Bajame Hoxha-Çeliku: In memoriam, Shpresa Bërdëllima!
U nda nga jeta para kohe artistja, mikja më e mirë e na plagosi lajmi i hidhur aq sa dhe duart s’po më punojnë në tastierë. Lajmin e morëm sot ndërmjet postës së kohës fb, i cili qe mjaftë për të na i kthyer ditën në gri.
Shpresa, ti mikja ime e mirë sonte more udhën për në përjetësi, aty ku të pret parajsa e bukur, se njerëzit me shpirtin e bukur si ti, aty e kanë vendin. Ti mikja e të gjithë shqiptarëve këtu në Belgjikë, ku asnjë takim letrar apo festë nuk e bënim dot pa ty, pa zërin tënd melodik, e do ndjehej thellë mungesa jote, mungesa e artistit, bashkëshortit tënd Arian Miluka. Se zëri yt si bilbil ishte i domosdoshëm, do të recitonte aq bukur sa askush në të ardhmen s’do të të zëvendësojë dot këtu në Bruksel. Të kërkonim me ngulm Shpresa, dhe ti na vije gjithë sharm, e buzëqeshje të ëmbël. Ti na i zbukuroje mbrëmjet, na i shkëlqeje ambientin, sepse ishe krenaria e shoqërisë, ajka e një aktoreje të vërtetë, Shpresa! E ç’të të kujtoj më parë shpresa! Po e nis me dhimbje nga veprimtaritë e tua brenda atdheut dhe jashtë tij, që janë aq të shumta sa ke mbetur e pavdekshme në kujtesën e çdo shqiptari, ashtu e freskët dhe e bukur si drita e diellit, se ashtu shkëlqeje. Filmat të cilët ti luajte aq bukur, që unë s’po i numëroj dot tani, i luajte me një talent të admirueshëm, si aktore e re në moshë por me përvojë që e vogël, jepje pa hezitim pasionin dhe shpirtin tënd të ndjeshëm e bujar. Që në moshë fare të njomë u ngjite skenave të teatrit dhe ia dole me sukses Shpresa, Sepse e gëzoje nga natyra këtë talent dhe natyrshëm vinte në hapësirat e tua të gjera për të arritur majat e kinematografisë shqiptare. Kështu ti do të mbetesh një nga emrat më të vlerësuara të teatrit dhe kinemasë shqiptare, me një karrierë brilante e të suksesshme ndër vite. Si një zogëz fluturove dhe u bëre e njohur dhe jashtë kufijve me punën tënde të pastër, ku talenti yt dhe puna jote patriotike do të zgjonte zemrat e shqiptarëve në Bruksel. Ti u dhuroje shqiptarëve të mërguar poezinë, u afroje atdheun, u afroje dashurinë e madhe, u afroje zërin e atdheut me anën e Radio “Jehona Shqipes”që funksionon që prej 34 vjetësh, me drejtor të nderuarin Sakip Skepi, i cili ka mbërritur në Bruksel në moshën 5pesë vjeçare, i gatshëm, me një patriotizëm të pa shembull, gjithnjë i palodhur me dekada të tëra, ndodhet pranë çdo shqiptari, sepse askush nuk ia ktheu shpinën atdheut nga e mira. Ti shpresa, ishe dhe shpresa më e madhe e fëmijëve shqiptar në Belgjikë, ata i mësove ti se si të recitojnë, se si ta duan atdheun, se si t’i duan poetët, sidomos ata mërgimtarë të ndaluar. Nuk mund të lë pa përmendur kur ti jepje shfaqje vetëm me poezi dhe recitoje me pasion, se ti kishe lindur për artiste dhe e gëzoje këtë aftësi më së miri, por, dhe në një bashkëpunim të frytshëm me Radio “ Jehona Shqipes, dhe si aktiviste e palodhur u vlerësove në Belgjikë edhe me tituj.
Shpresa, ti ike në amshim por more me vete shumë dashuri, dhe le pas vlerat dhe emër të madh. More me vete dashurinë tonë, dashurinë e të gjithë emigrantëve që të njohën, dhe mbi të gjitha dashurinë e Arianit dhe të fëmijëve. Ti le pas një familje në zë, një familje të shkëlqyer, Shpresa!
Dhimbja dhe mungesa jote në të ardhmen do na shoqërojë kudo e kudo, në çdo festë apo takim letrar.
Të shoqëruam në udhëtimin e fundit Shpresa, drejt parajsës me lot në sy e me kurora e buqeta me lule. Shumë shqiptarë morën pjesë, por dhe vendas, si dhe e madhja Justina Aliaj, e Anila Dervishi, morën pjesë me dhimbje e lot në sy. Por unë, nuk të them dot lamtumirë Shpresa, mikja ime e mirë, se silueta jote po më qëndron këtu fare pranë, po më shikon që po shkruaj për ty, dhe ti, po më fal atë buzëqeshje të dëlirë që vetëm ti dije ta jepje, të pastër si kristali.
Lamtumirë e mira Shpresa! U prehsh në parajsë!
Lamtumirë Shpresa!