Iu bë atentat në Durrës, për çfarë e akuzonte Rama prokurorin Arjan Ndoja
Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në Durrës, në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit, ku tre perosna mbetën të plagosur. Mes tyre është dhe prokurori Arjan Ndoj, i cili dyshohet se ka qenë dhe objektivi i këtij atentati. Ndoj është transportuar në spital dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Mësohet se makina me të cilën lëvizte prokurori ka përfunduar disa metra larg nga autostrada. Bëhet me dije se mes të plagosurve është dhe një femër e cila udhëtonte në makinën ku ndodhe edhe prokurori.
Më 7 tetor, në parlament, kryeministri Rama lëshoi akuza të forta ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, ndërsa tha se ai bashkëpunon me bandat kriminale dhe ushtron presion e shantazh mbi zyrtarët e administratës.
“Ju e patë vetë javën e kaluar, të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë me përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, por ama kur vjen puna te ndërhyrja në proces, kjo është e pamundur për qeverinë, për pushtetin ekzekutiv, sepse Kushtetua përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon. Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’. Ata nuk kuptojnë që ndërtimi i sistemit të ri të drejtësisë kërkon kohë. Ata që Vettingu i përjashton, do të rikthehen para prokurorëve dhe gjykatëse për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, të jenë të sigurt. Edhe ata që bëjnë krime për të përfituar para të zezë, apo shpërblime të majme nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”, tha Rama disa javë më parë.
Ndoj ishte prokurori që kërkoi arrestimin e ish-drejtorit të Kadastrës Liridon Pula. Ky i fundit u mor në mbrojtje nga zëvendës kryeministri Erion Braçe dhe nga kryeministri Edi Rama.