Artur Spanjolli: Milot sjell nga Kina njëqind ujqër në Napoli
Duke filluar nga data e inaugurimit të ekspozitës në qiell të hapur, më datë 14 Nëntor 2019, tek sheshi i Municipios në Napoli, në mes të ndërtesave, shatërvanit rrethor dhe pemëve të gjelbëra, me iniciativën e artistit Milot, do të instalohen 100 ujqër dhe një luftëtar me shpatë të ngritur në qendër. Ujqër madhështorë të derdhur në hekur, (280 kile çdonjeri) të cilët duke ndjekur një llogjikë të caktuar do të jenë përreth luftëtarit.
Është kompleksi skulptural i artistit të madh bashkëkohor kinez Liu Ruowang, i cili sjell veprat e tij këtë herë në Napoli, qytet i dritës, i diellit, i hapjes me botën, -vetë Napoli është i përbërë nga banorë ndërkombëtarë si kryqëzim kulturash në shekuj, – dhe ky istalacion gjigand bëhet i mundur falë interesimit direkt të artistit me origjinë shqiptare Milot. Ujqër, që të kujtojnë pak ushtrinë kineze të terrakotës, aq e famshme tashmë, kudo nëpër botë.
Këtë herë, skulptori kinez që ka ekspozuar punët e tij dhe në Zelandën e Re, Francë, Gjermani, në Bienalen e Venecias dhe në Torino, këtë Krishtlindje, do të zbavisë deri dhe fëmijët napolitanë që mund të ngjiten mbi kurrizin e ujqërve dhe mund të lozin me ta. Skulptori i famshëm kinez, i cili për herë të parë po ekspozon kaq shumë punë në tokën italiane, është shumë entuziast dhe shpreson të lërë disa ujqër në Napoli përgjithmonë. Është hera e parë që në një shesh italian ekspozohen kaq shumë skulptura për një kohë të gjatë dhe skulptori shpreh dashurinë, habinë dhe gëzimin e tij që u bë e mundur të ekspozojë në një qytet kozmopolit si Napoli.
Inaugurimi do të bëhet në orën 11.30 të datës 14 nëntor dhe skulptori, jo vetëm që nuk shqetësohet fare kur në një inervistë e pyesin: Çfarë do të mendoni kur të shihni fëmijët të luajnë me top me skulpturat e juaja? Ai qesh dhe thotë se i duket diçka shumë interesante. “Mund të ngjiten, të luajnë me top dhe t’i prekin turinjtë, ujqërve të mi”, thotë skulptori që e njeh tashmë qytetin napoletan duke qenë aty prej disa herësh. E tërë kopeja e ujqërve, u bë e mundur të instalohej në një shesh publik edhe falë galerisë Lorenzelli Arte, në Milano, me të cilin skulptori kinez është lidhur me kohë. Ky istalacion gjigand u bë i mundur gjithashtu edhe falë Bashkisë së Napolit dhe asesorit të kulturës Nino Daniele.
Milot, që është dhe aksi i kësaj iniciative madhështore, është gjithashtu duke ecur akoma më përpara me projektet e tij gjigande. Ai po përgatit një çelës të shtrembëruar, të gjatë 30 metra, e cila, si një urë kalimi, nga një skaj i rrugës në skajin tjetër, duke u ngjitur hark sipër kokave të kalimtarëve, do të istalohet pranë muzeut të Artit Modern e Kontemporan në Jinan, edhe projekti i ri që ai do të bëjë po në Kinë për: La via della seta, “Rruga e mendafshit”. Këto do të jenë për momentin, ndërmarrjet me gjigandë të artistit Milot dhe pika më e lartë e krijimtarisë së tij.
Milot që po njeh sukses pas suksesi, pas istalacionit të çelësit gjigand të Cervinares, afër Napolit, është shprehur disa herë, duke mbrojtur idenë e tij, e cila, sipas artistit Milot, është një idee e mrekullueshme. Ai pra, i ndrydh çelsat, simbolet e hapjes, për t’i hedhur tej sepse, sipas Milot, çelësat janë simbole mbyllje dhe nuk duhen përdorur fare, në botën e sotme të përzier plot me rraca dhe kultura të ndryshme. Përveç veprave të tij ambicioze, Milot, po na vjen këtë herë, në këtë Krishtlindje të 2019 pra, si organizues, kurator i këtij istalacioni gjigand tek sheshi i Bashkisë në Napoli, Piazza del Municipio.
Janë të ftuar të tërë artdashësit që ndodhen afër Napolit, apo gjenden aty si turistë, të shkojnë dhe të shohin këtë ekspozitë në qiell të hapur dhe të sugjestionohen me madhështinë e 100 ujqërve që kanë ardhur nga Kina e largët.