QYTETI I PUKËS PAS 25 VITESH MUNGESË, PREK MAGJINË E EKRANIT TË MADH NË AKTIVITETIN KINEMATOGRAFIK ‘NETËT E KINEMASË EVROPIANE’
Albert Z. ZHOLI
Rrugëtimi i aktivitetit Kinematografik “Netët e Kinemasë Evropiane” lë pas qytetin e Kuçovës për të vazhduar me qytetin e Pukës. Puka njihet si qyteti alpin dhe mjaft mikpritës. Vitet e fundit ka pësuar një ndryshim rrënjësor. I rrethuar nga malet dhe në anë të tij gjen liqenin e bukur. Shquhet për ajrin e pastër dhe kurorat e pishave që ende janë të paprekura. Kryetari i Bashkisë Pukë Gjon Gjonaj, i apasionuar pas artit dhe kulturës e priti me kënaqësi zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm Kinematografik. Ashtu si në shumë qytete të Shqipërisë ku mungon kinemaja edhe në qytetin e Pukës, ekrani i madh i kinemasë do të jetë një risi pas një mungese të gjatë për më shumë se 25 vite. Ai do të zhvillohet nga data 30 Tetor deri në datën 1 Nëntor 2019 në Qendrën Kulturore. Nata e parë, do ti kushtohet kinemasë Shqiptare me projeksionet e fundit për fëmijë dhe të rritur. Do të kemi para dite shfaqje ekstra për shkollat e qytetit, falas, duke i sjell gëzim fëmijëve dhe rinisë me ekranin e madh të kinemasë. Do të jenë të ftuar special, si dhe këngëtar që do të performojnë para ekranit të madh të kinemasë si Eranda Libohova, Miranda Kullani, Kristina Ndoja etj. Si gjithmonë ai do të prezantohet nga e mirënjohura Silvana Braçe. Qyteti i Pukës, parajsa e mikpritjes dhe aventurës, për 3 net rresht do të përjetoj bukurinë e ekranit të madh që do të përcjellë magjinë e kinemasë Evropiane. Hyrja do të jetë falas për të gjithë. Kjo është nismë e Mjeshtrit të kinemasë Skënder Jaçe i cili ka vite që rizgjon kinematë e të gjithë Shqipërisë. Me intuitë e tij, me vizionin e tij, ai është munduar me plot pasion të përcjellë në qytetet më jugorë dhe më veriore të vendit, atë çka u mungon për 30-vjet magjinë e kinemasë masive të ekranit të madh. Sipas tij kurrsesi televizioni nuk mund ta ketë magjinë e ekranit të madh ën sallë. Amerika dhe gjithë vendet e zhvilluara kinematë i kanë primare në jetën kulturore të çdo qyteti. Në shtetet e mëdha kinemaja. Ekrani i madh është i pazëvendësueshëm, pasi magjia e tij mbetet me efektet e saj të ditëve të para të lindjes. Qytetarë Pukianë Ju mirëpresim!