Almira Emiri me Hungarissimo, mbrëmje e magjishme në Liceun Artistik të Tiranës
Pianistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Almira Emiri u rikthye sërish në Tiranë, jo më në sallën e Universitetit të Arteve, por në atë të liceut artistik të kryeqytetit duke risjellë të tjera emocione në 31 tetor 2019. Së bashku me një kuartet artistësh dhe konkretisht me vilonçelistin Zoltan Onczay, flautisten Viktoria Metyko, sopranon Adelina Paloja dhe vilionisten Lirza Zaloshnja, ata shpalosën 12 pjesë muzikore, përfshirë meditacionin e romancën lirike të Zoltan Kodaly, vallet e Biharit të Farkash Franc, arien e Erno Dohnjanit, pjesë nga opera ‘Skënderbeu’ e Prenk Jakovës, rapsodinë hungareze nga David Popper, legjendën nr. 2 të Listit, këngët popullore të Bartok, fragmente muzikore nga Shuman e Erkel, suitën për violinë e pioano të Vasil Toles si dhe ‘Lule bore’ të Simon Gjonit dhe Boris Pigovat.
Të dymbëdhjetë pjesët kishin në qendër pianisten e njohur Almira Emiri që edhe këtë herë u shfaq plot siguri e temperament, duke sjellë një shkallë të lartë mjeshtërie; ajo prezantoi dhe interpretoi pjesë më vete, por edhe duke u alternuar me artistë të tjerë, që secili spikaste për individualitetin e vet dhe harmonizoheshin si një e tërë.
Kjo veprimtari e mbështetur nga ambasada e Hungarisë në Shqipëri solli një mbrëmje plot emocione, ku përveç Almira Emirit, emocione të veçanta krijuan edhe violonçelisti Onczay, violinistja e orkestrës simfonike të RTVSH Zaloshnja, sopranoja nga Kosova Paloja, studentja e talentuar e konservatorit ‘List’, Metyko.
Pianistja Almira Emiri, për më shumë se dy dekada jeton në Budapest të Hungarisë dhe ka bërë karrierë të sukseshme si pianiste në dhjetra veprimtari në skenat më të rëndësishme europiane dhe më gjerë. Një jetë e tërë kushtuar muzikës, ajo përveç studimeve të para në Shqipëri, në moshë fare të re është vendosur në Budapest ku ka kryer të gjitha ciklet e shkollimit dhe ka përfunduar studimet Master për piano në Grac të Austrisë.