Albspirit

Media/News/Publishing

Ioannis Vilaras: SI FLUTURA NË ZJARR

Related image
Si flutura që loz me zjarrë, rreth teje rrotullohem
dhe nga ky zjarr që përvëlon, nuk di si të largohem.

E ndërsa flaka përcëllon, unë fluturoj rreth teje,
të shkoj më larg nuk mundem dot, ngeca n’ atë farë feje.

Unë nuk besoja në magji, po ti je vetë magjia˙
hiret e tua veç magji dërgojnë në sytë e mia.

Se vetë natyra plot dëshirë e gaz ty të stolisi,
me lulet e rinisë plot nur, të stisi e të qëndisi.

E veç të jetë tjetri trutharë, që po të pa një herë,
të të harrojë, mos të të flasë, sapo që del në derë.

Bilbili zërin të blatoi, muzikën kanarina,
freski të falën plot lezet zambakët ndër lëndina.

Mbi kurmin tënd kanë bërë fole të tëra mirësitë,
si trëndafili në pranverë fytyra jote ndrit.

Thonë se rubini është i kuq, po veç pa shije fare,
pa shih të kuqen si harbon, në ato buzë vrastare.

Si hark i bukur vetulla sajuar me dëshirë,
qëllon e zemrat i mbush plagë pa dhembje, pa mëshirë.

Syçkat e tua kuvendojnë me erosin qafuar
e me shigjeta djalërinë godet moj e uruar.

Ai vështrim gjithë ëmbëlsi, më çmend!… të marrtë e mira˙
po s’ më beson, ik e pyet të ta rrëfejë pasqyra…

Shqipëroi: Arqile Garo
nga libri “Pelegrin në Ujëvarat e Poezisë Helene”.

Please follow and like us: