Ish-Ambasadorja në OKB, Nikki Haley akuzon vartësit e Presidentit Trump se punonin kundër tij
Po del në shtyp libri me kujtime “With All Due Respect”
Nga Ruben Avxhiu
Në kohën kur ishin në detyrë, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson dhe Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Gjenerali John Kelly i kanë kërkuar Ambasadores Nikki Haley që t’u bashkohej në punën e tyre kundër Presidentit Donald Trump.
Të paktën kështu shkruan në librin e saj me kujtime “With All Due Respect” (Pavarësisht nga respekti që kam) që pritet të dalë së shpejti, sipas gazetës “Washington Post”.
Ish-Ambasadorja e parë në këtë post me origjinë indiane e me bashkëshort shqiptaro-amerikan, ka akuzuar vartësit e lartë të Presidentit se arsyetonin që ai ishte i rrezikshëm, se nuk i kuptonte situatat dhe se ishte detyra e tyre para kombit që ta pengonin e të kufizonin bosin e tyre.
Ajo shkruan, sipas gazetës së njohur të kryeqytetit amerikan, se i refuzoi kërkesat e tyre për bashkëpunim në këtë rezistencë të brendshme. Sipas saj, Tillerson dhe Gjen. Kelly këmbëngulnin se nëse nuk do të vepronin shumë njerëz do të humbnin jetën. “presidenti nuk e dinte se ç’po bënte”.
Një nga debatet me Sekretarin Tillerson ishte edhe rreth vendimit të saj për të ndërprerë ndihmën amerikane për agjensinë e OKB-së që mbështeste refugjatët palestinezë.
Shkrimi ka sjellë kritika e sulme në rrjetet sociale për ish-Ambasadoren për arsye se po godet ish-kolegët e saj.
Nga ana tjetër, këto sulme mund të përforcojnë figurën e saj në sytë e mbështetësve të Presidentit Trump. Disa komentues politikë e shohin Ambasadoren Haley si një nga politikanët që mund të pasojë Presidentin Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2024. Disa madje mendojnë se Trump mund ta heqë zv.presidentin Mike Pence dhe të marrë Ambasadoren Nikki Haley si zv-Presidente për zgjedhjet e vitit që vjen, në nëtor 2020