Albspirit

Media/News/Publishing

Andi Bushati: Putinistët që klithin për rrezikun rus

Të gjitha nismat e Edi Ramës për t’i shpallur luftë ariut rus janë një përpjekje për të maskuar thelbin putinian të regjimit të tij.

Kështu ka ndodhur edhe këtë rradhë kur socialistët po dorëzojnë një rezolutë në parlamentin e kontrolluar prej tyre kundër ndikimit të Moskës në zgjedhje dhe në media.

Eshtë pak të thuash se një nismë e tillë duket qesharake në një vend ku pro amerikanizmi dhe dëshira për Europën kanë trajtat e dogmës religjioze që nuk vihet në diskutim.

Eshtë absurde të pretendosh se në një mjedis ku mund të etiketohesh si anti amerikan, qoftë edhe po nuk re dakord me një politikë të një administrate të caktuar, apo qoftë po përqeshe një deklartatë të ambasadës lokale; pra, në një ambjent ku edhe po shtrove pyetjen naive: “a është destinacioni ynë i pakthyeshëm Brukseli”, të shohin si UFO, s’ka shanc të zërë rrënjë fara e mbjellë nga Moska.

Duhet thënë troç: Në Shqipëri, ndryshe nga shumë vende të rajonit tonë, nuk ka shkaqe për alarm nga rreziku rus.

Por, fakti është se tre katër vitet e fundit pushteti po e bën këtë lojë sa herë gjendet në vështirësi.

Ajo filloi të artikulohet më me forcë që kur opozita ndërmori aksionin e fortë me ngritjen e çadrës.

Ajo u shpu në absurd, kur propaganda e Rilindjes, në vend që të merrej me shkeljen apo jo të ligjit për financimin e partive nga Lulzim Basha, për të paguar lobistët e tij në Uashington, krijonte tymnajën e njerëzve të Kremlinit, që fshiheshin pas llogarive off shore.

Skema qe gjithnjë naive. Zakonisht gjendej ndonjë reporter palaço i ndonjë televizioni kombëtar, i cili pa fakte apo prova raportonte për shqetësimin e shërbimit sekret për rrezikun rus, dhe pastaj pandehma e hedhur në treg i shtrohej Ramës në formën e pyetjes, duke i lënë kryeministrit mundësinë të aludonte se dihet që Moska nuk e do zgjerimin e NATO-s dhe BE.

Në raste të tjera, debati hapej pas sjelljes prej servili të zellshëm apo aleati të bindur, që Tirana zyrtare tregon ndaj vendeve të mëdha perendimore. Rasti flagrant i agjentit të dyfishtë rus, Sergey Skripal, i cili u helmua në Londër së bashku me bijën e tij, u shoqërua me dëbime masive diplomatësh nga Shba, Anglia, Kanadajë e disa vende të BE. Pas nuk mbeti as qeveria Rama, e cila zbuloi dy agjentë të rrezikshëm rusë në Tiranë.

Episodi më grotesk është ai i momentit kur pas djegjes së mandateve të opozitës në kuvend, PS organizoi një fushatë masive dorëzimi tesrash të anëtarëve të LSI-së. Dhe teksti që u ishte shkruar në zyrat e Rilindjes, atyre derdimenëve barrkderrë e kokëtrashë, që i ishin bashkuar Ilirit e Monikës për të bërë ndonjë plaçkë, qe: “po largohemi nga LSI, se ajo i shërben interesave ruse”.

Mjaftojnë këto raste për të kuptuar se sa banale është retorika me frikën e rrezikut rus në Tiranë. Kjo çështje shpesh herë serioze dhe me peshë për vendet tona fqinje, këtu është banalizuar në një thashethem kafenesh për politikat e ditës.

Dhe natyrisht ajo ka arsyen e saj. E cila ndryshe nga sa është thënë, nuk ka të bëjë as vetëm me demonizimin e opozitës dhe as vetëm me një shantazh të butë që Tirana mund ti bëjë aleatëve të saj perendimorë.

Mbi të gjitha ajo po përdoret për të maskuar modelin e pushtetit që po ushtrohet në Tiranë. Mjafton të lexosh tekstin e projekt rrezolutës të paraqitur në kuvend për të kuptuar më shumë.

Aty në disa paragrafë me radhë theksohet se ndërhyrja ruse rrezikon të polarizojë opinionin, të shtojë gjuhën e urrejtjes, të minojë demokracinë, të zbehë besimin në proceset demokratike, të dëmtojë liritë e të drejtat e njeriut, e kështu me radhë.

Po ti analizosh ato, janë të gjitha karakteristika që i prekim përditë, e që të bëjnë të mendosh se virusi i Moskës, tashmë e paska infektuar krejtësisht qeverisjen e Tiranës.

Në fakt ato janë shenja të regjimeve iliberale kudo në Europë. Pikërisht të atyre regjimeve nga Budapesti në Varshavë, që dhunojnë opozitën, nëpërkëmbin drejtësinë, akumulojnë pushtetin ekonomik dhe ndrydhin atë mediatik. Janë pikërisht këto vende të ish lindjes komuniste, që ngjajnë sot më shumë me modelin putinian të drejtimit, sesa me shembujt që na vijnë nga perëndimi.

Në krahasimin mes dy tipologjive, ajo që ka bërë Rama në Shqipëri i ngjan më shumë të parës sesa së dytës.

Por, ndryshe nga Orbani, apo Kazinski kryeministri ynë trembet ta shprehë hapur këtë. Ai do të shfaqet 100% pro perendimor.

Për këtë ai bën rezoluta ku bërtet që mos prekemi nga virusi rus. Për këtë ai propogandon rrezikun që vjen nga Moska.

Në këtë kuptim, ai i ngjan hajdutit që klith: kapeni hajdutin.

Prandaj sa herë e dëgjojmë Edi Ramën ti shpallë luftë ariut rus duhet të shohim pas saj, një përpjekje për të maskuar thelbin putinian të regjimit të tij./lapsi.al

Please follow and like us: