Kongresi amerikan njeh gjenocidin turk ndaj armenëve, reagon ashpër Turqia
Dhoma amerikane e Përfaqësuesve ka votuar me shumicë votash të martën në favor të një rezolute që njeh vrasjet masive të armenëve një shekull më parë si gjenocid, një votim ky simbolik por historik.
Dhoma e kontrolluar nga Demokratët votoi me 405-11 në favor të rezolutës, e cila pohon se është politikë amerikane për të përkujtuar vrasjen e 1.5 milion armenëve nga Perandoria Osmane nga 1915 deri më 1923. Perandoria Osmane ishte e përqendruar në Turqinë e sotme, raporton Reuters.
Menjëherë pas votimit për gjenocidin armen, ligjvënësit me shumicë dërmuese mbështetën legjislacionin që i bën thirrje Trumpit të imponojë sanksione ndaj Turqisë për shkak të ofensivës së saj në Sirinë veriore.
Turqia pranon se shumë armenë që kanë jetuar në Perandorinë Osmane janë vrarë në përleshjet me forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, por konteston shifrat dhe mohon se vrasjet janë orkestruar sistematikisht dhe përbëjnë gjenocid, transmeton Koha.net.
E reagimi ndaj këtij votimi nga ana e Turqisë erdhi menjëherë. Ministri i Jashtëm turk ka dënuar këtë veprim të Dhomës amerikane të Përfaqësuesve për të mbështetur rezolutën në fjalë, duke thënë se vendimi nuk përkon me aleancën e NATO-s mes Turqisë dhe SHBA-së.
Në këtë deklaratë, ministria e Jashtme turke ka thënë se veprimi nuk përkon me marrëveshjen për paqe të nënshkruar më 17 tetor mes Ankarasë dhe Washingtonit për të pauzuar ofensivën turke. Ministria i ka bërë thirrje administratës amerikane të ndërmerr masa për të shmangur hapat që do t’i dëmtojnë edhe më tutje marrëdhëniet bilaterale.