Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare: Kjo që po ndodh në Beograd, një përzjerje midis fashizmit, stalinizmit, fondamentalizmit ortodoks dhe mizori prej shekujsh të errët

Ju i keni kushtuar një roman, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pasojave të sulmit fashist të prillit 1939. Tani trupat italiane i janë rikthyer rrugës për në Shqipëri…

 

Ismail Kadare: Rrezik fashist ka edhe tani në Ballkan, por ai nuk udhëton mbi anijet italiane, por me armatën ushtarake të Millosheviçit. Kundër barbarive serbe në Kosovë dhe atyre të tregtisë së mishit njerëzor nëpërmjet trafikut të klandestinëve nëpër Adriatik, është e drejtë të përdoret forca.

 

Tashmë është flota jonë që ka kapërcyer Adriatikun dhe ka shkuar për t’u vendosur në brigjet dhe portet shqiptare. Me të vërtetë ushtari italian nuk e tremb dhe as e bezdis qytetarin shqiptar?

 

Ismail Kadare: Edhe pse ka një të shkuar historike me zbarkime pushtuese, kjo e sotmja nuk e shqetëson shqiptarin. Madje edhe në kohën e zaptimit fashist populli im nuk ka shprehur kurrë urrejtje dhe mëri ndaj popullit tuaj. Kemi mundur përherë të bëjmë dallimin midis egërsisë së ‘Batalionit Blu’, operacioneve ndëshkimore ndaj partizanëve, ndjekësve të tyre për çfarë flas edhe në romanin tim dhe humanizmin të trupave italiane. Jemi të ndërgjegjshëm që ishim viktima të një mekanizmi shtypës, prej të cilit vuajtët edhe ju. Gjatë pushtimit ndodhën episode egërsie e masakrash, por edhe të tillë që dëshmonin miqësinë mes dy popujve. Këtë pamje të gjërave e kam pasqyruar në librin tim, sidomos kur kam përshkruar gjendjen pas 8 shtatorit (1943), kur shumë shqiptarë kanë marrë në mbrojtje dhe ndihmuar ushtarët tuaj. Misioni juaj ‘Alba’ ka pasur në Shqipëri një jehonë të madhe shumë të favorshme dhe personalisht mendoj se ai ka kontribuar mjaft për të shpëtuar vendin tonë nga anarkia. Shkoj rregullisht në Shqipëri, ku jetojnë prindërit e mi dhe kam një shtëpi në Tiranë dhe një tjetër në Gjirokastër. Komentet që kam dëgjuar për praninë ushtarake italiane kanë qenë të gjitha pozitive.

 

E megjithatë të dy popujt duket sikur janë të dënuar të mos kuptohen mes njeri-tjetrit. Në librin tuaj tregohet për revoltën e banorëve të Gjirokastrës kundër shtëpive publike të hapura në Shqipëri prej italianëve.

 

Ismail Kadare: Dhe tani janë italianët që po rebelohen kundër invazionit që po ju bëjnë prostitutat shqiptare. Kjo është e vërtetë. Por mua më pëlqen që Roma e merr me zemër mbrojtjen e fatit tonë. Dhe klandestinët shqiptarë janë viktimat e para të trafikantëve të Adriatikut. Duhet goditur dhe prerë mes për mes ngjitja e fortë mes mafies shqiptare dhe asaj italiane. Ndihem mirë kur mësoj se plani i ndërhyrjes i kërkuar nga kryeministri i ri juaji, Masimo D’Alema, do të harmonizohet me kryeministrin e ri shqiptar Pandeli Majko. Sa mirë do të qe sikur edhe Evropa të vepronte me kaq gatishmëri dhe shpejtësi kundër agresionit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

 

E konsideroni të papërshtatshëm rolin e luajtur nga Roma në Bruksel për Kosovën?

 

Ismail Kadare: U trishtova kur lexova se Italia ka mëdyshuar për një kohë të gjatë në marrjen e vendimit për t’i vënë bazat e saj në dispozicion të bombarduesve të NATO-s, kjo edhe për shkak të lidhjeve tuaja ekonomike me Beogradin. Duhet ta kishit marrë parasysh se pjesa më e madhe e klandestinëve që zbarkojnë në brigjet tuaja vijnë nga Kosova dhe se atje, në këtë vend, jo vetëm janë barazuar por edhe tejkaluar tmerret e kryera në Bosnjë. Pikërisht sot kam lexuar në “Le Monde” për masakra mesjetare, koka të prera, sy të nxjerrë, fëmijë të masakruar. Nuk e di nëse ju përtej Adriatikut e keni vlerësuar plotësisht përmasën e kësaj tragjedie.

 

Po thoni se Evropa ka qenë tepër besuese ndaj Millosheviçit?

 

Ismail Kadare: Jo të gjithë, druaj, janë të vetëdijshëm që ka shpërthyer një kolerë ballkanike. Kjo është një e keqe ngjitëse, një përzjerje midis fashizmit, stalinizmit, fondamentalizmit fetar ortodoks dhe mizori prej shekujsh të errët. Dhe nxitësit e saj ndodhen në Beograd. Një dehje e madhe e ushqyer nga propaganda dhe prej një ushtrie kriminale, të cilën maturia e Perëndimit duket se nuk është e përshtatshme ta kundërshtojë. Tanimë bisedimet dhe kanosjet kanë bërë që serbët të tërhiqen, por do të dëshiroja që kjo të mos shërbente vetëm për të qetësuar ndërgjegjen tuaj. Sukseset diplomatike nuk mjaftojnë. Nuk ka paqtim pa dënim të Millosheviçit. Si mund të bëjmë dialog me një kriminel, mbi të gjitha edhe mashtrues? Serbët përherë kanë gënjyer dhe kanë përfituar prej tyre. Për ta mashtrimi është sinonim i inteligjencës.

Dhe Shqipëria? Një vit më parë ju u bëtë thirrje bashkatdhetarëve tuaj nga “Zëri i Amerikës” për rindërtimin kombëtar. Ju shqetëson ajo që ndodhi më pas?

 

Ismail Kadare: Nuk i kursej shigjetat ndaj vendit tim. Ngul këmbë që marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës të bëhen dialektikisht demokratike dhe jo si kanë qënë deri tani, një luftë pa parime. Tani Tirana është më e qetë. Pres që klasa politike ta bëjë këtë gjë.

 

A nuk po mendoni ta lini shtëpinë tuaj në Paris dhe të ktheheni në vendin tuaj?

 

Ismail Kadare: Të shtunën nisem për në vendin tim. Por jeta atje është ende shumë e turbulluar, e paqetë. Këtu shkruhet më mirë.

 

Intervistë e Ismail Kadaresë, 29 tetor 1998 në gazetën italiane “La Stampa” dhënë për gazetarin Aldo Cazzullo.

 

Please follow and like us: