Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Energjia e varreve

Image result for ibrahim vasjari

Ibrahim Vasjari

 

-Vënë në përdorim sipas ideve të hallë Dilos –
Hallë Dilua thoshte aq sa dinte. Njohuritë tona u bënë të plota vetëm kur u rritëm e ramë në kontakt me Llambin, ciceronin e muzeut historik. E ndjera hallë Dilo kishte një vizion naiv mbi rolin e varreve në familje e në shoqëri. Ajo nuk çlirohej dot nga misticizmi dhe asqë e merrte dot me mend se ç’rëndësi do të kishte energjia e varreve në një botë moderne.
Hallë Dilua ishte parashkencore. Llambi, pa e mohuar kontributin e hallë Dilos, theksonte se këndvështrimet e reja hodhën dritë të plotë mbi dukurinë dhe bënë të mundur përdorimin e kësaj energjie në fusha me dobi publike.
Llambi të habiste me njohuritë e thella shkencore që zotëronte mbi “energjinë e varreve”, kur kjo energji vihej në shërbim të idealeve të larta të revolucionit. Gjithçka, sqaronte Llambi, i ka burimet te përrallat e hallë Dilos, që më vonë u ripunuan e u vunë mbi baza shkencore. Kalimi nga stadi primitiv në përpunimin industrial u mbështet në veprën 4/1, botim i ripunuar, si dhe në shtojcën “Roli i kontradiktave antagoniste dhe transmentimi i tyre nga brezi në brez në dobi të hopit historik”.
Dukej açik se përrallat, tregimet, këngët, bletët që mjaltëzonin rreth varreve të të parëve tanë, pra gjithçka që na kishte treguar deri atëhere hallë Dilua, ishin naivitete fëminore përballë teorisë shkencore që shtjellonte ciceron Llambi.
E dinim që lënda e parë e kësaj energjie tek ne gjendet me bollëk. Vdekjet në zonat kufitare, siç thekson Llambi, kanë % të lartë heroike revolucionare. Por nuk kishim ide të qartë se si varret mund të prodhonin konkretisht energji historike me vlerë kaq të lartë. Shkurt, para se të takonim Llambin, ne fluturonim nëpër utopinë e hallë Dilos, e cila, përveç qëllimeve fisnike, nuk kishte ndonjë dobi konkrete për revolucionin.
Llambi na bëri të qartë mënyrat e transmentimit të kësaj energjie, dobinë e saj, por edhe ndonjë efekt ndotës të ambientit në situata të caktuara historike. Ai bënte përllogaritje të sakta të limiteve të shfrytëzimit, të faktorëve shterues e rigjenerues, në vartësi të moshës dhe llojit të varrit. Siç deklaronte Llambi, kjo ishte energjia më e lashtë që njihte njeriu. Dhe, ndonëse shkenca ka ecur përpara, duke zbuluar edhe burime të tjera, “energjia e varreve” vazhdon të përdoret kudo, për hir të kostos së ulët të prodhimit si dhe të fuqisë së lartë kalorifike që zotërojnë disa lloj varresh.
Llambit i binte një hije zemërimi në fytyrë kur ishte i detyruar të njoftonte konsumatorët të kishin kujdes, sepse disa lloj eshtrash prodhonin “energji negative”, duke çliruar gazra e tym helmues, që ndotnin situatën revolucionare të shoqërisë. Të tilla ishin eshtrat e armiqve të popullit, të spiunëve ose të ushtarëve okupatorë. Në këto raste nuk këshillohej varrimi, por groposja kolektive. Bile, më e mira ishte prishja e strukturës kockore dhe shpërndarja e parregullt, për të shuar vatrat e mundshme të tymëzimit helmues. Disa shtete përdornin squfurimin e kufomave e pastaj djegien. Ka përvoja të ndryshme, sqaronte ciceron Llambi.
Në varrezat e zonës kufitare, përreth Qytetit të vdekur buzë detit, midis shkurreve e telave me gjemba, u instaluan gjeneratorë që mblidhnin me anë të pasqyrave energjinë e varreve për të furnizuar repartet e mbrojtjes dhe popullatën luftarake të kufirit. Një sistem i sofistikuar bënte klasifikimin e lëndës së parë që vinte nga varret e periudhave të ndryshme, mënjanonte mbetjet, i ripunonte ato dhe i kthente sërish në energji, pa lënë të kalonte asgjë dëm. Territori u rrethua me pemë, parqe e lulishte. Në hyrje kishte monumente, portrete luftëtarësh dhe armë të kohëve të ndryshme. Ndërsa përreth, pak a shumë siç mund të vepronte edhe hallë Dilua, altoparlantët transmentonin fragmente nga emisioni “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”.
Qyteti i vdekur buzë detit, i tretur mes pluhurit e rrënojave, dukej si një postë kufitare e braktisur pas bombardimeve të artilerisë armike. Pozicioni strategjik në vijën kufitare Lindje-Perëndim, intrigonte kureshtarët të pyesnin se në ç’kushte kish vdekur ose ishte vrarë ky qytet, si mbeti në harresë e dimëroi aq kohë mes tallazeve, krismave e të fshehtave të kufirit. Për të gjitha këto, Qyteti përpiqej të fliste vetë, shpaloste para vizitorëve hieroglife rrënojash. Por, si kudo në botën e qytetëruar, në të tilla raste përdoren ciceronët, interpretuesit zyrtarë të mesazheve.
Sipas Llambit, për vdekjen e Qytetit nuk duhet të bazohemi në mistikën reaksionare të hallë Dilos, por në kapitullin e “domosdove” të diktuara nga ligjet historike. Veprimi ka qenë i drejtë dhe i mençur, sepse mbylli portën e detit dhe shkëputi lidhjet Lindje – Perëndim. Kjo zonë e rëndësishme kufitare për 1500 vjet rresht zë vend nderi në historinë e tri perandorive më të lavdishme të Lindjes.
Kështu thotë Llambi. Si gjithë ciceronët, ai ndërlidh të gjallët me të vdekurit, zbërthen gjuhën e vështirë të simboleve. Njerëzit sikur kanë diçka për të pyetur, por gjithnjë ndërrojnë mendje e largohen duke tundur kokën. Ndërsa varret, amfiteatri, portikët e statujat e mermerta ndihen të lodhur e të dorëzuar tek autoritetet, të qetë e të pandjeshëm ndaj ironisë së përjetshme të ciceronëve.

(Fragment nga libri im ‘’Kristale në errësirë’’).

Please follow and like us: