Deri tani historianët shqiptarë, në mënyrë të dënueshme, kanë vijuar strategjinë e retushimit të historisë sipas kodit etik të një shteti diktatorial siç ishte Shqipëria prej 1944-1991.
“Armiqtë” që regjimi komunist i burgoste apo vriste, patjetër duhej ta “justifikonin me ligj” verdiktin e shtetit kriminal.
Edhe familjarët e “armiqve” të diktaturës i priste i njëjti fat. Fëmijëve u mjaftonte lidhja e gjakut me viktimat që regjimi të ndërmerrte kundër tyre të gjitha mizoritë, internimet nëpër kampet e punës, mohimin e të drejtës për t’u shkolluar, duke i detyruar që ta fitonin bukën e gojës vetëm në punët më të rëndomta pa asnjë perspektivë për të ardhmen.
Bijtë e “armiqve” të diktatorit kanë kaluar në lagerat dhe kampet e internimit gjithë jetën, fëmijërinë, adoleshencën, aty janë martuar e kanë lindur fëmijët e tyre që kanë patur të njëjtin fat si të prindërve, të lindur me të ardhme të djegur. Prej andej kanë dalë vetëm pas të ashtuquajturit rrëzimi i diktaturës në vitin 1991, tashmë mbi 50 vjeçarë e të moshuar, ndërsa edhe sot e kësaj dite vijon linçimi i tyre me etiketën që u vuri diktatori, si trashëgimtarët e “kolaboracionistëve”.
Si është më mirë: të jesh bir apo nip i nomenklaturës kriminale të diktaturës shqiptare, që për gati gjysmë shekulli ka ekzekutuar genocid ndaj popullit të vet, apo të jesh biri apo bija, nipi apo mbesa i atyre që i ka shpallur “armik” regjimi i egër stalinist i Enver Hoxhës!
A e meritojnë bijtë dhe nipat e nomenklaturës që edhe pas rrëzimit të sistemit diktatorial, që gjatë pothuaj 30 viteve tranzicion, të vazhdojnë e të gëzojnë të gjitha privilegjet si të etërve të tyre, në postet politike kryesore të shtetit, jo për meritat e tyre, as për vlerat e tyre personale, por thjesht si trashëgimtarët e nomenklaturës diktatoriale, duke i sfiduar rishtas viktimat, që i trajtojnë sikur etërit e tyre, pa ndërmarrë as aktin minimalist të dënimit të krimeve të komunizmit dhe kërkimit ndjesë ndaj të përvuajturve!
E rëndësishme është e vërteta historike, që shqiptarët nga bangat e shkollave më në fund të mësojnë historinë si ka ndodhur jo si është manipuluar për 75 vjet dhe vijon të manipulohet.
Këtë manipulim e ka imponuar klasa politike gjatë këtij tranzicioni gati prej 3 dekadash që është unifikuar me elitën e komprometuar me skeletë nëpër dollapë të superstrukturës komuniste. E theksoj këtë. Është mjerim kombëtar që gjatë këtyre 30 viteve megjithëse kemi mijra e mijra të rinj që kanë studjuar nëpër Universitetet më të mira të botës, frenat e shtetit shqiptar në të gjitha nivelet dhe qelizat, i mbajnë njerëz me lidhje shumë eksplicite me nomenklaturën diktatoriale, të cilët nuk janë konvertuar.
Në disa vende si Austri, Belgjikë apo Gjermani është krim mohimi i genocidit ndaj popullit hebre, ndërsa në Izrael, Portugali, Francë, Spanjë është krim mohimi i të gjitha genocideve apo krimeve kundër njerëzimit!
E pra në Shqipëri janë mohuar krimet e diktaturës që përbëjnë krime kundër njerëzimit!
Ata që kanë mohuar krimet e diktaturës në Shqipëri kanë kryer një akt të dënueshëm kriminal!
Gjithë klasa politike shqiptare gjatë këtij tranzicioni është fajtore, sepse i ka trajtuar viktimat e regjimit diktatorial me kutin e diktatorit!
Faji nuk është kolektiv, sipas sloganit “Bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”! Faji ka emra të përveçëm! Diktatura e retushonte historinë. Me gomë i fshinte personazhët e saj.
Gjatë këtyre 30 viteve post diktaturë kemi të dhëna të plota që në Shqipëri janë mohuar krimet e diktaturës dhe vijojnë të justifikohen të gjitha dënimet kapitale për ata që diktatura i ka dënuar si “armiq”, “kolaboracionistë” etj. Në fakt, minimi i sistemit demokratik ka nisur që në lindje të tij më 1991/1992. “Armiq” etërit! “Armiq” bijtë e etërve, që foshnje të dënuar të vdisnin nga urija nëpër kampet e vdekjes!
Ne jemi dëshmitarë se si historianët shqiptarë me satelitët e tyre deri në Perëndim u përpoqën të manipulojnë atë tragjedi kombëtare që ka ndodhur në Kampin e Tepelenës ku janë shfarosur jetët e të paktën 200 fëmijëve!
A nuk do të mjaftonte vdekja e 200 fëmijëve të pafajshëm, që drejtësia shqiptare të fillonte seriozisht hetimin e krimeve të diktaturës, jo të kafeve se sa ka pirë Nexhmije Hoxha me shokë, por të veprave kriminale që përmbushin kriteret për t’u konsideruar si krime kundër njerëzimit!
Këto rradhë po i shkruaj kur kam në dorë dokumenta që vërtetojnë se Kol Bib Mirakaj ka shpëtuar të paktën qindra jetë hebrejsh. Kol Bib Mirakajn diktatori Enver Hoxha dhe regjimi i tij e kish klasifikuar si “armik kuisling”, ndërsa të gjithë familjen për 45 vjet ia kishte përndjekur. Familja dhe fisi i ngushtë Mirakaj gjatë diktaturës gjysme shekullore ka përjetuar 950 vjet vrasje, hetuesi, burgje dhe internime. 950 vjet vrasje, hetuesi, dënime, internime, e përsëris! Një tjetër shembull i persekutimeve barbarike që kanë përjetuar familjet shqiptare është rasti tjetër i Familjes të Gjeneral Prenk Pervizi, i etiketuar edhe ky si “armik” i regjimit diktatorial. Trungu i kësaj familje ka vuajtur 482 vjet burgje, vrasje e internime, ndërsa fisi Pervizi 700 vjet burgje, vrasje dhe internime!
Si mund të flejë e qetë ndërgjegja kombëtare edhe 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës!
Shqiptarët do të kenë një ndërgjegje kombëtare të përlyer me krime nëse do të vazhdojnë të heshtin përpara të vërtetave tragjike që të këlthasin e presin të zbardhen!
Le të kthehemi tek Kol Bib Mirakajt, i cili jetoi në mërgim, në fillim në Itali e pastaj deri në fund të jetës në SHBA.
Vetëm ky fakt, që Kol Bib Mirakaj jetoi në Perëndim, do të ndikonte që historianët e Shqipërisë në periudhën e postdiktaturës të mbanin qëndrim serioz rreth së vërtetës.
Aq më tepër kur krimineli Enver Hoxha e kishte shpallur “armik” gjithë Perëndimin!
Në dokumentat që kam në dorë, të cilat kanë qenë gjithmonë në Arkivin e Shtetit por janë injoruar për 30 vjet tranzicion, Kol Bib Mirakaj, si Ministër i Brendshëm i asaj kohe, ndërsa pritej invazioni i Shqipërisë nga nazistët, ka qenë gjithmon në kontakt me institucionet qendrore e lokale, për largimin e organizuar të hebrejve nga Shqipëria për në Itali, me qëllim shpëtimin e tyre.
Në të gjitha dokumentat zyrtare të lëshuar me firmën e tij, shihet qartë kujdesi i qeverisë shqiptare dhe i ministrit të Brendshëm, që e mbulonte sektorin, ndaj hebrejve.
Në një dokument lexojmë:
“Mbretnija Shqiptare
Ministria e P.Të Mbrendëshme
Zyra Politike
Nr.9/104
Tiranë, më 12.VII.43
Prefekturës Durrës
Gjegje shkresës Nr.1361 i dt. 26.7.943
Izraeliti Nissam Aladjan mbasi të marrë leje për udhëtim prej autoriteteve ushtarake të lejohet me ardhë në këtë qëndër.
Ministri
(Firma)”
Në dy dokumenta të tjerë lexohet:
“Mbretinija Shqiptare
Ministria e P.Të Mbrendëshme
Zyra Politike
Nr.9/106
113/KM
Tiranë, më 20.8.1943
Telegram
Prefekturës Durrës
Përgjigje shkresës nr.1742 d.4 të vazhd.
Për sa na parashtroni, autorizoheni me lejua qi izraeliti Heskija Albehari të vijë në Tiranë.
Ministri
(Firma)
Mbretinija Shqiptare
Ministria e P.Të Mbrendëshme
Zyra Politike
Nr.1984
Tiranë, më 31.8.1943
Shkurtim: Pasaportë për Itali
Prefekturës Tiranë
Lutemi që të quejtunve Rafael Natam e Salomon Konforte me gjith familjet e tyne t’u lëshohet me’i herë pasaportë për ‘udhtues n’Itali.
Ministri
(Firma)
Në dokumentin që data nuk shquhet por që mendohet se duhet të jetë në prag të invadimit nazist Ministri Kol Bib Mirakaj orienton gjithë Prefekturat dhe Drejtorinë e Policisë të Përgjithëshme në Tiranë që të pajisin hebrejtë me pasaporta udhëtimi për në Itali:
Mbretinija Shqiptare
Ministria e P.Të Mbrendëshme
Zyra Politike
Nr.9/10
(Data nuk shquhet dot por duhet të jetë vjeshtë e 1943 në prag të invadimit nazist- shënimi im EB)
Telegram
Prefekturave
Drejtoris Përgjithshme Policis Tiranë
Lutemi të gjithë ebrejve nënshtetas shqiptar që kërkojnë pasaporta për Itali; t’u lëshohen pa u sjellë asnjë pengim për vehte dhe për familjet e tyre.
Të porositen Kuesturat qi të shkapërcejnë çdo formalitet, mbasi çështja ka rëndësi të veçantë politike.
Për vistim nga Delegacioni Italian t’interesumit kujdesen vetë.
Ministri
(dhe firma e tij)
Ndërsa në dokumentin që mban datën 1 shtator 1943 Kol Bib Mirakaj i kërkon Kryesisë të Këshillit të Ministrave që të marrin masa urgjente për largimin e menjëhershëm të hebrejve nga Shqipëria për në Itali, ku tashmë dihet se Aleatët kanë zbarkuar dhe e kanë çliruar Siqelinë, por dihet gjithashtu se edhe Musolini, me gjithë aleancën me Hitlerin, nuk pranoi të adoptonte ideologjinë genocidiale hitleriane kundër hebrejve.
Kol Bib Mirakaj vetë është kundër pushtimit nazist. Ai me figura të tjera Nacionaliste kanë bërë përpjekje të mbajnë lidhje me Aleatët, sikur bëhet fjalë edhe në dokumentin e Kolonelit britanik Neel që vepronte në terren. Sipas raportit të tij në anglisht ( R E P O R T ByW/CMDR. P.A.B. NEEL For the period 17th July, 1943 – 12, October, 1944) koloneli britanik dhe Kol Bib Mirakaj janë takuar në 30 prillin e 1943 në Iballë në kullën e Mirakajve. “Kol Bib Mirakaj”, shkruan Koloneli Neel, “që kishte treguar simpati të qartë për Forcat Aleate, britanikët dhe amerikanët dhe jo aq për rusët, kishte pasur dy kërkesa: 1. sigurimin e kufijve të Shqipërisë prej Aleatëve dhe 2. kushte që në Kosovë të mbahej një plebishit.”
Kol Bib Mirakaj ishte kundër nazistëve, komunistëve dhe rusëve. Pikpamjet e tij dhe atë fragment të historisë ku mori pjesë si pjestar dhe dëshmitar i saj, Kol Bib Mirakaj e ka treguar vetë në mënyrë kronologjike në librin e tij “Vetëvrasja e një kombi” të cilin e përfundoi në Frascati të Italisë në mars të 1951, duke e përmbyllur me apelitivin: “Vëllazën Shqiptarë – Atdheu asht në rrezik!”, libër që meriton vemendje të veçantë nga historiografia, elitat dhe opinioni i gjërë, jo vetëm se ndriçon në të vërtetën, por edhe për të nxjerrë mësimet e duhura prej tragjedive historike.
Nga dëshmitë që kemi në 30 prillin 1943 nga oficeri britanik dhe nga dokumentat që datojnë vitin 1943, armiqtë e Kol Bib Mirakaj ishin nazistët dhe komunistët. Kol Bib Mirakaj kishte të drejtë, sepse më 23 gushtin e vitit 1939, Hitleri dhe Stalini nënshkruan paktin e mossulmimit Molotov–Ribbentrop, kur ekstremi i zi dhe ekstremi i kuq bënë aleancën e djallit. Të mos harrojmë se nazizmi hitlerian dhe stalinizmi sovjetik dhe ai i llojit si Enver Hoxha me kompani i kanë shkaktuar botës qindra milionë viktima të pafajshme.
Përpara se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore, për hebrejtë gjermanë, (sikur për hebrejtë në të gjithë Europën), Gjermania, atdheu i tyre ishte kthyer në rrezik për jetën. Në këto kushte, ata detyrohen të braktisin pasurinë e kujtimet në atdheun e tyre dhe të marrin ikën për të gjetur strehë shpëtimi.
Në këtë kontekst historik (sepse prania e hebrejve në territorin e sotshëm të Shqipërisë daton prej vitit 70 të erës sonë – sipas Fjalorit Enciklopedik të ASHSH), hebrejtë kishin filluar të vinin në Shqipëri prej 1938, në fillim të mirëpritur si azilantë politikë prej Monarkisë Zogiste edhe më pas, prej qeverive shqiptare nën okupimin fashist, kryesuar nga kryeministrat Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Eqerem Bej Libohova, Maliq Bushati dhe Ibrahim Bej Biçaku. Këtë fakt të pakundërshtueshëm e vërtetojnë të gjitha dokumentat që flenë në Arkivin e Shtetit. Hebrejtë ishin të mirëpritur nga qeveritë shqiptare ashtu edhe nga popullsia. Hebrejtë vinin në Shqipëri mënyrë të organizuar apo si t’i diktonin rrethanat dhe vendoseshin po në mënyrë të organizuar nëpër qytetet dhe fshatrat shqiptare. Edhe kur vinin me dokumenta fallco qeveria shqiptare dhe popullsia i mirëpriste.
Për mikpritjen shqiptare nga binomi qeveri-popull ka treguar shumë herë sa ishte gjallë edhe Ëngjëlli Mbrojtës i Shqiptarëve Johanna Neumann, e cila erdhi fëmijë në vitin 1939 bashkë me familjen e saj e qendroi në Shqipëri deri më 1946. Johanna Neumann ka pohuar disa herë edhe për mediat shqiptare se “qeveria shqiptare e atëhershme ka punuar bashkë me popullatën për të shpëtuar hebrenjtë.” Zonja Neumann ka bërë të njëjtën dëshmi edhe për qeverinë shqiptare të kohës të pushtimit nazist, se “personat dhe familjet shqiptare që i strehonin hebrejtë nuk kishin frikë nga qeveria, pasi që ajo nuk i denonconte te nazistët”, dhe se “zyrtarët shqiptarë, përmes improvizimeve të ndryshme kishin bërë fshehjen dhe shpëtimin e refugjatëve hebrej.”!!!
A do të mjaftonte ky fakt, që emrat që i kanë përbërë ato qeveri, emra patriotësh, që kishin nënshkruar edhe dokumentin e Pavarësisë të Shqipërisë, të mos pushkatoheshin, të mos e kalonin jetën në egzil apo familjet e tyre t’i shpëtonin persekutimit gjysmë shekullor nga ferri komunist?
Në kohën kur Kol Bib Mirakaj ishte ministër i Brendshëm, kryeministër i Shqipërisë qe Maliq Bushati, i pushkatuar nga diktatura, pa varr. Nëna ime që është rritur në Tiranë në familjen e Banush Hamdi Begos, më ka treguar se mik i ngushtë i kësaj familje ishte Maliq Bej Bushati i cili i kish mësuar nënës time fëmijë tabelën e shumëzimit ende pa mbushur moshën e shkollës. Në prag të përfundimit të luftës, nëna ime rreth dhjetë vjeç e kujtonte gjithmonë, se kur miqtë i luteshin Maliq Bej Bushati që të largohej nga Shqipëria, ai përgjigjej, “po përse të ikë, unë nuk kam vrarë askënd”. Përkundrazi është një nga emrat që kanë shpëtuar jetët e qindra hebrejve.
A nuk meriton e vërteta të shkruhet ashtu sikur është ?!
Po ata që pas rrëzimit të diktaturës kanë injoruar krimet e diktaturës dhe janë fokusuar tek “krimet e armiqve” të Enver Hoxhës çfarë meritojnë ?
Në një shtet të së drejtës të formatit Perëndimor si do të veprohej ?
A kanë mbetur në Shqipëri shqiptarë me dinjitet, pa marrë parasysh pikpamjet politike, që t’i thonë të vërtetat sikur janë!
Ëngjëlli Mbrojtës i shqiptarëve Johanna Neumann sa ishte gjallë i tregoi botës Perëndimore se moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët përmes Besës, konstitucionit të tyre shpirtëror, pasi ata, Shqiptarët ishin të gatshëm të jepnin jetën por assesi t’i dorëzonin hebrejtë tek nazistët.
Dokumentat e shkruar nga Kol Bib Mirakaj, si Ministër i Brendshëm gjatë verës dhe fillim vjeshtës të vitit 1943, tregojnë se mbrojtja e hebrejve ishte institucionale.
Shqipëria e asaj kohe, kur Kol Bib Mirakaj u drejtohej institucioneve shtetërore, që kishte rreth një milionë banorë dhe strehonte rreth 1000 hebrej sipas të dhënave të Fjalorit Enciklopedik, të botuar nga ASHSH, 2008, por ka burime, si Faik Quku, autori i librit “Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore” që thotë se në Shqipëri asaj kohe gjendeshin rreth 2000 hebrej.
Qeveria shqiptare gjatë pushtimit fashist në Shqipëri nuk përbënte rrezik për hebrejtë, përkundrazi, i mbronte, i strehonte, i pajiste me dokumenta dhe nuk kemi asnjë rast që të ketë ndodhur e kundërta.Vetë Kol Bib Mirakaj nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me pushtuesit nazistë, megjithëse i kishin ofruar poste, sikur e pohon edhe oficeri britanik Neel. Kol Bib Mirakaj dëshironte që Aleatët të shpëtonin Shqipërinë nga nazizmi dhe komunizmi. Kol Bib Mirakaj kërkon unifikimin e forcave Nacionaliste në luftë kundër okupatorit nazist.
Shqetësimet e Kol Bib Mirakajt në vitin 1943 ishin shpresa për mbështetjen e forcave Nacionaliste shqiptare nga Aleatët për të luftuar kundër nazizmit dhe shpëtimi i hebrejve. Por lidhjet e komunistëve shqiptarë me Stalinin bënë që Aleatët, Amerikanët dhe Anglezët t’i braktisin forcat Nacionaliste shqiptare. Këtë mospërgjegjshmëri Aleatët (Amerikanët dhe Britanikët) do ta paguanin menjëherë, sepse diktatori Hoxha, sapo mori pushtetin, i dëboi nga Shqipëria si të padëshiruar dhe nga ana tjetër burgosi e pushkatoi mijra shqiptarë të pafajshëm si “bashkëpunëtorë të amerikanëve dhe britanikëve”, duke përndjekur edhe familjet e tyre!!!
Ndërsa Kol Bib Mirakaj dhe qeveria shqiptare e kohës ia arriti qëllimit. Asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve!
Kur Kol Bib Mirakaj emigroi në Itali, hebrejtë që i kishte mbështetur ia kthyen me mirënjohje atë që ai kishte bërë për ta. Në librin e tij Faik Quku shkruan: ““Hebrenjtë në Romë i dhuruan dy shkopinj (bastunë) me pjesë qelibari si shenjë kujtimi të mirënjohjes së tyre të paharrueshme. Një shkop (bastun) ishte i zi e tjetri bojë kafe. Kush e ka pa Kolë Bibën tue ecë me nji shkop (bastun) duhet ta dijë se ishte po i njajti që ja kishin dhurue në Romë hebrenjtë. Nuk ka pasë kurrë tjetër dhe me të ka ecë deri në fund të jetës së tij.”
Por bashkë me Kol Bib Mirakajn, të mos harrojmë edhe ata shqiptarë të tjerë, si Maliq Bushati me shokë, të cilët Enver Hoxha i vrau, të cilët po ashtu i kanë kontribuar shpëtimit të hebrejve
Mbrojtja e hebrejve nga shqiptarët është tipari humanist i kombit, padyshim edhe krenari kombëtare.
Për atë akt human, shumë familje shqiptare sot janë nderuar nga Izraeli dhe emrat e tyre ndodhen në Yad Vashem.
Po a ka ardhur koha që në Yad Vashem të vendosen edhe emra të tjerë, sikur emri i Kol Bib Mirakajt me shokë, për të cilët dëshmonte Johanna Neumann, se “qeveria shqiptare dhe populli shqiptar ishin në unison për t’i mbrojtur dhe dhënë strehë hebrejve”. Por mos harrojmë se qëndrimi i qeverisë do të ishte vendimtar!