Albspirit

Media/News/Publishing

Ermonela Jaho shkëlqen në Koncertin Gala në Nju Jork

Julika Prifti/ DIELLI/

Vjeshta i futi këmbët mirë në qytetin tonë të Nju Jorkut e tani prezenca e saj ndihet në rënien e temperaturës, dhe në zymtësinë e qiellit, në ngjyrat e paraqitura nga natura dhe te veshja e njujorkezëve. Po më shumë vjeshta në Nju York lidhet me fillimin e jetes artistike, të sesionit te ri  2019-20, të premierave e të koncerteve Gala.

Ditën e djelë, më 27 tetor, Carnegie Hall prezantoi  2019 Richard Tucker Gala, organizuar nga Richard Tucker Music Foundation.

Salla e Carnegie Hall ishte zbukuruar me lule te freskëta përgjatë gjithë bordurës  së skenës dhe në orën 6 të mbrëmjes gati e mbushur plot. David, djali i Richard Tucker, tenorit te madh amerikan, tha me humor se koha e keqe trembi disa spektatorë po asnjë prej të ftuarve te programit. Pastaj përshëndeti një artëdashëse të vjetër të muzikës operistike, Ruth Bader Ginsburg. Sapo e mbaruar së theni emrin e saj, pjesemarresit shpërthyen në duartrokitje të fuqishme e të gjithë u ngritën në këmbë për të nderuar gjyqtaren e lartë. Duartrokitjet me pasion e ngrohtësi vazhduan gjatë. Në ditët tona është një nga gjërat më të rralla  të çmohesh për profesionalizem nga te gjithe pa dallim, demokratë e republikanë, liberalë e indipendentë, por ajo ka fituar respekt nga të gjitha segmentet politike.

Fondacioni feston 40 vjetorin dhe jemi të lumtur të gjendemi sërisht në Carnegie Hall, ne sallën më të rëndësishme në Amerikë, vazhdoi fjalën zoti Tucker. Në mbyllje ai falenderoi publikun që e ndjek prej kaq vitesh.

Përpara se te largohej ai ftoi në skenë  James Gaffagan, i cili ishte zgjedhur të dirigjonte orkestrën e Metropolitan Opera dhe New York Choral Society.

Gala u hap me Overture to Les vepres siciliennes të Verdit. Ne koncert interpretuan soprano Lisette Oropesa, 2019 Richard Tucker Award Winner dhe fitues të viteve të më parshme: Jamie Barton ( mezzo -soprano), Angel Blue (soprano), Scott Conner(bass),  Stephen Costello (tenor), Michael Fabiano (tenor), Ermonela Jaho (soprano), Lucas Meachem, (bariton), Brian Michel Moore ( tenor),  Ailyn Perez (soprano) , Artur Rucinski ( bariton),  Christian Van Horn (bass-bariton).

Ne program ishin zgjedhur pjese nga shume kompozitore Verdi, Puccini, Donizetti, Massenet, Charpentier, Bellini, Bizet, Cilea,  Rossini e Çajkovski.

Interpretimi nga ‘ylli i operes boterore’ Ermonela Jaho fitoi zemrat e duartrokitjet e zjarrta të publikut të Carnegie Hall, ashtu si edhe tetorin e kaluar me shfaqjen ne Metropolitan Opera, ne rolin e Madame Butterfly. Për interpertimin e saj të spikatur e të ngrohtë shkruan të gjitha gazetat e mëdha te Nju Jorkut e emri i saj u bë i dashur për të githë dashamirësit e operës.

Interpretimi i gjallë dhe identifikimi i pashoq i sopranos Ermonela Jaho me rolet që luan janë çmuar nga të gjithë kritikët dhe muzikologet pervec publikut.

Sesioni  2019 -20 është i mbushur me role të reja për të. Ajo do interpretojë për herë të pare rolin e  Adriana Lecouvreur, në Opera de Marseille, Iris të Mascagnit, në Teatro Real të Madridit dhe do të këndoj për herë të parë në Opera de Monte-Carlo Violetën e operës La Traviata. Ndersa në operën e Parisit do të rikthehet në rolin e Mimisë, të La boheme. Ne kalendrarin e saj te ngjeshur ajo do të jetë Desdemona e operës Othello ne Covent Garden, Madame Butterfly në Deutsche Oper Berlin, në Liceu në Barcelona do të jetë në rolin e Liu, të operas Turandot, dhe në Bayerische Staatsoper në Munich do te jete Violetta dhe Mimi.

Europa i ka hapur krahët për sopranon e talentuar shqiptare që prej kohësh banon në Nju Jork.

Dhe ajo mund krahasohet pa frike me emrat e dashur te operes te adhuruara si Maria Kallas apo Joan Sutherland sepse interpretimi i saj është mbresëlënës ne ngjyrat dhe nuancat e zërit te saj, prandaj edhe emocionet që percjell zëri i saj janë të paharrueshme.

Please follow and like us: