Albspirit

Media/News/Publishing

Kozeta Zavalani: Ditët e Mbretëreshës Teutë në Prishtinë

 
Ditët e mbretëreshës Teuta në Prishtinë filluan me mbrëmjen ekskluzive titulluar “Ti nuk je vetëm”, me kthim kujtese tek mbretëresha ilire, organizuar nga Klubi i Grave Shqiptare “Mbreteresha Teuta” të Kroacisë me seli në Zagreb, drejtuar nga regjisorja e gazetarja e mirënjohur prishtinase Shenida Bilalli, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ku u organizua mbrëmja kulturore, dedikuar grave viktima të dhunës. Në këtë mbrëmje ishin të pranishme zonja me profile të ndryshme, intelektuale nga mbarë trevat shqiptare. Një spektakël i mrekullueshëm, me koreografi të shkëlqyer, ku regjisorja e talentuar Shenida Bilalli, e kishte begatuar tregimin për Teutën, me dimensionin shtesë – me fjalë, me vallëzim, muzikë, me kostume moderne dhe të imagjinuara të ilirëve, valltarët evokuan botën ilire, ndërsa Teuta po dominonte në skenë si grua e fuqishme, një nga plejadat e sundimtareve të mëdha. Njëkohësisht ne hollin e ekspozitave pjesëmarrësit soditën 121 gratë e suksesit të Shqiptarisë, ekspozuar nga Albanian Excellence, realizuar bukur nga Flora Nikolla. Dua të falenderoj miken e dashur Shenida Bilalli, që na bëri të ndihemi si Mbretëresha Teutë, me kurorë mbi krye e krenari me gji, me këtë poezi: Me diellin e hënën Mbretëresha Teutë del në breg valëve të kaltra të Adriatikut ndjek një shteg, e ndal mes librave në hollin e bukur, këtu, në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ të Kosovës në Prishtinën kryeqytet.
Disku i zjarrtë mbytet në ujë
Ku shpirttrazuar frymëzimi rrjedh lumë…
Gjak trëndafili mbi degët e shpresës
Në sythet e dritës, në ëndrrat e jetës,
hapësirave të mendjes, lëndinave të shpirtit,
prushit të buzëve, erërrave të qiellit,
nën harkun e yjeve, ku nata ngre pluhurin e hijeve..
Mbi qerpikë, zbardhin shekujt heshtjen e historisë, malet rrokullisin gurët e dritës, mbi 121 gratë e suksesit të Shqiptarisë, ekspozuar nga Albanian Excellence, që rrezatojnë rrëpirave të blerta, ku pergamenet e historisë rrjedhin përjetësisë…
Në Tryezën e Rrumbullaktë mbajtur ditën e dytë, në prani të Ambasadores së Kroacisë në Kosovë znj. Daniela Barisiç u shpalos rrugëtimi 15-vjeçar i Shoqatës ‘Mbretëresha Teutë’, duke falenderuar qeverinë e Kroacisë për mbështetjen. Jam befasuar, mrekulluar e jam ndjerë krenare për vlerësimin që i bëri Ambasadorja z. Shenida Bilalli dhe dashurinë për shqiptarët.
Ditën e tretë zonja Daniela Barisiç priti zyrtarisht në selinë e ambasadës kroate në Prishtinë, antaret e bordit të Klubit Ndërkombëtar “Mbretëresha Teuta” . Në takim znj. Bausiç u shpreh me plot simpati ndaj popullit shqiptar dhe grave tona. Antaret e falenderuan zonjën Ambasadore për pritjen dhe përkrahjen ndaj popullit shqiptar nga Qeveria e institucionet kroate, të cilat me vite përkrahin Mbretreshën Teuta në Zagreb.
Një pritje e jashtëzakonshme e ngrohtë ashtu si dielli që shndërrin në qiell, për nder të delegacionit të Mbretëreshës Teuta. U ndjemë krenare veçanërisht për vlerësimin fjalët e mira për zonjën Bilalli, të cilën e njihte si gazetare dhe regjisore të shquar në Koraci, duke shprehur mundësi bashkëpunimi në të ardhmen edhe me gra nga shtete të ndryshme të Europës.
Në bordin ndërkombëtar ishin përfaqësuese, gra të suksesshme nga Kroacia, Zvicra, Suedia, Gjermania, Shqipëria dhe Kosova, të cilat mbresat e këtyre ditëve do t’i ruajnë e shpërndajnë si xhevahire të rrallë.

 

Please follow and like us: