Eden Babani: Pasdite letrare me shkrimtarin Arbër Ahmetaj në Bruksel
Më 19 tetor, lindi dielli edhe për ne…
Eden Babani, Bruksel
Si gjithnjë dhe si kudo, dielli lindi më 19 tetor dhe në Shqipëri. Lindi siç ka lindur çdo njëzetekatër orë, qysh se Planeti ynë, – Rruzulli Tokësor, – ekziston si satelit i Sistemit Diellor, e siç do të lindë me të njëjtin cikël deri që Sistemi të ketë jetë. Nuk iu shkrep të lindte se i duhej Edi Ramës të hapte thesin e ri të mashtrimeve lidhur me fillimin e negociatave me BE-në. As që të kryejë tradhtinë e radhës ndaj vëllezërve kosovarë, duke shtrënguar duart me Vuçiçin, ish Ministrin e Informacionit të “kasapit” të Ballkanit, Milosheviç. Jo. Lindi sepse ashtu është kurdisur bota, prej miliona vitesh drite. Lindi që jeta njerëzore të ndjekë rrugën e saj të zakonshme: kur e kur në prehër të rutinës, kur e kur përtej saj.
Si rëndom, lindi njësoj edhe në qiellin e Brukselit të veshur me re. Orët e para të së shtunës së shkuar, duke u rrekur të shpërndajë vranësirën e të nxjerrë vjedhurazi një sy. Më pas, duke i dhënë arratinë vranësirës këmbëngulëse të viseve veri-atlantike, për të shkëlqyer në kaltërsi me gjithë fuqinë e tij çudibërëse. Ama lindi më 19 tetor edhe për ne, pjesëtarët e Bashkësisë Shqiptare të Brukselit. Lindi fatsjellës me një eveniment të ri, sa të ngrohtë e të këndshëm, aq edhe zhbërës të rutinës së përditshme. Sa qytetar e kulturor, aq edhe atdhetar.
Pasditen e 19 tetorit, u zhvillua një tubim letrar kushtuar letërsisë së sotme shqipe. Nismëtarë dhe sponsorë, ishin Klubi Qytetar Shqiptar dhe Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë të Belgjikës. I ftuar nga Zvicra, ku jeton prej më se 22 vitesh, shkrimtari me prejardhje tropojane, i cili paraqiti romanin “Procesi:3K/1988”.
Para të pranishmëve të shumtë që mbushën mjedisin, romanin e paraqiti studiuesi dhe kritiku i letrave, Gjovalin Kola, Doktor i Shkencave.
Kola vuri në dukje se ngjarjet e romanit janë vendosur të prag të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1912, pas rënies së Murit të Berlinit, ngjarje të cilat hapën siparin pluralizmit politik në Shqipëri, për t’i dhënë fund një periudhe afro gjysmëshekullore të sundimit monopartiak të Enver Hoxhës. Duke qenë se vetë autori e ka përjetuar vrullshëm lëvizjen si student i asaj periudhe, ngjarjet e romanit shtjellohen në formën e një rrëfim në vetën e parë, të cilat lidhen me procesin hetimor ndaj personazhit Kosta. Nuk mungojnë edhe shumë personazhe të tjerë, prapa të cilëve s’ është vështirë të nënkuptohen emra të njohur, për çka vepra letrare merr vlera dëshmuese të mirëqena. I gjetur artistikisht titulli “Procesi: 3K/1988”, ndjekur nga nëntitulli “Kosta Kundër Komunizmit”
Përmes një interviste të shkurtër me zotin Dritan Kiçi, Kryetar i Klubit Qytetar Shqiptar, Arbër Ahmetaj vuri në pah shtysat të cilat e kanë ngacmuar deri sot në rrugën e tij si autor. Më tej, ai shpalosi ambiciet e veta artistike për të ardhmen.
Personalisht, kam bindjen se shqetësimet në formë shtysash dhe ambiciesh të autorit Ahmetaj, janë ushqyes të “motorit” që e ka nxjerrë atë në vijën e parë të shkrimtarëve të letërsisë sonë. S’ka sesi të shpjegohen ndryshe arritjet e tij të derisotme. Sjell në kujtesë veprën “Fletëhyrje për në varr”, botuar qysh më 1993, ribotuar më 2012 dhe përkthyer në gjuhën frënge nga Prof. Edmond Tupja nën titullin “”La ville des ecrivains figés” (Qyteti i shkrimtarëve të ngrirë) ose botimet “I huaji, ai Kosovari”, “”69 gra” etj.
Pasditja letrare pati për ne pjesëmarrësit edhe një të papritur, të pashpallur paraprakisht. Djaloshi me origjinë kosovare dhe me banim në Paris, Abidin Krasniqi, ia behu në tryezën tonë me një tufë librash në çantë. Ishte përkthimi i tij në gjuhën frënge i veprës së pavdekshme të At Gjergj Fishtës “Lahuta e Malësisë”. E pabesueshme. Aq i ri, sapo djersitur mustaqja, dhe me një vepër që rrallë kush do ta ketë ëndërruar, ai i dha një intervistë të shkurtër zonjës Shqiponja Duro, Kryetare e Midhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë të Belgjikës.
Ja çka na solli ne 19 tetori, një me lindjen e diellit si përherë e si kudo në botë.