Cikël poetik nga Brahim AVDYLI
Shënime biografike për Brahim Avdylin dhe veprat
Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shek. të XX.
Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)…
Katër klasat e para të shkollës fillore “Ganimete Terbeshi” i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike – Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010.
Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj e analiza, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën gjithëshqiptare “Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike.
Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra:
“Në hijen e Alpeve”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983;
“Buka e kuqe”, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990;
“Kur zgjohet Dodona”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992;
“Pasqyrë e përgjakur”, poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994;
“Klithje nga fundi i ferrit”, poezi, Onufri, Tiranë, 1997;
“Gjuha e dheut tim”, poezi, Albin, Tiranë, 1999;
“Klithje nga fundi i ferrit”, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000;
“Baraspesha e humbur”, poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003;
“Vragat e një kohe”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005;
“Lëvozhga e vdekjes”, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007;
“Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë”, Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008;
“Zogu i këngës”, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009;
“Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj”, politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011;
“Qielli i paprekur”, poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012;
“Vetëvrasja e një poeti”, dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA”, Gjakovë, 2013;
“Shtegtimi i lirisë”, poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014;
“Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele”, zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015;
“Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017.
“Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019.
Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019…
Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë…
Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë…
Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht.
Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera.
Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike…
NËPËR RRESHTA VJESHTE
1.
Trokasin në sy
përballjet
e zhveshjes vjeshtake.
Çfarë të mbledh
në shportat e prishura
të ditëve,
nuk kam çka të marr
vetëm nëse i mbledh
fletët e shkundura nga furtunat,
ndonjë petale lulesh
me lotin në pejza
e ka mbyllur jetën,
tani
nuk është koha
kur ia shpallnin botës
bukurinë!…
2.
Lugjeve të dhembjes
bredh kot
me gjysëm shpirti
të zonuar
e nuk e di ku harxhohen
rrjeshtat e gjata
të kësaj stine,
pak nga pak
afrohet stina e bardhë
të zbresë
nga qiejt e mendimit
e ku të gjëj
ofshamën e kalbur
për kokrrat e njoma!…
3.
As pemën e mbushur
plot me fryte
të mburrjeve të mira
nuk e gjej,
nuk e di
çka do t’i pëshpërisin
njëra-tjetrës me vaj
fletët e lëkundura nga erërat
në rremb
ende ka fletë të mbetura
nga çdo dhembje
vjeshta është
stinë e harlisur-
dhembja dhembjen e shkel!…
4.
Çka ishte
t’ua marr lakmi
para zverdhjes së gjollit
në gjethe
lisave të gjatë të maleve
përballë kryengritjeve
të Diellit të Këngëve,
tashmë
në shportën e viteve
nuk gjej vargje të reja
e u desh ta mbush
një shportë të fryteve
e mos ta djegë zbrazëtia!…
5.
Ylberët e fjalëve
vijnë nga lart
e ne i hedhim
papriturazi
në koshat e plehrave.
Më ka mbetur
gjysma shportë e djegur
gjysma tjetër
e thatë,
pa kurorë frytesh
varur nëpër degë
përpjekjesh!…
Çuditërisht,
bjen nga pak Diell
në mes të vargjeve!…
NGJYRAT E MENDIMIT
1.
Papritmas
i bie lisit të vërejtjeve tona
një dorë drite
derisa i shkundin fletët e mendimeve
në një çast të ikjes
nga bashkëkohësia.
2.
Lotë rrjedhin
nëpër rrugëtimet e zemrës
nuk e kuptoj pse më bëjnë aq të lig
kur të tjerët
i vjerrin aureolat e rrejshme
përball meje
edhe pse Diellin e Alpet i kam në dorë
e copëtohem krejtesisht
për ta dëshmuar Drejtësinë!…
3.
I zhgënjyer
përplasem nëpër cepat e mjerimit
qenia më copëtohet
me ngjyra të thyera drite,
e poshtë është vërejtja e urtë
më lartë ngritet pabarazia
vazhdimisht i vendos
një nga një parejtësitë…
Dikur,
ngrihen përpjetë
ngjyrat e mendimit
për ta vendosur ku nevojitet
portokallin e kuqrremtë të dhembjes!…
4.
Më në fund
dhembja pëlset
kuq si gjaku në mjedis të ndjenjave
pingultas
duke ecur
nëpër rrugicën e dritës
e shpërdahet
në qindra ngjyra
vetmia e durimit
llogaritë e pritjes
duke i mbledhur
me shpirtin e bluar të dhuntisë!…
5.
Atëherë
vetmia bëhet kurorë pikëllimi-
kush lidhet me këngën e braktisur,
askush nuk tregohet
aq i prekur
me fjalët e pakuptuara-
është e kot të shtresojmë ngjyrat,
le të bjerret ngadalë
kupola e mendimeve
e të rreshë me to
gjethe të thara jete!…
PËRPLASJA NË DET
Po të mos kishte qenë
kjo stuhi e dalur bese
me vetëtima të kobeve
e stërkala të tmerrshme
nuk do të përplaseshim në det
me pamëshirën e dhembjes
se fundi i detit të fjalëve
do t’i ruante fshehtësitë
e nuk do të ngrinte gjithë këtë llum
në krye të valëve
për të goditur pa mëshirë
brigjet e heshtura…
Athua fundi i botës përpëlaset
nën këtë tmerr qiejsh
që pëlset ndër vetëtima
e murmurima fjalësh-
të ligat i kemi shehur në det
e veç puhinë e lehtë
e kemi përcjellur në valë!
DHEMBJA E GJYKIMIT
1.
Në e kërkoftë dikush
fjalën e sertë
ballë për ballë
me të Drejtën
bluani
në mullirin e shpirtit
gufimet e gjakut
e me buzëqeshjen tuaj
vetëm ktheje
fjalën e urtë!…
2.
Në i kërkoftë dikush
faktet e gjalla
ballë për ballë
me të Vërtetën
hapeni ju
arenën e ndjenjave
qe të marrë frymë
e ktheje
me përkushtimin e përhershëm
fjalën e sinqertë!…
3.
Në i kërkoftë dikush
ballë për ballë
mendimet e ndritshme
të Diellit
e secili që e quan
vetveten Njeri
hapeni zemrën tuaj
siç e thotë
qenia e gjallë
dhe lëshoni ngadalë
e bindshëm
dashurinë polivalente!…
4.
Në e kërkoftë dikush
ballë përballë
të Njohjes
secili që i thotë
vetvetes autor
peshoni fjalët tuaja
me peshoren e artit
e mendja e juaj
do ta prehë
lirshëm
aftësinë e gjykimit!…
5.
A do të quhen
proporcione të sakta
e shkëndijat e dritës
apo ballafaqimet
më të përpikta
të qëndrimit tuaj
nuk e zë goja të thotë
por e përmbajnë
dhembjen e gjykimit!…
AMAZONAT E KËNGËS SONË
1.
Një enigmë e madhe
prapa kodrave qëndron
prore më shtyp
në zemrën e viteve,
më lë të pa të fjetur
e as të zgjaur
me mendimet e pa fjalë-
enigmë e pazgjidhur
si mjegull e paqartë!
2.
Për gabimet e vogla
të dy djemve të mëdhenj
qaj e kërkoj falje,
për gabimet njerëzore
në përgjithësi-
fati bëhet edhe pafat
pafati sillet me furtunë
futunat përfshijnë të pafajshëm
në vend të ligut shkon i miri
mezi mbetet ndonjë vend
për të Drejtën
e të Vërtetën…
Çudi,
a duhet që të jap jetën
për nipa e mbesa
e t’ua mbush kështu
duart e zbrazura të fëmijërisë!
3.
Ndonjëherë dëgjoj
zëra të tjerë nga historia
i ndjej fëmijët
që flasin e buzëqeshin
shqip nga Dodona
e lozin me gëzime,
midis tyre
më duket Demetra
në atë ëndërr apo zhgjëndërr
me gazin e bukur,
grushtin e mbushur të kallinjve
i mbanë në njërën dorë
e me tjetrën
draprin ma tregon
prandaj rrezet e dritës
i lëshohen pas koke
ndriçon prej andej
aureola e mbretërisë!
4.
Kudo i kam pranë vetës
amazonat e fuqishme të këngës
nuk e di a duhet të jenë
muza të vargjeve,
e ngrehin trupin e ngjeshur burrëror
sikur në antikë
e herë herë më ngjallen në Kosovë
apo në një kohë tjetër,
mendohem gjatë me dhembjet e mia
shqetësohem e vuaj
në një enigmë,
a u kam hak amazonave të mia
edhe pse më mungojnë
për dhjetra vite-
por ndër ëndërra
nuk më lënë të qetë!
5.
Një monedhë
e mbaj nëpër duar,
kur e kthej në anën tjetër
është gruaja-
zotneshë,
Galatea ishte nëna e jonë
e vargjeve të pa këputura,
ilirisht i kemi gëdhendur
duke shtuar
shpresën e ditës sonë,
me emrin e saj
jemi përkundur ndër valë
deri në Azinë e Vogël,
Babë, Polifem
pse nuk na e ke thënë
se në damarët tanë
e kemi
prej atëhere
gjakun e këngëve!
6.
Duke lundruar nëpër detra
i shikonim Yjet
për të na e dëshmuar
rrugën e kthimit
derisa i kërkonim
Lopët e Diellit
me vetëdijen e pështjelluar
të sirenave…
Kështu shpenzuam energjinë
duke i menduar Zotat
me një trup njeriu,
vetëm ata na e përtërinin
mbi valë fuqinë
e mbetëm Yllor!
7.
Duke e përfytyruar si njeri
do të kishte qeshur
me anomalitë tona
energjia kozmike,
Maria Magdalena
rri pranë Jezus Krishtit,
e në mes të tyre
qëndron hapësira “V”
si Viktoria,
nuk mund të jetë ndryshe
pos një Fitore
me vuajtjet e mëdha
për të fituar
origjinalitetin!…
8.
Ka ardhur koha
të gjendet e Vërteta,
në kokë e mbajnë fshehtësinë
të gjitha religjionet,
pas tyre qëndron
një femër-
herë Shiva e herë amazonë,
tjetra herë kthehet
përsëri në Dodonë
i shpërlan gurët e mykur të kalasë
e bëhet pëllumb i bardhë
për të mbjellur paqen
mbi njerëz,
Zoti i ynë qëndron
mbi Galaktika
ne jemi fluska të dhembjes së tij-
rrënjë e madhe
e përkujtimeve tona!…
9.
Rri në këmbë
para befasisë
papritmas bëhem fëmijë
e te kulla e plisit të hekurit
fërkemin e kalit
e kërkoj ndër ëndërrime.
Dy motrat e mia
të zemëruara tej mase
i bërtisnin shekujt në mua,
kërkoja diçka
nëpër themelet e kullës
së mbushur me therra
nga e keqja,
e fjalën e nderit
të familjes e mbronin
me thuprat e ngjeshura
të fëmijërisë sime,
kishin frigë
nga orët e maleve
Zanat e Kullës së Diellit!
10.
Befas
nga të qarat e fëmijërisë
të etur për rrënjë
të kësaj kulle
e të këngës sime
doli nga therrat
Ora e Shenjtë
përtej realitetit të përceptimeve
vraponte drejt nesh
mbi barin e gjatë
duke e thirrur në emër
motrën e madhe
që godiste
dhembjet mbi mua
e qante vetë!
11.
Askush nuk guxon
këtë djalë ta rrahë
ndonëse kërkon diçka
te Kulla e Plisit,
e poqese e thyeni
njëherë këtë Besë
për ditën e madhe
të Ilirisë
do të më keni mua
me goditjet magjike
mbi shpatullat e dhembjes
e kurrë nuk do të më shihni
nga vetja e juaj
pos vegimit të fjalës!
12.
Nga flokët e arta
drita shndërrohej në Diell
e prej andej
prore i kujtoj
Orët e Maleve tona.
Herë-herë më lidhet
në mërgatë
me vajzën pllavushkë
që shkoi nga bota
pas dymdhjetë viteve
duke u kacafytur
për mua
me prindët e vet,
e sa të tjera që kalërojnë
mbi erërat e qiellit
e nuk e di
nëse janë të parat
apo amazonat e këngës,
muzat e lirisë!
E ARTA VJESHTË
Vdekja
nuk është vjeshtë
me ngjyrat e arta
të hijes e të dritës,
ajo dridhet
në një gjeth të zverdhur
në vibrimet vjetore
shportave të dhembjes,
është mbledhja e artë
e të gjitha meditimeve
rezultatit të ndenjave
e grumbullimit të gjërave
apo e medimeve
deri në skajin e ngjyrave
nëpër furtunë erërash…
Kjo është vjeshta
e të korrurave tona
prej tri stinëve,
bjerret dikur ngadalë
nga të gjitha fjalët!
TË KORRAT E ARTIT
Disa pjeken përpara
disa pjeken pas kohe,
vjeshta e zgjatë dorën
të mbledhë të korrat e saja
para dimrit…
Të gjitha krijimet
e artit të gjërë dhe lirikës
shprehin aureolat e bukurisë
në këtë stinë…
Pëpiqemi që t’i mbledhim
tingujt e vegjël të melodisë
te bjeshkët e mendimeve,
e t’i masim përherë
me dridhjet e zemrës!…
Zemra e ndjenë
valën e gjërave
sytë e mbasin
dridhjen e territ e të dritës,
veshët i marrin
zërat e largët
para dhe pas kodrave të shiqimit,
gjithçka peshon
pastaj mendja jonë,
e shpirti është ndjenja më e lartë-
i ndjenë fjalët e pathëna
edhe të thëna…
janë të korrat e artit
të korrat e fatit!…