëautor.
  9. “Hiret e prostitutave”, tregime dhe një novelë, botimet Enter.
  10. Redaktor i librit “Një dosje për Kadarenë”, i librit “Albanistan” të Andrea Stefanit, i librit “Vilsoni dhe Genci” të Sadik Bejkos me parathënie të Ismail Kadaresë.
  11. Shkrime publicistike, ese, vështrime kritike, recensione, tregime, novela…botuar edhe jashtë shtetit.
  12. Tregimi i parë “Një tufëz me lule”, 1981, botuar në të vetmen gazetë letrare të përjavshme “Drita” ka qenë njëheri edhe fitues i cmimit të parë të Republikës.

 

 

Please follow and like us: