Albspirit

Media/News/Publishing

Në Ambasadën e Shqipërisë në Bruksel, pasdite leximi në gjuhën shqipe  

Image may contain: 12 people, including Viktor Zhusti, people smiling, people standing, shoes and indoor

Eden Babani, Bruksel

Ambasada e Shqipërisë në Bruksel organizoi një pasdite letrare “Një orë leximi në gjuhën shqipe”, duke iu bashkuar nismës së Ministrisë së Kulturës “Tetori i librit”. Ishin të ftuar një grup intelektualësh shqiptarë me banim në Bruksel, njëherësh autorë librash dhe veprimtarë të bashkësisë sonë të këtushme. Ishte e pranishme edhe një përfaqësi e Ambasadës së Republikës të Kosovës me ambasadorin Bernard Nikaj-Ambasador dhe me zonjën Jetmira Berdynaj – Shala, Konsulle.

Me angazhimin e drejtpërdrejtë të zonjës Lea Kallogjeri – Frashëri, Ministre Fuqiplotë, pasditja u zhvillua në mjediset e Ambasadës. Veprimtarinë e udhëhoqi vetë Ambasadorja, zonja Suela Janina, e cila përshëndeti të pranishmit në emër të Përfaqësisë Shqiptare pranë Mbretërisë së Belgjikës dhe BE-së.

Në fjalën e saj përshëndetëse, zonja Janina falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen e tyre në veprimtari, duke i cilësuar ata si “miqtë më të nderuar të Ambasadës”. I falënderoi gjithashtu edhe për gatishmërinë për të lexuar copëza nga veprat e tyre. Libri është miku më i mirë që i mbetet njeriut përjetësisht, tha zonja Ambasadore. Në vijim, ajo i ftoi autorët që të kontribuojnë për pasurimin e bibliotekës “së varfër” të Ambasadës, duke dhuruar sipas dëshirës një ose disa prej veprave të tyre poetike,  letrare ose publicistike. Të pranishmit iu përgjigjën kërkesës unanimisht.

Më në fund, përpara sesa t’ua jepte fjalën të ftuarve, zonja Janina recitoi poezinë e të ndjerit Fatos Arapi:  “Atdheu”: Atdheu është dhimbje, është dhimbje / Një prill i pikëlluar në shpirt / Atdheu është kryqi, është kryqi / E mban – dhe të mban ty në shpirt…/ …Atdheu yt i vogli , i vogli / ai hyjnori i pavdekshmi si loti./

S’ma kishte marrë mendja që një diplomate e karrierës, recitonte aq bukur e me pasion. Jo për fajin tim, por për faj të do diplomatëve që edhe shqipen e flasin çapraz. E përgëzova përzemërsisht recituesen e talentuar, të cilën e kisha përbri.

Sipas një radhe aspak të përcaktuar, autorët e pranishëm lexuan nga pesë minuta secili.

Siparin e hapi poetja Bajame Çeliku – Hoxha, e cila recitoi poezinë dystrofëshe “Kjo natë”, kushtuar bashkëshortit të saj, i cili ka ndërruar jetë në moshë të re. E mbajta mend titullin e poezisë së Bajames, jo vetëm për emocionet që përjetoi poetesha gjatë recitimit (sa të gjata m’ u dukën ato dy strofa katërvargëshe!…), jo vetëm për mjekrën që i dridhej dhe për dy pika loti që iu varë faqeve, por edhe sepse të shoqin e pata njohur këtu, në Bruksel. Kanë qenë që të dy të internuar moçalishteve të  Myzeqesë.

Nuk pata as mundësi, as kohë të shënoja qoftë edhe tituj e poezive a të copëzave letrare që u lexuan më pas. Nuk mund të mos dëgjoja i përqendruar me vëmendje. Në të tilla kushte, po jap vetëm emrat e tyre, sipas radhës.

Të  dytit, pas Bajames, më erdhi radha mua. Pas meje, Luan Dode, Jetmira Berdymaj – Shala, Jorgji Kote, Shqiponja Duro, Shqipe Kaçiu (Lola), Lek Pervizi. Siç duket, Pervizi mbeti i fundit, pasi recitimin ua “delegoi” dy aktoreve Anial e Sonila, të  cilat m’ u duk se e qëndisën mjedisin e ngrohtë.

Në fund, një fotografi “e familjes” mbylli veprimtarinë.

* * *

Që të mos e lë fare “pa bisht”, për shkak se, siç thashë, nuk mund të citoj tjetërkënd në mungesë të materialeve, po sjell në vijim copëzën që lexova unë, shkëputur nga libri im publicistik “Rrëfime të bashkëkohësisë. Është hyrja e tekstit titulluar “Në Kosovë, mes vëllezërish”.

Image may contain: 5 people, people sitting, table and indoor

Ëndrra të fëmijërisë

Qysh se u njoha së pari me emrin Pejë, ëndërrova të bridhja, të luaja e të çirrja  gjunjët një ditë rrugëve të atij qyteti qindra kilometra larg vendlindjes sime, Korçës, por që, siç i përfytyroja nga një fotografi, s’u linte gjë mangët rrugëve të qytetit tim. Më pas, dëshira për të vizituar Kosovën e ndarë përdhunshëm nga trupi i atdheut, s’ më është ndarë kurrë.

…Isha në klasën e tretë të fillores. S’mbaj mend, ishte ora e këndimit (e leximit) apo kishim filluar si lëndë më vete gjeografinë dhe historinë. Tema ishte për prefekturë e Pejës. Mësuesja Mesaret më ngriti në mësim… Më kanë mbetur në kujtesë sot e kësaj dite lavdërimet e saj:

– Të lumtë! – tha, duke më përqafuar e duke më përkëdhelur faqesh. – E ke mësuar në mënyrë “shembullore”. Mos harro se njeriu duhet ta njohë anekënd Atdheun e vet.

Jo shumë kohë pas atij lavdërimi të merituar, sado që kërkova në librat e gjeografisë të klasave më të larta, prefekturën e Pejës nuk e gjeta. Nuk e gjeta as prefekturën e Prishtinës, as të Gjakovës, as të Dibrës…

Më tepër se sa porosi e mësueses Mesaret, shtysa ishte dëshirë e pafaj fëmije, ndoshta për lavdërime të tjera nga mësues të tjerë. Mirëpo, një dorë e panjohur, të cilën as e kisha parë, as e merrja dot me mend çka ishte, i kishte hequr nga librat ato fletë me ata emra aq të familjarizuar të fëmijërisë. Kishte zhdukur edhe fotot me pamje që i ngjanin lagjes sime në Korçë. Pamjet me xhami e minare si ajo në qendër të Tiranës, me rrugica të ngushta si ato të Kavajës, me pazarin që s’i linte gjë mangët atij të Krujës, me jelekët e pleqve Peqinas a me qeleshet borë të bardha të malësorëve. Ngricat e diktaturës kishin hyrë pa pritur e pa kujtuar në librat shkollorë. Ato po i akullonin pa mëshirë edhe ëndjet fëmijërore të brezit tim.

Mirëpo njeriu, nuk mund të vërë bast për të ardhmen. Askush s’ mund ta dijë çka i fsheh ajo. Dhe ja, erdhi një ditë e ngricat e viseve siberiane u shkrinë prej erërave atlantike. Golfstrimi doli më i fortë nga sa pata mësuar në shkollë. Pas gjysmëshekulli a më shumë, m’ u dha rasti të ripërtërija ëndrrat e dikurshme. Dëshirat për të njohur ato vise të ëndërrimeve fëmijërore, do ti jetësoja pas dhjetëvjeçarësh.

Çunaku i miklimeve të mësueses së dashur Mesaret do të përjetonte, tashmë si gazetar, hyrjen lavdiplotë të përmendores së Skënderbeut, mu në zemër të Kosovës, në Prishtinë. Madje, do të përjetonte gjithë atë pritje madhështore që iu bë Legjendës sonë Kombëtare, nga Qafa e Morinës, në rrethinat e Prizrenit, në rrugët e Suharekës a të Rahovecit…

Ishte vizita ime e parë në Kosovë, atë janar me ngrica e me dëborë të vitit 2001. Ende pa u zhdukur gjurmët e luftës, Skënderbeu do të ngazëllente sërish Kosovën pas kaq e kaq vitesh. Bashkë me të gjithë ata që e shoqëronin dhe ata që kishin mbushur rrugët, ai do të ngazëllente edhe miliona shqiptarë, shpërndarë sa në vendlindje, aq nëpër botë. Krenaria jonë Kombëtare do të vendosej madhërishëm në Piedestalin e Lirisë një me Heroin hipur mbi kalë, me përkrenare e me shpatë  zhveshur shqiptarisht. E kishin marrë përsipër veprën e lënë në mes stërnipërit e tij: Presidenti i paharruar Rrugova, Adem Jashari e trimat e UÇK-së, Kosova e martirizuar, gjithë shqiptarët anekënd trojeve etnike e më tej…

A do të më kishte shkuar ndërmend, vallë, një rast më i lumtur se ky, për të mbushur atë zbrazësi të ftohtë e të frikshme që më kishte shkaktuar dikur zhdukja e atyre emrave dhe fotove nga libri i gjeografisë?

Mirëpo, ja që një ditë prej ditësh, ëndrra bëhet zhgjëndërr. Zhgjëndrra troket në dyert e së ardhmes, duke lënë pas mesazhin: “Mos e harroni të shkuarën! Ajo mund edhe të përsëritet. Madje me një spirale në ngjitje…”.

Please follow and like us: