Handke, fituesi i Çmimit Nobel, në vitin 1999 mori pasaportë jugosllave
Peter Handke, fituesi polemik i këtij viti i Çmimit Nobel për letërsi, mori pasaportë jugosllave verën e vitit 1999 nën regjimin e Sllobodan Millosheviçit, për të cilin ai ka shprehur simpati.
Shkrimtari austriak Peter Handke, fituesi i Çmimit Nobel për letërsi për këtë vit, konfirmoi të enjten në mbrëmje se atij iu dha një pasaportë jugosllave në vitin 1999 kur vendi ishte nën sundimin e Sllobodan Millosheviçit.
Faqja e lajmeve Intercept raportoi se Handke e mori pasaportën më 15 qershor 1999, dy ditë pasi përfundoi bombardimi i NATO-s në Jugosllavi dhe forcat e Millosheviçit ishin tërhequr nga Kosova, ku ato kishin zhvilluar një fushatë ushtarake kundër shqiptarëve etnikë.
Një fotografi e pasaportës e publikuar nga Intercept tregon se ajo ishte lëshuar në ambasadën e Jugosllavisë në Vjenë dhe se nënshtetësia e tij ishte “jugosllave”.
Handke më pas konfirmoi për gazetën serbe Vecernje novosti se ai e ka marrë vërtet pasaportën.
“Nuk kam nënshtetësi jugosllave. Thjesht mora pasaportën që të mund të udhëtoja”, tha Handke.
Handke shprehu një qëndrim pro-serb gjatë luftërave të viteve 1990 dhe mbajti një fjalim në funeralin e Millosheviçit në 2006 pasi ky i fundit vdiq gjatë gjyqit të tij për krime lufte në Hagë.
Ai gjithashtu ka shprehur mbështetje në të kaluarën për liderët politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, që të dy janë gjykuar për krime të mëdha, përfshirë gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
Mbështetja e tij për Serbinë gjatë viteve të luftës nën regjimin e Millosheviçit ka qenë prej kohësh një burim polemikash dhe shpërtheu përsëri kur komiteti Nobel njoftoi se ai fitoi këtë çmim për letërsi.
Intercept e gjeti fotografinë e pasaportës jugosllave në një faqe interneti të Muzeut Kombëtar Austriak të titulluar Handke Online dhe ajo ka dalë nga arkiva e një austriaku të quajtur Hans Widrich, të cilit Handke i kishte dhënë disa sende personale.
Intercept raportoi se Widrich sqaroi se ai e kishte pyetur dikur Handken për pasaportën jugosllave dhe Handke ishte përgjigjur se e kishte marrë sepse, si i huaj, i duhej të paguante tarifë më të lartë për hotelet kur udhëtonte në Serbi.
Widrich kujtoi që Handke tha se “e kërkova pasaportën sepse e vizitoj shumë shpesh atë vend dhe s’më pëlqen të paguaj një çmim të lartë kur kolegu im serb paguan gjysmën e kësaj shumë”, sipas Intercept.
Gazeta austriake Österreich ndërkohë raportoi se në vend është nisur një hetim për rastin, sepse për t’u natyralizuar si shtetas i një shteti tjetër, austriakët duhet të bëjnë kërkesë për leje për të mbajtur nënshtetësinë e tyre austriake.
“Handke nuk e ka bërë kurrë këtë kërkesë”, tha për Osterreich Andreas Schäfermeier, një zëdhënës në Zyrën e Qeverisë Provinciale të Karinthias në Austri.
Duke shpallur çmimin, komiteti Nobel tha se për disa dekada, Handke kishte prodhuar “punë me ndikim që me zgjuarsi gjuhësore ka eksploruar periferinë dhe specifikën e përvojës njerëzore”.
Ajo e ka mbrojtur vendimin e saj polemik për t’ia dhënë çmimin Handkes, duke argumentuar se ai nuk kishte lavdëruar dhunën apo mbështetur masakrat e Srebrenicës.
Por viktimat e luftës në Bosnje dhe përkrahësit e tyre që u mblodhën të martën përpara ambasadës suedeze në Sarajevë për të protestuar kundër çmimit, kanë kërkuar që çmimi të revokohet.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Nobel është caktuar të mbahet më 10 dhjetor.