Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Kur do të flasë Tirana zyrtare për shqiptarët e Sanxhakut?

Kur do të flasë Tirana zyrtare për shqiptarët e Sanxhakut?

 

Nuk ka gjë më të dhimbshme se sa kur bota mbron interesat e bashkëkombësve të tu, ndërsa shteti shqiptar hesht, siç është rasti i shqiptarëve të Sanxhakut. Në datën 3 nëntor kryetari i Partisë së “Aksionit Demokratik të Sanxhakut”, Sulejman Ugljanin, i cili ka qenë ministër në qeverinë e Serbisë në vitet 2008-2014, mbajti një fjalim në të cilin parashtroi platformën e të drejtës së popujve të Sanxhakut për një entitet autonom politiko-territorial, me fuqi legjislative, ekzekutive dhe juridike. Në fakt kjo është një kërkesë e hershme e Sanxhakut për autonomi politiko-territoriale, për të cilën kanë votuar me unanimitet gjithë votuesit e atij rajoni në tetor të vitit 1991.

E re dhe interesante në fjalën dhe në platformën e politikanit të njohur boshnjak dhe ish-ministër i qeverisë së Serbisë është kërkesa e tij për “statusin special të Sanxhakut si një komunitet i qytetarëve dhe i popujve të barabartë, në të cilin shqiptarët, boshnjakët, malazezët dhe serbët, janë popuj shtetformues”.

Është hera e parë që një politikan i rangut të lartë në Serbi kur flet për rregullimin e statusit të Sanxhakun përmend edhe shqiptarët në atë rajon. Për shkak të sllavizimit të dhunshëm të popullsisë shqiptare si politikë zyrtare e Beogradit për zhdukjen e elementit shqiptar në të gjitha rajonet e Serbisë, ekzistenca e shqiptarëve në Sanxhak ka qenë e fundosur në pusin e harresës zyrtare, politike, akademike, mediatike, etj. Por e vërteta historike nuk mund të mbytet dot.

Ajo, që paraqet interes diplomatik, publik e kombëtar për Shqipërinë është fakti se ka tre elementë të rëndësishëm në platformën e paraqitur në 3 nëntor nga politikani i lartë i Sanxhakut për statusin special të rajonit të vet. E para është se politikani boshnjak përmend shqiptarët si pjesë e rëndësishme e popullsisë së Sanxhakut. E dyta është se në këtë platformë shqiptarët rreshtohen të parët në listën e popujve, që përbëjnë rajonin e Sanxhakut, çka tregon rëndësinë e numurit dhe peshës së tyre. Politikani boshnjak vendos shqiptarët të parët dhe pastaj boshnjakët, malazezët dhe serbët. Kjo do të thotë se realiteti është që shqiptarët në realitet përbëjnë shumicën e popullsisë së rajonit të Sanxhakut, përndryshe nuk do të viheshin të parët në listë. Elementi i tretë i rëndësishëm është se kryetari i partisë së “Aksionit Demokratik të Sanxhakut” në platformën e tij kërkon statusin e popullit shtetformues për shqiptarët e Sanxhakut. Është një kërkesë dhe e drejtë juridiko-politike e rëndësishme, e cila sanksionon rolin dhe peshën, që ka e që duhet të ketë populli shqiptar në rajonin e Sanxhakut.

Platformën për statusin special të rajonit të Sanxhakut, partia e “Aksionit Demokratik të Sanxhakut” ia ka paraqitur zyrtarisht presidentit të Republikës së Serbisë, parlamentit dhe qeverisë së Serbisë, kryetarit të parlamentit të Malit të Zi dhe faktorëve të tjerë, që kanë të bëjnë me këtë çeshtje, si dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë të BE, të SHBA dhe të OKB. Kjo do të thotë se presidenti i Serbisë, parlamenti dhe qeveria e Serbisë, BE, SHBA dhe OKB, janë njohur me realitetin e ekzistencës së komunitetit të rëndësishëm shqiptar në Sanxhak dhe me kërkesën për të drejtën e shqiptarëve që të gëzojnë status shtetformues në Sanxhak, bashkë me boshnjakët, malazezët dhe serbët. Nuk kemi informacion nëse platforma e partisë së “Aksionit Demokratik të Sanxhakut” për statusin special i është paraqitur zyrtarisht edhe Shqipërisë.

Por ajo, që është tronditëse në funksionimin dhe në raportet rajonale dhe ndërkombëtare të shtetit shqiptar, është heshtja enigmatike e të gjitha qeverive shqiptare dhe e diplomacisë së tyre për çeshtjen e shqiptarëve të Sanxhakut. Qeveritë dhe diplomacitë e Tiranës nuk kanë folur kurrë as për ekzistencën, pa le më për të drejtat dhe për statusin e shqiptarëve të Sanxhakut. Nuk kanë folur kurrë në asnjë paraqitje publike e diplomatike, në asnjë kryeqytet perëndimor e as në Tiranë. Por për këdo, që ka punuar në ministrinë e jashtme të Shqipërisë, është i njohur informacioni se qeveritë e Tiranës nuk e kanë cekur kurrë këtë çeshtje në bisedimet dhe në takimet zyrtare dypalëshe me Serbinë.

Qeveritë e Shqipërisë janë shmangur kështu nga detyrimi kombëtar dhe kushtetues i kujdesit për bashkëkombësit tanë, që jetojnë në trojet shqiptare jashtë kufijve të shtetit. Qeveritë e Shqipërisë kanë privuar diplomacinë tonë nga një kartë e çmueshme diplomatike në tratativat e tyre të vazhdueshme me Serbinë. Mund t’i falet një apo disa individëve, që mund të mos dinë apo që të mos kenë lexuar asgjë për Sanxhakun dhe për shqiptarët e Sanxhakut. Por nuk mund t’i falet kurrë një shteti, një qeverie, një diplomacie, të mos dijnë për shqiptarët e Sanxhakut, dhe aq më tepër që të mos bëjnë detyrën e të lëvizin për të drejtat e shqiptarëve të Sanxhakut.

Politikani i njohur boshnjak i liston shqiptarët të parët në përbërjen e popujve të Sanxhakut. Politikani i lartë boshnjak ngren zërin për të drejtën e shqiptarëve të Sanxhakut dhe të popujve të tjerë për statusin shtetformues në atë rajon. Pra ai i tregon gjithë botës se ka një çeshtje sa një mal me emrin “çeshtja e Sanxhakut” në mes të tryezës diplomatike ballkanike si vazhdim i krizës jugosllave. Përse nuk e sheh këtë mal diplomatik qeveria e Shqipërisë?

Diplomacia shqiptare në periudhën e demokracisë është karakterizuar nga një kompleks inferioriteti të mjerueshëm në marrëdhëniet me shtetet e tjera të Ballkanit, të cilat gjatë historisë kanë bërë njëmijë e një mëkate ndaj kombit shqiptar. Është e pamundur t’i vesh një emër faktit tronditës që Tirana pranon shpikjen e shërbimit sekret serb në Shqipëri për plasmimin e një të ashtuquajturi minoritet serb nga muhaxhirët boshnjakë myslimanë të ardhur në fillim të shekullit të kaluar në Shqipëri, dhe nuk thotë gjysëm fjale për shqiptarët e Sanxhakut. A vjen kjo nga mungesa e integritetit kombëtar e personal të udhëheqësve të Shqipërisë, a vjen nga fakti që Serbia ua ka mbyllur gojën udhëheqësve të Shqipërisë me mënyrat e saj, kjo është temë për hulumtim jo vetëm historik.

Është lehtësisht e imagjinueshme habia e qarqeve diplomatike europiane dhe ndërkombëtare kur nga politikanë boshnjakë u paraqitet realiteti i komunitetit shqiptar në Sanxhak dhe kërkohet e drejta shtetformuese për rajonin autonom të Sanxhakut, ndërsa shteti shqiptar, qeveria shqiptare dhe diplomacia shqiptare nuk e zenë kurrë me gojë. Shqipëria duhet ta kishte përshëndetur aktin kurajoz të partisë së ”Aksionit Demokratik të Sanxhakut”, e cila në 19 korrik të vitit 2018 publikoi qendrimin e njohjes së Kosovës si shtet dhe i dërgoi një ftesë zyrtare zëvendëskryeministrit dhe ministër i jashtëm i Kosovës që në cilësitë zyrtare të postit të zhvillonte një vizite në Novi Pazar.

Shqipëria duhet ta ngrejë me forcë çeshtjen e të drejtave të shqiptarëve të Sanxhakut në bisedimet dhe në marrëdhëniet e saj me Serbinë. Shqipëria duhet ta ngrejë edhe në Këshillin e Europës, në OSBE, në Komitetin e të drejtave të Njeriut në OKB e kudo. Ajo duhet të kërkojë nga Beogradi njohje zyrtare të minoritetit etnik dhe autokton shqiptar në Sanxhak. Shqipëria duhet ta bëjë të sajën kërkesën për njohjen e statusit të Sanxhakut si rajon politiko-territorial autonom, që është kërkesa e gjitha popullsive të Sanxhakut. Shqipëria duhet të vendosë lidhje direkte dhe të ngushta me popullsinë shqiptare të Sanxhakut. Shqipëria në marrëdhëniet e saj diplomatike me Serbinë ka plotësisht të drejtën ligjore në bazë të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe konventave për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, që të interesohet për fatin dhe të drejtat e pakicës shqiptare në Sanxhak. Kjo do të thotë që diplomacia dhe shteti shqiptar ta shtrojnë si pjesë të rendit të ditës në bisedimet e tyre zyrtare me Serbinë çështjen e pakicës shqiptare në Sanxhak. Kjo do të jetë edhe një nga provat për të dëshmuar Serbia se sa demokratike është, për të dëshmuar gatishmërinë e vërtetë për të zhvilluar marrëdhënie miqësore me shqiptarët dhe me Shqipërinë.

Shteti dhe diplomacia shqiptare duhet të jenë të pranishëm në Sanxhak, të takojnë njerëzit, të ngrenë kurse të gjuhës shqipe, të ndihmojnë me abetare dhe libra, me filma dhe video, me veprimtari kulturore e artistike nga Shqipëria dhe me gjithfarë mjetesh informacioni për të nxjerrë në dritë dhe për të legalizuar identitetin e tyre kombëtar. Televizionet shqiptare bëjnë mirë që dërgojnë ekipe në Ukrainë, Azerbajxhan apo Afganistan, për të qëmtuar komunitetet e harruara shqiptare, por edhe më urgjente është të qëmtojnë dhe të gjallërojnë vazhdimisht në Sanxhak pakicën e heshtur shqiptare, që nuk është shpërngulur nga trojet e veta.

Kërkesa për të drejtat dhe statusin autonom të Sanxhakut, përfshirë edhe shqiptarët, po vjen dhe po shtrohet në institucionet dhe në forumet ndërkombëtare nga vetë Sanxhaku. Kjo e bën më të lehtë për Shqipërinë të ngrejë fuqishëm zërin e saj shtetëror për të drejtat e shqiptarëve në Sanxhak. Përpara se të servirë profkat e internacionalizmit ballkanik për “integrimin ballkanikoperëndimor” nën udhëheqjen e Serbisë, Shqipëria duhet të mbrojë interesin dhe identitetin e saj kombëtar në të gjithë Ballkanin, kudo ku ka pakica shqiptare. Meqë është fjala për Sanxhakun, çeshtja e shqiptarëve atje duhet të bëhet pjesë e pandarë e dosjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë. Në një analizë me titull “Autonomia e Sanxhakut”, botuar në vitin 2011, kam shkruar : “Sanxhaku është, dhe do të bëhet edhe më shumë në të ardhmen, pjesë e shahut diplomatik dhe gjeopolitik në Ballkan. Ai ndodhet në zemër të rajonit, dhe nuk duhet harruar se atje jetojnë edhe shumë shqiptarë, për të cilët shteti dhe diplomacia shqiptare kanë detyrë kushtetuese dhe kombëtare të interesohen”. (Libri “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana”, 2019, fq. 95)./gazeta dita/

No photo description available.

Please follow and like us: