Albspirit

Media/News/Publishing

“Bild”: Këshilli i Evropës mund të emërojë një ish-spiun rus raportues për dialogun Kosovë – Serbi

Berlin, 12 nëntor 2019 – Gazeta gjermane “Bild” ka shkruar sot për një skandal në të cilin mund të përfshihet Këshilli i Evropës me seli në Strasburg, në rast se vendos që raportues për dialogun Kosovë – Serbi të zgjedhë një ish-spiun që i kishte shërbyer Rusisë.

Bëhet fjalë për Alexei Kondratiew, për të cilin gazeta gjermane ngre shqetësimin se mund të emërohet i dërguar special i Këshillit të Evropës për të zgjidhur çështjen e Kosovës.

Gazeta i referohet një mbledhjeje të Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës ku ishte diskutuar për zgjedhjen e një “raportuesi” për Kosovën.

Ky raportues do të ketë detyrë të informojë Këshillin e Evropës lidhur me zhvillimet demokratike dhe, mbi të gjitha, për konfliktin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për ta bërë këtë janë përzgjedhur gjermani Peter Meyer, nga CDU, një holandez dhe rusi Alexei Kondratiew (48 vjeç).

Kondratiew ka qenë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa nga qershori i këtij viti është anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme të Këshillit të Federatës së Rusisë, transmeton Gazeta Express.

Po, kush është në të vërtetë Alexei Kondratiew?

Kondratiew ka qenë anëtar i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (GRU) deri në vitin 2010.  Në periudhën 1999-2001, ai ka qenë në Kosovë si pjesë e shërbimit ushtarak rus.

Siç shkruan “Bild”, Kondratiew nuk e ka mbajtur asnjëherë sekrete qëndrimin e tij kundër Kosovë dhe qëndrimin pro Serbisë.

Kjo gazetë gjermane shkruan se ka edhe një numër të madh spekulimesh se Kondratiew ishte përfshirë në një skandal në Kosovë, në vitit 2001, kur i dehur kishte shtënë me armë dhe i kishte lënduar disa persona./Gazeta “Express”/

Please follow and like us: