Deputetja e PS Tatjana Piro Nurçe, mesazh sensibilizues në parlament për gratë dhe vajzat
Muaji Tetor është muaji ndërkombëtar i sensibilizimit për kancerin e gjirit. Krahas aktiviteteve sensibilizuese të organizuara në nivel kombëtar, deputetja e Partisë Socialiste, Tatjana Piro Nurҫe, në seancën parlamentare të datës 28 Tetor 2019 zgjodhi të flasë për këtë kauzë, duke u bërë thirrje të gjitha grave dhe vajzave t’i kushtojnë vëmendje e të kujdesen për shëndetin e tyre.
Më poshtë fjala e deputetes Tatjana Piro Nurҫe, në parlament
Fjalën time sot, do t’ia dedikoj gruas, nënës dhe vajzës shqiptare. Qenia e gruas është një forcë e pashteruar, një vlerë për familjen, komunitetin dhe shoqërinë. Muaji Tetor është muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një kauzë shumë e rëndësishme, e cila na prek të gjithëve. Beteja pa dyshim është e vështirë, është dhimbshme, e lodhshme, por fitorja e saj nuk është e pamundur.
Sipas statistikave, kanceri i gjirit ka ardhur në rritje në Shqipëri, ku për ҫdo vit kemi 600-650 raste të reja që diagnostikohen nga kjo sëmundje. Është e rëndësishme të evidentojmë se pasja e një familjari me kancer është një sprovë dhe një kosto për të gjithë familjen.
Sot, ne kemi mundësuar mbulimin 100% me medikamentin Herceptinë për të qenë më pranë nevojave të familjeve të prekura nga kjo sëmundje. Parandalimi është një hap larg vendbanimit tonë, sepse përmes mamografisë së lëvizshme, që prej vitit 2015, shërbimi ofrohet pranë komuniteteve dhe qendrave të banimit, duke i krijuar mundësi ҫdo gruaje të kontrollojë shëndetin e saj.
Si zëri i bashkëqytetarëve të mi, dua të përmend disa nga investimet që janë bërë në qytetin tim, në Lushnje, për Sektorin e Shëndetësisë gjatë periudhës 2018-2019. Synimi i këtyre investimeve ka qenë t’i ofrojmë komunitetit një shërbim sa më cilësor për qytetarët tanë. Kështu, po përmend investimet që janë bërë në Qendrat Shëndetësore Kolonjë dhe Grabian gjatë vitit 2018 dhe Qendrat Shëndetësore Karbunarë, Ballagat e Krutje gjatë vitit 2019, investime këto të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Dua të theksoj investimet për Poliklinikën Qendrore të qytetit te Lushnjes, e cila është rindërtuar dhe pajisur me aparatura moderne. 186 mijë banorë të qytetit të Lushnjes do të përfitojnë shërbim shëndetësor cilësor nga ky institucion shëndetësor.
Ky është një investim me vlerë rreth 900 mijë euro, që u realizua nga Qeveria Zvicerane nëpërmjet projektit HAP, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Përpos investimeve të lartpërmendura, dua të shtoj se për një shërbim shëndetësor sa më efikas në rrethin e Lushnjes, janë të rëndësishme:
- Rikonstruksioni total i spitalit ‘Ihsan Ҫabej’ në Lushnje.
- Vendosja e Kabinetit të Imazherisë pranë shërbimit ambulator të rrethit të Lushnjes.
- Rritja e funksionimit dhe kapacitetit të laboratorit pranë shërbimit ambulator të rrethit Lushnje.
- Pajisja me mamografi stacionare për të nxitur sensibilizimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit te gjirit.
Sot është 28 Tetor, fundi i një muaji kulminant i të gjitha përpjekjeve, politikave, diskutimeve që ne bëjmë në ҫdo kohë të vitit për shëndetin e mirëqenien e ҫdo gjenerate, sepse pa dyshim të gjithë meritojmë të trajtohemi me dinjitet e të marrim shërbim shëndetësor si pjesë e programeve të projektuara për këtë qëllim.
Prandaj unë i bëj thirrje të gjitha nënave, grave dhe vajzave t’i kushtoni fare pak kohë nga dita juaj, kontrollit të shëndetit tuaj. I bëj thirrje bashkëshortëve që të jenë një mbështetje dhe njëkohësisht nxitje për këtë proces, sepse kjo është një sfidë e përbashkët për familjen, komunitetin dhe shoqërinë e që reflektohet me maturi e përgjegjësi tek ne si politikëbërës.
Të nderuara kolege, nëna, gra, vajza.
Ju lutem, të merrni sot një moment nga dita juaj, paraqituni pranë qendrës shëndetësore, përgjigjuni ftesës për të bërë mamografinë dhe jepini vetes një shans më shumë për të jetuar!
Gruaja është gjysma e botës dhe gjysma tjetër është pjesë e edukimit të saj…