Simon Mirakaj: Edhe pse vuajtëm shumë nga diktatura komuniste, arsyen nuk e humbëm kurrë!
Të rënët kundër pushtuesit nderohen në të gjithë botën. Ata që ranë në luftë u quajtën dëshmorë. Titulli ‘Hero i Popullit’ dhe ‘Dëshmor’ është një titull i dhënë nga Partia Komuniste. Mendoj se duhet krijuar një komision për të rishqyrtuar këto tituj sipas dokumenteve arkivorë. Historikisht luftohet për të fituar, ndërsa në Shqipëri u fitua për të humbur. Fitorja solli diktaturën më të egër në Europë; burgosi e internoi qindra mijëra familje për të vetmin faj se ishin kundër instalimit të diktaturës komuniste. Lind pyetja: Po ata që ranë kundër kësaj diktature, që ranë për Liri e Demokraci, që janë dhe pa varre, çfarë janë sipas jush? Ku e vendosni Preng Calin, Musine Kokalarin e qindra të tjerë? Është kauza e tyre ajo që fitoi e iu dha mundësinë të jeni deputetë, të bëheni ministra, kryeministra e presidentë. Dhe ata kishin një rrogë modeste e një apartament me 60 apo 70 metër katrorë e sot ju jeni me vila apo apartamente me nga 100-150 metër katrorë. Ju sigurisht që demokracinë e doni, por jo ata që dhanë jetën për Liri e Demokraci. Më vjen keq që mbas 30 vjet në demokraci, duke qenë dhe përfituesit më të mëdhenj të saj, keni mbetur nostalgjikë të komunizmit (jo të gjithë sigurisht). Nuk kam kënaqësi që ju drejtohem kështu, por është një e vërtetë e hidhur.
Ne edhe pse vuajtëm shumë e shumë nga diktatura komuniste, arsyen nuk e humbëm kurrë.