Rexhep Shahu: Organizatat Joqeveritare të Qeverisë dhe herojtë e varur në Bulevardin e Mbretit…
Organizatat Joqeveritare të Qeverisë i bëjnë opozitë dhe e mallkojnë Partinë Demokratike si sjellëse të fatkeqësisë, si shkaktare të gjendjes aktuale të vendit ku është cenuar rëndë liria, të drejtat e njeriut dhe ku droga sundon, ku rinia dëbohet me pamundësi pune e jete, ku vendi rrënohet, plaket me shpejtësi, ku një çift burrë e grua nuk lindin dy fëmijë por 1.5 fëmijë.
Organizatat Joqeveritare të Qeverisë që duket se ekzistojnë për t’i thënë opinionit ndërkombëtar se ka demokraci në Shqipëri dhe lejohen organizatat joqeveritare, ani se janë në fakt të qeverisë, pushkë me leje të qeverisë, skuadra e toga të qeverisë veprojnë kur i duhen qeverisë me përllomë Partinë Demokratike.
Edhe këto ditë kur janë varë për turp e faqe të zezë portretet e herojve të dyshimtë, shumica të pavërtetë e një pjesë antiheroj në Bulevardin e Mbretit në Tiranë, disa Organizata Joqeveritare të Qeverisë po dëshmojnë devocion ndaj qeverisë Rama duke akuzuar Partinë Demokratike si shkaktare të lejimit të herojve të varur në Bulevardin e Mbretit.
Organizatat Joqeveritare të Qeverisë kërkojnë që Partia Demokratike të dalë në bulevard dhe t’i heqë portretet e varura. Organizatat Joqeveritare të Qeverisë kërkojnë që Partia Demokratike të bëhet skuadër apo togë pushkatimi, t’i vrasë herojtë e varur që i ka rivrarë qeveria duke i tallur me idenë se po i nderon, të bëjë me herojtë siç kanë bërë disa nga ata heroj kundër shqiptarëve duke i vrarë e tërhequr zvarrë.
Organizatat Joqeveritare të Qeverisë po urdhërojnë Partinë Demokratike dhe i bëjnë presion që PD të bëhet kamikaze, të vrasë të vrarë, të vrasë të vdekur, të vrasë kartona apo beze, të vrasë portrete herojsh e antiherojsh dhe vetë organizatat joqeveritare të qeverisë rrinë e bëjnë sehir, pinë raki me qofte.
Nuk i shkon, nuk i ka hije Partisë Demokratike që e njeh Luftën e Dytë Botërore dhe kontributin e shqiptarëve në atë luftë që të dalë e të bëjë luftë ndaj portreteve.
Por Organizatave Joqeveritare të Qeverisë Rama u ka hije e u shkon që të marrin sprajte dhe të dalin në Bulevardin e Mbretit dhe të bëjnë me bojë, t’i skuqin, t’i bëjnë me bojë ose t’i djegin në mënyrë simbolike kundërshtimi portretet, t’i djegin simblokisht ata heroj që kanë vrarë shqiptarë dhe ata heroj që janë vrarë në luftë civile me shqiptarë, ata heroj që kanë vrarë njerëz të pafajshëm, ata sigurimsa që kanë bërë krime dhe janë shpallë heroj.
Deri sot vetëm tre individë reagues janë shfaqur të fortë në publik përmes rrjeteve sociale, individë që janë institucione më vete, Kastriot Dervishi, Agron Tufa dhe Çelo Hoxha. Nuk po përjashtoj edhe të tjerë, as veten time, por jo sa këto të tre.
Por për fatin e keq tonin, kur një qeveri që reklamon dështimet për suksese dhe ka mision veç reklamën e jo punën, një qeveri mafioze që nuk ka lidhje me të qenit komuniste, por është vegël oligarkësh, pra kur një qeveri e tillë tallet edhe me herojtë e vërtetë dhe imponon e barazon me ta edhe të pavërtetët dhe mashtron pasardhësit e tyre që lëpijnë historinë dhe u merr votat, një qeveri e tillë nuk ka skrupuj.
Kartolinën do ia prishnin e shëmtonin qeverisë Organizatat Joqeveritare të Qeverisë, të bënin një veprim që të dukeshin se nuk i binden qeverisë plotësisht dhe që nuk janë vegla të saj të bindura, nëse këta do të grisnin ndonjë hero qeverie që ka vrarë shqiptarë ose ndonjë sigurims hero.
Kartolinën e bulevardit me heroj të varur si larush në shtog mund ta prishte edhe rrebelizmi e nervozizmi i rinisë demokrate apo rinisë socialiste, pasi ata heroj jo të gjithë janë modele dinjiteti që duhet t’i ndjekë rinia shqiptare.
Nuk barazohen priftërijtë me partizanët. Priftërijtë që u varën në bulevard janë shenjtorë, kanë kryer me vetëdije veprimet e tyre, partizanët e varur në bulevard janë viktima, nuk kanë ditë se çfarë po bëjnë as se çfarë janë, pasi sië u këndohet kënga në Lusen të Lumës, ata ishin “një ushtri e pa emën, gjimsa mashkull e gjimsa femën…”.
Organizata joqeveritare antiqeveritare nuk ka më në Shqipëri se i ka blerë qeveria Rama, që ka fuqinë të blejë çdo gjë që shitet, që hahet e pihet, që përdoret e nuk përdoret, çdo organizatë që jeton vetëm për të thënë se ka OJF dhe për këtë shkak, qeveria Rama është demokratike…