Plumba prokurorit Arjan Ndoja, që arrestoi kryekadastarin Pula dhe u sulmua publikisht nga Rama-Braçe
Një atentat brutal është kryer sot pasdite në rrethrrotullimin e Shkozetit ndaj nje makine ku ishte edhe prokurori Arjan Ndoja. Në makinë ka pasur tre persona dhe po udhëtonin në drejtim të Sukthit. Dyshohet se ka një viktimë dhe dy të plagosur. Dyshohet se shenjestra ka qenë prokurori i Durrësit, i cili është i plagosur rëndë.
Rama për prokurorin Ndoja: Llum që kryen krime me moton ‘do ikim që do ikim, të kapim ç’të kapim!’ Do pastrohet nga sistemi
Kryeministri Edi Rama ka komentuar përmes një shënimi në rrjetin social Facebook, teksa ka shpërndarë deklaratën Live të zv. kryeministrit Erion Braçe i cili ka treguar presionet dhe kërcënimet që kishte marrë pak ditë para arrestimit kreu i Kadastrës Durrës Liridon Pula. Rama shkruan se prokurori i Durrësit është mishërimi tipik i llumit të sistemit të drejtësisë, që nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë pastrimit nga sistemi.
“Prokurori i Durrësit që shantazhoi për hesap të një organizate kriminale zyrtarin e shtetit dhe më pas kërkoi burgosjen e tij, është mishërimi tipik i llumit të sistemit të drejtësisë, që nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë pastrimit nga sistemi! Ky llum po kryen akte kriminale padrejtësie, me moton “Do ikim që do ikim, të kapim ç’të kapim. Por dardha e ka bishtin mbrapa dhe çdo padrejtësi e bërë sot nga ata që nuk kalojnë dot Vetingun, do të ndëshkohet nesër, mu ashtu siç e kemi thënë qysh në nisje të reformës, siç shkruhet edhe në kërkesën e Bundestagut gjerman dhe siç do të kërkohet nga BE-ja në rrugën e negociatave për anëtarësim. Drejtësia e munguar e 30 vjetëve, po vjen dalëngadalë dhe s’do të kursejë askënd”, shkruan Rama.