Libri shqiptar për Bosnjen i diplomatit Shaban Murati promovohet në Sarajevë
Libri i ri “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana” u promovua në Sarajevë nga “Qendra ballkanike e analizave dhe studimeve”. Merrnin pjesë personalitete të jetës kulturore, akademike e politike të Sarajevës, studjues, studentë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të mediave lokale dhe ndërkombëtare me seli në kryeqytetin boshnjak.
Ndodhej dhe ambasadori i Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri, Sh. T. Z. Nusret Cancar, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Sarajevë, Sh. T. Z. Ekrem Ebibi, konsulli i nderit i Shqipërisë në Bosnje dhe ish ambasador i Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri, z. Muharrem Zejnullahu, etj.
Fjalën kryesore e mbajti ish Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës, z. Edhem Biçakçiç, i cili theksoi se libri i ambasadorit Shaban Murati është një ngjarje e rëndësishme kulturore dhe kontribut i madh në bashkëpunimin midis dy popujve. Ai analizoi me hollësi vlerat e librit për Bosnjen dhe tha se libri ndriçon të vërtetat e çështjes boshnjake nga këndvështrimi i rëndësishëm shqiptar dhe përbën një dokument të ri shumë të vlefshëm për gjithë diplomatët dhe studjuesit, që merren dhe do të merren në të ardhmen me çështjen boshnjake.
Dr. Sedat Beshlija, drejtor i departamentit të studimeve në “Qendrën Ballkanike të analizave dhe studimeve” në fjalën e tij u ndal në vlerat shkencore të librit dhe nënvizoi se libri bëhet një referencë e nevojshme për studimet dhe studjuesit e temës boshnjake.
Në promovim përshëndetën edhe kryetari i Fondacionit “Alsar” z. Mehdi Gurra dhe kryetari i Shoqatës “Tirana”, z. Arben Tafaj, të ftuar në promovim nga “Qendra Ballkanike e analizave dhe studimeve”.
https://alb-spirit.com/2019/07/29/shaban-murati-dhe-libri-tij-bosnja-nje-pikepamje-nga-tirana/
Shaban Murati vjen me librin e ri ‘Bosnja, një pikëpamje nga Tirana’