Albspirit

Media/News/Publishing

Denisa Daka: Punëdhënësit që kërkojnë marrëdhënie seksuale në këmbim të pagës!

Një vajze e re, pothuaj në moshën e vajzës sime, ishte shantazhuar prej muajsh nga punëdhënësi i saj. I duhej të studionte e të punonte njëkohësisht, pasi familja nuk mund ta suportonte financiarisht. Më tregoi se jo për të parën herë ishte shantazhuar nga punëdhënësi i saj, baba i tre fëmijëve, ndërsa ky i fundit i kërkonte pareshtur që krahas punës duhet të plotësonte dhe dëshirat e tij seksuale për të mund të siguruar pagën aty. Ky makth kishte zgjatur për disa muaj radhazi ndërsa e reja kishte vendosur pas kësaj të braktiste vendin e punës, mundësinë për të mbijetuar e vetme këtu në Tiranë sakaq. Kërkoi të niste një proces gjyqësor kundra punëdhënësit të saj, por pasi u njoh me procedurat që do të ndiqeshin kundra tij, e frikësuar nga pasojat u tërhoq të vijonte betejën ligjore, bërë një grusht përballë meje, nga hutimi e dhimbja bashkë.

Dhjetëra mesazhe të printuara nga telelefoni i saj për këtë qëllim i digjnin duart e zemrën bashkë kësaj njomëzake e cila sapo kishte nisur me dëshirë e kureshti rrugëtimin e saj. Nuk kishte guxuar ta ndante me askënd këtë makth, nga frika se do të paragjykohej a do të humbte lidhjen me familjen a miqtë e saj. Janë me dhjetëra raste në fakt, kur vijimi i kontratës së punës kushtëzohet me marrëdhënie seksuale.

Të pashpresa, të dhunuara, pa përkrahje posaçërisht, përgjegjëse në shumë raste për jetën e familjarëve të tyre, shumë gra dhe vajza i nënshtrohen pa dëshirë këtyre kushteve, për të mund të siguruar mbijetesën kryesisht. Në një vend të egër si ky yni, gratë e vajzat me një historik dhune posaçërisht, të tjera të braktisura nga familja a në nevojë ekstreme.

Me një barrë detyrimesh mbi supe, vijojnë “kontratën” me bosët e tyre të cilët kundërmojnë era urinë e parfum bashkë, duke mos patur asnjë alternativë tjetër. Të pafuqishme për të denoncuar, me zemër të thyer e shpirt ndër dhëmbë, kujtojnë se përveç bukës së munguar në sofër, shantazhet apo presionet, kanosje e hapur për jetën, mund t’u marrin jetën secilës. Nëse rrëmon në arkivat e komisariateve, mund të gjesh me qindra kallëzime ndër vite depozituar për këtë qellim, të cilat pasi flenë për muaj me radhë në sirtarët e akuzës, arkivohen e mbyllen njëra pas tjetrës “për mungesë provash” kryesisht. Një tjetër njomëzake sot, vendosi të heshtë përfundimisht para fatit të saj të trishtë.

Please follow and like us: