Mentor Kikia: Njerëzit më të varfër të Europës, në mëshirën e kapitalizmit më barbar të Europës!
Shqipëria, vendi më i varfër në Europë, ku jetesa e shumicës së popullsië nuk varet fare nga qeveria, por nga mënyra primitive e mbijetesës, i është dorëzuar kapitalizmit më të egër e më të korruptuar në Europë. Njerëzit e varfër, që kanë aq shumë nevojë për ta pasur shtetin si partner, janë lënë në mëshirë të njerëzve më të pasur, të korruptuar e të pamëshirshëm, në etjen e tyre për tu pasuruar çdo ditë e më shumë. Me ndihmën e qeverive, këta përbindësha janë lëshuar si bisha mbi çdo pasuri të natyrës, që na përket të gjithëve. Kanë marrë bregdetin, naftën dhe minierat, portet dhe aeroportet, rrugët dhe lumenjtë. Po shkaterrojne te sotmen tone dhe te ardhmen e atyre qe do te vijne pas nesh. Në vendin e njerëzve më të varfër të kontinentit, gjithëcka i është dorëzuar privatit. Nuk është një sistem kapitalist, por një barbari ekonomike, ku të gjithë ata që zotërojnë pushtetin politik dhe paranë, janë në garë për të zhvatur. Njerëzit e thjeshtë nuk janë njerëz. Një herë në katër vjet ata janë “sovrani” i bandës së politikës që voton, dhe katër vjet me radhë janë thjeshte konsumatorët e bandës së oligarkisë.
Tashmë po marrin çdo rrëke uji që rrjeth prej mijëra vitesh në përrenj. Duan të pasurohen edhe nga përroi që ushqen njerëzit dhe bagëtitë në gryka malesh. Nuk ka më as arsye, as mëshirë, as drojë, as frikë, Nuk ka asgjë! Njerëzve të thjeshtë s’u mbetet gjë tjetër veçse të luftojnë për të mbijetuar.