KPA shkarkon prokurorin që firmosi arrestimin e Fullanit dhe Gjikës
Prokurori Ramadan Troci është shkarkuar nga detyra me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Në seancën e sotme KPA vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e prokurorit që firmosi arrestimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani dhe ish-kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika.
Trupa e përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, vendosi që problemet e evidentuara nga KPK mjaftonin për të mos konfirmuar në detyrë prokurorin.
Në 15 nëntor 2018 KPK vendosi që të mos e konfirmonte Trocin në detyrë, me pretendimin se kishte gjetur probleme në pasurinë. Konkretisht, bëhet fjalë për një apartament 94 metra katrorë në zonën e Selitës, ku diferenca e gjetur, sipas avokatit të Trocit, është 700 mijë lekë të rinj.
Gjithashtu, KPK-ja mendon se prokurori nuk qartëson kontratën e qirasë të lidhur me një person tjetër për një banesë, në të cilën Troci jeton bashkë me familjen, në zonën e “Pazarit të Ri”.