Ndue Ukaj: Kur Pal Engjëlli bekoi shqipen me ‘Formulën e Pagëzimit’
Nëntorin e vitit 1462 Arbninë e mbuloi mjegulla.
Imzoti Engjëllor në mesnatë hapi dritaren dhe pa errësirë të madhe.
Pa se shandanët e ushtarëve në pallat nuk bënin dritë.
I mërzitur piu një kafe dhe një gotë raki.
Pulsi i zemrës i rrihte fort.
Nga pallatit e Gjergj Kastriotit s’shihej kthjelltësia e detit.
E matanë bjeshkëve vinte një erë në formë stuhie dhe dëgjoheshin ulërima ujqish.
Pal Engjëlli veshi rrobat prej Imzoti dhe pagëzoi gjuhën shqipe.
Me shkronja të kërcënuara nga një orë e ligë.
Natën e 8 nëntorit Pal Engjëlli nuk bëri gjumë.
Lexoi qarkoret diplomatike ku flitej për mot të keq dhe rrufe.
Atëherë mbrehu shkronjat si Gjergji shpatën.
Kronikat e mbetura rrugëve të ikjes -thonë se ai nëntori qe më i ftohtë se çdo nëntor tjetër;
Dhe mjegulla qe më e madhe se çdo mjegullnajë tjetër;
Dhe ulërimat ujqve më të tmerrshme se çdo gjë e tmerrshme.
Kronikat shkruan edhe për foshnjet e trishtuara në djep.
Pal Engjëlli nga mjegulla s’e gjeti altarin e kishës,
As ujin e pagëzimit.
Ai nuk arriti t’i bekonte fëmijët e frikësuar.
Por shkroi një letër dhe e përhapi si vetëtima dhe pagëzoi motin e madh.
Pastaj në çdo mot vazhdoi çeta udhëtarëve të dritës.
Dhe u shkruan shumë libra e shumë qarkore.
Dhe në çdo stinë u ndezën qirinj në altarin e tij.
(8 nëntor 2017 © )