Kërcen pedagogu Piro Prifti nga belaja, mashtrime fundamentaliste e sharje raciste për Fishtën dhe Kadarenë
Frano Kulli
Agron Shala, miku im, gazetar e shumçka tjetër në kulturën e Prishtinës më nisi pardje linkun e një shkrimi, i cili më bëri me dije për një tjetër akuzë të re që qenka shtuar në pretencën ende të pambyllur që i bëhet Gjergj Fishtës. Që prej vitit 1945 e këndej. (Po edhe më nguci të shkruaj me padashje këto radhë). Akuzë ende e hapur, veçse e modeluar sipas rastit edhe në pasvitet ’90 e këndej, kur së jashtmi është bërë rehabilitimi i tij, kur tashmë Fishta është ringjallë prej hirit 50-vjeçar të harresës. Herë mbas here “sharmantët” e mosdashjes së tij, i nxjerrin prej së mbrendëshmes së tyre të pandreqëshme të urrejtjes së trashëguar prej kohës socrealiste, për të shënuar në fund të fundit, se Fishta është ai që ishte: armik, kolaboracionist, katolik, tradhëtar, folklorizant…pra i dëmshëm, i pavlerë. Duhet të jetë me patjetër i tillë, me çdo mënyrë e me çdo çmim. Duke i spërdredhë gjithfarësojshëm të vërtetat e patundshme se ai është poeti kombëtar i shqiptarëve, por dhe i vlerësuar si i tillë prej të tjerëve në botë, se ai ishte anëtar i Akademisë së Italisë, por që nuk flirtoi kurrë me fashizmin, se ai qe kandidat për çmimin Nobel, njëherë të vetme, në një vit, por i vlerësuar aq sa ta kishte marrë atë… I mirëpritur si diplomat në Europë e në Amerikë. I mirëpritur e i mirëkuptuar nëpër botë, po i keqpritur e i keqkuptuar prej regjimit në vendin e vet.
Dhe tani rishmësi na del …nacionalist dhe racist ndaj fqinjëve…:
Kështu shkruan z. Piro Prifti në shkrimin e tij të datës 12.10.2019 me titull: “Përse Ismail Kadare nuk vlen të fitojë asnjëherë çmimin Nobel për Letërsinë”. …sepse Kadare ka rënë pikërisht në kurthin e ideve raciste dhe nacionaliste në veprën e tij, njëlloj si Gjergj Fishta, kandidati i parë për çmimin Nobel të propozuar nga gjermanët në vitin 1937-vijon më poshtë artikullshkruesi.
Kjo është gjetja e re e z. Piro Prifti… pra, Fishta nacionalist dhe racist ndaj fqinjëve (ndonëse një racizëm i justifikuar).Që paska marrë në qafë edhe Kadarenë…
Edhe panagjerist edhe i dekoruar e nderuar nga fuqi e forca të rëndësishme në Europë, edhe kandidat për çmimin Nobel edhe akademik i Italisë…Po ka edhe një dhuratë simbolike prej Krajl Nikollës së Malit të Zi, Fishta. Dhurata është një teste (12 copë) lugësh e pirunjësh prej argjendi, të cilat i kishte vendosë në një vend të dukshëm në Kuvendin e Gjuhadolit ku banonte dhe kur vizitorët e tij të shumtë dhe shumësyresh e pyesnin për to, ai thoshte jo pa ironi: “punë krajlash”. Ndoshta kjo ironi e ka dogonis (trazuar) kaq shumë autorin e shkrimit në fjalë sa ta çmojë si racist Fishtën?! Se nuk paska qenë fort dashamirës me sllavët lakmitarë për copa të Shqipërisë ??!!
Në të vërtetë epiteti zbutës racizëm i justifikuar besoj se është vetëpërjashtues për akuzën e kërkuar nga autori i shkrimit: racist. Se racizmi, pra diferencimi, mospranimi, urrejtja ndaj racës tjetër, ndaj popullit tjetër ose është ose nuk është. Është si ajo batuta anekdodike për një grua që është pak me barrë… Edhe sikur Fishta shkrimtar ta kishte ndjesi të brendëshme të tijën racizmin, për një klerik dhe vetë veçorinë e përzgjedhjes që një klerik ka qyshse merr përmbi vehte kushtimin e përjetshëm ndaj besimit e Zotit kjo është e përjashtuar. E papërputhëshme me vetë zgjedhjen e një kleriku. Kurse akuza: nacionalist, ngjet vetëm e parafabrikuar. Përderisa termi njësohet me atdhedashurinë, një ndjesi e njerëzishme e legjitime që shënohet në radhën e virtyteve. E assesi në të kundërtën e vet. “…Dashunia për Atdhenë këtu në Shqipni, po ishte nji faj, nji mëkat, nji delikt[krim]…dhe kjo kufomë e shkretë na dëshmon ne si ndëshkohet faji i atdhedashunisë”- janë dy rreshta të shkëputur nga fjalimi që vetë Fishta mban në varrimin e Avni Rrustemit. E më pas përballon me “dekalogun” e fortë me “Kongregacionin e Shejtë të Propagandës Fide”, për qortimet që i vinë që andej.
Kurse atdhedashuria, e interpretuar sot mbas gati një shekulli nga pozita kozmopolite, kërkon sforcimisht të ndërtojë një akuzë tjetër për ta mbajtur prapë në “gjendje arresti” Fishtën, nën qortime të dënueshme e për rrjedhojë në pluhurin e harresës. Dhe ky është qëndrimi i “moderuar” krejt i lexueshëm që nxjerr krye sapo krijohen rrethanat për idhtarët antiFishtë. Kësaj here vënia (në mënyrë absurde ) në të njëjtën bankakuzë me Kadarenë është gjetje dhe vjen si “risi” në metodologjinë e baltosjes e mospranimit të Fishtës…Kështu që as Ismail Kadare dhe as at Gjergj Fishta –thotë me plot siguri z. Prifti-nuk mund të marrin dot këtë çmim, sepse nuk kanë asnjë mesazh optimist për popullin e tyre dhe as për botën përveç mesazhit nacionalist dhe racist që ata kanë shprehur në veprat e tyre të botuara. Sot shqiptarët e kanë të vështirë të kuptojnë këtë që po shkruaj dhe e kanë të vështirë të kuptojnë mungesën e interesit të Komisionit të Çmimeve Nobel për Letërsinë, për Kadarenë dhe për Fishtën.
Po të thuash për Fishtën që nuk ka asnjë mesazh optimist për popullin e vet, më duket fort, po shumë fort e dyshimtë se është pohim që bëhet në rrethana normale. Për Fishtën dhe për aradhën e atyre mendimtarëve e personazheve atdhetarëve që janë fashoja më e ndritëshme e qytetrimit shqiptar në shekullin e shkuar, pa të cilët nuk do të kishim Shqipëri, kurajoja më duket se i kapërcen kufijtë e arsyes. Unë e refuzoj me neveri këtë akuzë të qepur “me gjilpanë [gjilpërë]dyshekësh”. Se më kanë mësuar ta refuzoj herët, vlerësimet e ardhura për të prej gjithkahit; prej vendit e prej bote. Disa prej tyre i përmend edhe autori i shkrimit, edhe pse disa sosh të deformuara, por në “rroben” e shpifur që ai qep i rrijnë si një arnë i qepur keq fort. Askund, ndër mijëra faqet e shkruara e të publikuara të tij nuk gjen edhe një shenjë e jo më vetë urrejtjen për raca a popuj të tjerë.
“Zoti n’qiell e na mbi tokë/ me gjithkënd vëllazën e shokë/ por secili n’cak të vet”– pohon Fishta diku ndër mijëra faqet e shkruara. Dhe nëse dikush lexon racizëm për fqinjët në pohime të tilla, atëherë, me siguri është faji i leximit e i lexuesit e aspak i shkruesit…