Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Kur prishet paqja biblike

Featured Image

Ndodh ndonjëherë mos m’u kuptue
kufini mes natës e ditës,
as mes t’mirës e t’keqes
as mes t’ drejtës e t’padrejtës.
Ndodh ndonjëherë rrugët ngatërrohen
e në pështjellimin e madh nuk dallohen ngjyrat.
Krejt kjo ndodh kur shuhen dritat n’ horizont.

Papritun, si në një skenë teatri hapet një perde;
skena asht boshe, e thatë, e ftohtë, e errët…
sikur një jetë e fshehtë plot mistere
dhe një i pendum që rrëfen vetveten
pa fund e pa fillim.

I kredhun në kontekstin e rutinës
pa liri, as me robëni.
Ndodh ndonjëherë njeriu s’ ka horizont
dhe çdo gja përmbyset
sikur para një cunami që merr përpara gjithçka.

Ndodh ndonjëherë njeriu s’ka lartësi as thellësi
ndodh t’ kujtojë se s’ishte asgja,
s’ishte askund
s’ishte askush…
në botën që fundoset në sytë e tij pa horizont,
thotë: gjithçka ekzistoi si në një ulërimë t’ frikshme.

Po, ndodh ndonjëherë, njeriu dëshiron m’u ulë kambëkryq
në Pemën e Dijës
me pa si u prish paqja biblike, kur digjej Edeni.

Please follow and like us: