Xhoi Jakaj: Në vend të burgjeve, Shqipëria ka nevojë për shkolla dhe institute riedukimi
Në Shqipëri është shtuar pafund përdorimi i hashashit dhe drogërave të ndryshme nga minorenët dhe të rinjtë.
Në këto kushte është e domosdoshme që të hapen shkolla riedukimi për të rinj që abuzojnë me lëndët narkotike dhe kanë tendenca të kthehen në hajdutë dhe vrasës, ndryshe ky vend pas 5 vitesh do kthehet në problem të madh social dhe do mbushet me kriminelë serialë.
Përpos tyre duhen edhe mësues dhe psikologë që t’i ndjekin në përditshmërinë e tyre!
Një nga problemet me të cilat përballet shoqëria, jo vetëm shqiptare, por edhe ajo globale, janë mënyrat me të cilat ne ballafaqohemi me njerëzit devijantë, pra me njerëzit që kanë sjellje ndryshe, siç është rasti edhe i adoleshentëve e të rinjve të dhunshëm.
Në vendin tonë mungojnë shkollat e riedukimit dhe mënyra e vetme që të rinjtë e adoleshentët të vuajnë dënimin e tyre është burgu.
Si një për drejtueseve të një IEVP që shikoja shumë të rinj në burg, ku jo në pak raste të denoncuar edhe nga familjet e tyre për shkak të dhunës sistematike që i riu ose e reja ushtronte e jeta e tyre familjare kthehej në makth, familjarët detyroheshin t’i denonconin fëmijët e tyre me shpresë se një ditë do përmirësoheshin e do ndryshonin sjellje me prindërit.
Por, a ndodh përmirësimi? Aspak, përkundrazi bëhen më keq dhe jeta tyre merr kah krejt tjetër.
Jam përballur disa herë me prindër që denonconin fëmijët e tyre, sepse nuk ka siguruar shteti një shkollë riedukimi që këta të rinj problematikë t’i drejtojnë në këto dyer për t’u riedukuar dhe rehabilituar.
Institucionet shtetërore, përgjegjëse për edukimin social në këtë vend, të formojnë dhe rregullojnë me ligj shkolla riedukimi.
Dua t’i bëj një thirrje shtetit shqiptar për nevojën e këtyre shkollave të riedukimit, sepse ka mësues pafund në pritje të një punësimi dhe ata do jenë shumë të dobishëm, nëse këto kapacitete shfrytëzohen në dobi të kësaj kategorie.
Një i ri, një adoleshent që prek dyert e një burgu nuk rehabilitohet, por ndryshon përgjithnjë jeta e tij dhe nuk ka asnjë shans të integrohet në shoqëri pas traumës që përjeton në dyert e një burgu dhe kur del nga ato dyer në shoqëri, nuk i ofrohet asgjë. As punë, as jetë të rregullt dhe përsëri kthehet në recidivist (përsëritës).
Përkundrazi, shpesh vetë elementet që janë shokët e tij të dhomës e ditës gjatë vuajtjes së dënimit e orientojnë të kthehet në vrasës me pagesë, apo hajdut i rëndomtë rruge ose profesionist për mbijetesë.
Ka psikologë pa fund, të cilët kanë të mbaruar shkollat që kapacitet e tyre sociale e psikologjike të përdoren për të rehabilituar këta të rinj, që për njëmijë e një arsye në këtë vend prekin dyert e një burgu dhe e kalojnë ditën në shoqëri të të rriturve, që kanë shumë eksperiencë negative për të ua induktuar lehtë të keqen.
Sa nuk është vonë, shpëtoni të rinjtë shqiptarë, por kjo rregullohet vetëm me politika social-psikologjike nga shteti, duke ngritur shkollat e riedukimit dhe duke i edukuar me mësues, psikologë dhe sociologë, që i mësojnë, edukojnë dhe bindin të lenë rrugën që ata po ndjekin. Jo me burgje dhe policë që i ruajnë brenda hekurave të ftohta në shoqërinë e më të rriturve të cilët mund edhe të jenë kriminelë të regjur e sprovuar me lloj- lloj bëmash e historish të denja për filma.