Orjola Pampuri: Shfaqja më e shëmtuar që mund të ofrojë Rama është takimi me zonjat
Nuk ka skenë më të shëmtuar se të thurë lavde e të të bëjë moral për rëndësinë e gruas, pikërisht ai që nuk e di e nuk ka pranuar ta mësojë kurrë, edhe pas shumë pësimesh.
Sa e vërtetë mund të jetë për secilin nga ne që; “nëse kërkoni që diçka të thuhet, i thoni një burri, nëse kërkoni që diçka të bëhet i thoni një gruaje” këtë pohoi Margaret Thatcher dhe këtë mund të ta pohojë, pranojë në heshtje apo me fjalë gjithkush, pasi një grua bën e di të bëjë shumë punë njëkohësisht, di të jetë nënë, grua, bashkëshorte, kolege, amvisë e profesioniste shumë e mirë, e për këtë sigurisht meriton vëmendje e respekt maksimal, por e thënë kjo nga Edi Rama, tingëllon më hipokrite se vetë hipokrizia.
Mundet të flasë Edi Rama, për gratë kur kundrejt nënave, e grave shtatzënë protestuese për banesat e tyre në Unazën e Re, hedh gaz lotsjellës pa dhimje, kur nëna të moshuara qëndrojnë në shi e të ftohtë për strehën e tyre, e ky megalloman nuk do t’ia dijë. Mund të flasë Edi Rama për e me gratë, kur në bashki e parlament u rreh krahët atyre që kanë përdhunuar e kanë qenë pjesë e trafikut të grave dhe vajzave? Si mundet Edi Rama të shkelë mbi dinjitetin e tyre e t’u flasë aq shumë, për rëndësinë tyre, kur ai vetë nuk e diti kurrë, si mundet të premtojë e të flasë për një vlerë, të cilën nuk e vlerësoi kurrë? Kush kujton se është ky kryeminister, që vijon të aktrojë në mënyrë të shëmtuar përballë qytetarëve të këtij vendi, të cilët i varfëroi si kurrë ndonjëherë? E di ky palo kryeministër që janë me mijëra nëna që nuk kanë me se të ushqejnë fëmijën e tyre, e jo më larg se dje nëna e tre fëmijëve i dha fund jetës, pikërisht sepse e mundën hallet e mundimet për të mbijetuar në këtë vend, ku ti dhe vetem ti ua privove çdo shpresë shqiptarëve?
Edi Rama, gratë janë vlerë, e që të flasësh përballë vlerave, minimalisht duhet të mbartësh dhe vetë ato. Mjaft më na edukuan të paedukuarit, na bënë moral imoralët, na dhanë mend intrigantët e kërkojnë të na ndërtojnë ‘të shemburit’. Kur merr pozita e flet për një çështje, mendohu mirë, së pari duhet ta nisësh reformimin nga vetja. Por reformimi nuk mund të rinisë pas shumë thyerjesh, shenjat e të cilave fatkeqësisht të ndjekin tërë jetën. Edhe pse mundohesh të ngresh zërin, ai ndjehet gjithnjë e më i ulët para bëmave të tua.
Mjaft më I përdore gratë Edi Rama dhe mbrojtje dhunuesit e tyre. ‘Shfaqja’ e shëmtuar mbaroi tashmë.