Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Kadare dhe liqeni i Ohrit, emocionet e një ekspozite në Pogradec, Tiranë dhe Maqedoni

 

Bardhyl Berberi

 

 

Pogradeci ka pasur një mik shumë special që vinte shpesh në Pogradec, ikonën e artit shqiptar, Ismail Kadare. Ai në një vend anormal krijoi një letërsi normale. Por kësaj radhe duam të flasim për një ekspozitë fotografike që përmbledh mbi 60 punë të realizuara nga viti 1986 – 2009, me të madhin Kadare rreth liqenit të Ohrit. Meqenëse ka qëndruar ekspozita e hapur në Pogradec,Tiranë dhe Ohër të Maqedonisë etj interesi për këtë ekspozitë ka qenë i madh, sepse ekspozita të afron mbresa fotondjesore të strukturave intime të shkrimtarit të madh.

Në pamjet që të afron ekspozita, të sjell shënimin e kohës, ngrirjen e çasteve të veçanta historike. Dhjetor 1989, Kadare duke zbuluar pllakën përkujtimore të Pallatit të Kulturës, që merr emrin e poetit të madh pogradecar Lasgush Poradecit. E veçantë është, sepse portreti i Kadaresë ka si sfond liqenin, praninë e ujit në Pogradec – Ohër dhe Strugë. Natyra magjike e brigjeve të liqenit me manastirin e Shën Naumit nuk kanë rrezikuar portretin madhështor dhe meditativ të Kadaresë.

Kadareja në këtë ekspozitë transmeton një filozofi të vetën, një morfologji dhe një sintaksë tjetër, një ‘ligjërim’ të ri me atë portret aq interesant dhe meditative, ku shfaqet një portret piramidal, me ndjenja madhështore nga manastiri i Shën Naumit, në kishat e Voskopojës; shkrimtari mediton para atyre vlerave të kulturës kombëtare dhe shpesh herë duket si një profet.

Vendosja e Ismail Kadaresë në sfondin Lasgushjan dhe Kuteljan, që me artin e tyre, falën përjetësinë me perëndimet e vagëlluara, mbrëmjet si pëlhurë dhe si hije, pasqyrimi i shndëritshëm, dergjjet e përgjumshme, vetëtitjet e liqenit në magji, qetësia e tij, zalli i shkretuar, shkrumbi i natës, pritjet metafizike të varkave, janë sfondi i ri i gjigandit të letrave shqipe, përreth liqenit të Ohrit.

Image may contain: 9 people, people smiling, people standing, suit, shoes and outdoor

Fotot e Samsurit për Kadarenë

 

Në këtë ekspozitë shihet një Kadare tjetër intim i qeshur me familjen shokët miqtë me familjen në piknike udhëtime shëtitjet…Shumë shkrepje të aparatit të Samsurit janë shkrepur befasisht dhe shohim një Kadare tjetër që nuk e kemi parë më përpara përjetojmë një ndjenjë krejt të veçantë. Nuk është aspak e rastësishme kjo ekspozitë, në brigjet e liqenit të Ohrit, në kuptim të drejtë dhe të figurshëm me pamjet e befta të liqenit, pasqyra e qiellit dhe e diellit, kalimet ngjyrore nga monokrom të qeta dhe të përgjumura, pamje dramatike dhe me tension, grafika të ndriçuara skenike, çarjet e thella të dritës në thellësi të ujërave të liqenit, bëhet objekt i vëzhgimit dhe hulumtimit të shkrimtarit të madh, që shpesh herë duket si zhytur i tëri në këtë peizazh. Mali i Thatë dhe shqiponja e arratisur lasgushjane, që ndodhet si sfond, duket që kanë krijuar një marrëdhënie me shkrimtarin e madh. Kjo ekspozitë është një grishje për ta dashur dhe për ta admiruar dhe është si një thesar i madh në fondin e artë të kulturës shqiptare, ku në qendër ka gjeniun e madh të letrave shqipe. Kjo ekspozitë dinjitoze, i parapriu monumentit mjeshtrit të poezisë, Lasgush Poradecit dhe ngritjes së monumentit të patriarkut të prozës shqipe, Mitrush Kuteli, që ndodhen përballë buzë liqenit. Të dyja këto monumente janë realizuar nga skulptori i mirënjohur, Mumtas Dhrami.

Lasgushi dhe Kadare

 

Poeti i madh ishte njëkohësisht edhe mik i Kadaresë, prandaj në këtë ekspozitë zënë vend edhe një cikël fotosh të dy shkrimtarëve të mëdhenj, në brigjet e liqenit të Ohrit. Gjeniu i letrave Ismail Kadare në këtë ekspozitë qëndron madhështor si kolosi më i madh i letrave shqipe…

Kam pasur rastin, që shkrimtarit të madh, në pozicionin e gazetarit, t`i marr disa herë intervistë, madje në arkivin tim personal kam një intervistë të gjatë në shtëpinë e Kadaresë, pak ditë para 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit…

Intervista është e gjatë rreth dy orë të regjistruara në magnetofon. Ndër të tjera, Kadareja në intervistë thekson, se në Kongresin e Manastirit kishte personalitetet më të mëdha të kohës, ishte Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Ndre Mjeda dhe desha të theksoj, thotë Kadareja gjatë intervistës “se një popull që e ka të shkruar historinë e tij në letërsi, nuk vdes, sepse historia e mirëfilltë shkruhet nga letërsia”. “Padyshim, se ne shkrimtarët nuk kemi faj që na ra për hise të jetojmë në diktaturë, kjo ishte një epokë e diktaturës dhe le t`i vendosim gjërat në kohë. Jam munduar, thekson Kadareja, që në një vend anormal, të shkruaj një letërsi normale…Ato shkronja, ai alfabet që u krijua në atë kongres, na solli letërsinë e sotme… pa ato shkronja, nuk do të ishim këtu ku jemi…”.

Padyshim, të gjithë ne shqiptarëve na dhemb një gjë se, gjeniu ynë vetëm çmimin “Nobel” ka mbetur pa marrë. Sinqerisht e them troç se Alfred Nobeli, nëse do të ishte gjallë, do të ishte ndjerë i turpëruar për mosvlerësimin me atë çmim të Kadaresë,

Nobeli realisht ka nevojë për Kadarenë, sepse Kadareja përfaqëson një gadishull, ku hija e urrejtjes gjendet në këtë rajon të trazuar dhe Akademia e Nobelit duhet të kuptojë, se duke nderuar Kadarenë, ka nderuar tërë rajonin e Ballkanit.

Image result for kadare te lasgushi

 

 

 

 

Please follow and like us: