Albspirit

Media/News/Publishing

Thanas Gjika: NJË KUJTIM PLOT MBRESA TË PAHARRUESHME

-Mendime për një shkrim memuaristik të Marie L. Poradecit-/

Nga Thanas L. Gjika/

Marie Poradeci, vajza e Lasgushit, më 23 gusht 2019 kishte hedhur në Fb-në e saj, me rastin e datëlindjes së Atë Gjergj Fishtës, një shkrim të shkurtër ku përshkruante vizitën e ngushëllimit që shkrimtari Ismail Kadare i kishte bërë babait të saj të nesërmen e varrimit të bashkëshortes. Shkrimi ishte disa rreshtash, por sillte momente jete dhe vlera prej tre krijuesve më të talentuar të kohëve të tyre: prej Gjergj Fishtës – poetit kombëtar që kishte shkëlqyer që nga viti 1908 derisa vdiq më 1942, prej Lasgushit – poetit më të madh lirik i viteve 1920-1938 dhe prej Imail Kadaresë – shkrimtarit më të talentuar të kohës kur ndodhi ngjarja.

Ky shkrim u vlerësua prej rretheve kulturore letrare në atdhe dhe në diasporë. Nuk e kam ndjekur publikimin e këtij shkrimi nëpër portale, por pashë se atë e vlerësoi së pari studiuesi dhe pedagogu i letërsisë i UT Prof. Kristaq Jorgo, i cili e hodhi në Fb-në e tij po atë ditë. Mbas tij këtë shkrim e vlerësoi intelektuali tjetër i shquar, shkrimtari dhe analisti Jozef Radi i cili e publikoi te revista e tij internetike “Radiandradi.com” (Itali). Jozefi, si krijues e kritik letrar me shije të holla artistike e vlerësoi shkrimin duke e quajtur “Kujtim madhështor” dhe duke e pasuruar me një titull të vetin “Gjeniu për Gjeniun ose mbi Madhështinë”. E bëri këtë sepse deshi të shprehte idenë e tij se Fishta dhe Lasgushi ishin dy poetë shumë të talentuar me kulturë perëndimore, që dinin të respektonin njëri tjetrin. Për ta ilustruar këtë ide ai riprodhoi tri foto që mori nga fototeka Marubi. Në njërën janë Atë Gjergj Fishta ulur dhe Lasgush Poradeci në këmbë. Tek e dyta të dy poetët janë të ulur në karrike. Kurse tek fotoja e tretë janë të ulur Lasgushi, Asdreni, Fishta dhe Ernest Koliqi, kurse në këmbë prapa tyre qëndrojnë pesë autoritete qeveritarë të kulturës, shkencës dhe politikës. Në të tre fotot poetët dhe personalitetet zyrtarë nuk buzëqeshin, ata janë të menduar edhe pse fotot janë bërë gjatë një dite festive në Shkodër. Ata janë të menduar sepse ndjenin dhimbje për faktin se Shqipëria Londineze ishte vetëm njëra gjysmë e trojeve amëtare.

Ndërkohë vemë në dukje se ripublikimet e këtyre kujtimeve prej Prof. K. Jorgo dhe analistit J. Radi tregojnë se shkrimi meriton të lexohet dhe rilexohet me vëmendje nga lexuesit. Për të ndihmuar në përvetësimin e vlerave ideore dhe artistike që përmban ky shkrim, po e riprodhoj këtu dhe pastaj po jap disa mendime të mia:

          Marie Lasgush Poradeci

Sot per ditlindjen e te madhit Fishta do tregoj nje ngjarje qe ka ndodhur ne shtepine time kur babi ishte gjalle.

Pogradec.

Ishte data 5 gusht 1983. Nje dite me pare kishim varrosur mamane, e cila vdiq atje.

Ne te vetmen dhome qe kishte ajo shtepi, babai rrinte i shtrire ne krevatin e tij. Ishte i derrmuar. Vjen per vizite Ismail Kadareja me zv/kryetarin e Deges se puneve te brendeshe, Vladimir Meçen. E takuan babin me dashuri dhe u ulen perbri tij te krevati tjeter ku flinim une dhe motra. Sapo ata u ulen babi i shtrire tha: “faleminderit qe me ardhet per ngushellim ne kete dite te zeze te jetes time. Jam i shkaterruar dhe do t’ju lutesha qe te qendroj i shtrire”. Ata aprovuan me respekt te dy njezeri. Filluan te bisedojne dhe fjala erdhi te poeti Gjergj Fishta. Babi tha: Fishta eshte kollos dhe filloi te recitoje “Lahuten e Malsise”.

Dhe papritur u ngrit ne kembe dhe tha: Jo, jo do ngrihem ne kembe se Fishta duhet recituar ne kembe… Dhe vazhdoi recitimin.

Ne dhome ishte nje heshtje absolute.

* * *

Në këtë shkrim kemi të bëjmë jo thjesht me riprodhimin e një kujtimi, por me një vepër publicistike letrare të mirëfilltë. Dhe si gjithë veprat letrare dhe kjo i ka të gjithë elementët e kompozicionit që përbëjnë veprat letrare të kompletuara, ka dhe zbërthim karaktereresh njerëzorë dhe idenë e vet. Aty janë:

Prologu: ku sqarohet pse e riprodhoi autorja shkrimin e vet më 23 tetor.

Hyrja: ku mësojmë se ngjarja ndodhi në Pogradec më 5 gusht 1983, një ditë pas varrimit të bashkëshortes së Lasgushit.

Subjekti: ku përshkruhet vizita e respektit që bëri shkrimtari Ismail Kadare dhe Zv/Shefit i Degës së Punëve të Brendëshme të Rrethit për ta ngushëlluar Lasgushin e moshuar për humbjen e bashkëshortes. Pas përshkrimit të ambjentit të dhomës së vetme të shtëpisë, tregohet se Lasgushi qëndronte shtrirë, se miqtë e takuan me dashuri, dhe vijohet me falenderimin plot respekt të Lasgushit ndaj vizitorëve. Më tej tregohet se i zoti i shtëpisë kërkoi lejë për të qendruar shtrirë sepse ndjehej “i shkatërruar”. Pastaj kalohet te fakti se u hap biseda për letërsinë. Autorja nuk ndalet të tregojë bisedat e ndryshme, por ndalet te fakti se biseda u hap dhe mbi poetin Gjergj Fishta. Ai e vlerësoi këtë poet duke e quajtur “Kollos”. Më tej Lasgushi për të plotësuar vlerësimin, filloi të recitonte shtrirë pjesë nga vepra madhore “Lahuta e Malsisë”.

Pika kulminante: kulmi i emocionalitetit arrihet kur Lasgushi papritur ngrihet dhe thotë se recitimi i vargjeve të Fishtës nuk mund të bëhej shtrirë dhe vijoi recitimin më këmbë.

Mbyllja: rrëfimi mbyllet duke treguar se miqtë nuk thanë asgjë, në dhomë sundoi një heshtje absolute…

Kjo vepër ndonëse e shkurtër, ashtu si dhe shumë vepra të shkrimtarëve Ylli Demneri (Paris) dhe Astrit Lulushi (Washingron), etj ngërthen brenda pak rreshtave një nëntekst me vlerësime ideorë dhe emocionalë të shumtë.

Po shpreh tani mendimet e mia duke filluar me prologun dhe duke vijuar me pjesën tjetër të tekstit.

Hedhja në Fb e këtij shkrimi në datën 23 tetor, data e lindjes së poetit kombëtar Atë Gjergj Fishta, shpreh pakënaqësinë e autores ndaj nënvlerësimit që i kishte bërë dikur qeveria shqiptare e kohës së diktaturës komuniste, por edhe ndaj të njëjtit qëndrim që kishin mbajtur e mbanin dhe qeveritë paskomuniste. Fishta nuk po studiohej dhe nuk po vlerësohej ende seriozisht, madje ai ishte lënë pa një shtëpi muze.

Shkrimtari I. Kadare shkoi te Lasgushi për ngushëllim të nesërmen e varrimit, duke marrë me vete një nga talentet e rinj të Pogradecit, i cili kishte detyrën e Zv/shefit të Degës së PB të rrethit. Një ditë më parë këta dy intelektualë nuk kishin marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të bashkëshortes së Lasgushit, si dhe asnjë prej autoriteteve të pushtetit (këtë fakt e kisha mësuar prej kohësh). Duke ditur se lufta e klasave në rrethet e vegjël ishte shumë më ekstreme se në Tiranë, vajtja e I. Kadaresë për vizitë ngushëllimi i shoqëruar prej Zv/shefit të Degës së PB të Pogradecit, përmban në vetvete ndjenjën e drojtjes që ka përjetuar ai për të shkuar vetëm për ngushëllim tek Lasgushi. Kurse vajtja e Vladimir Meçes në këtë vizitë, dëshmon se ai ishte një djalosh romantik, i cili për të treguar se e vlerësonte shumë lart Kadarenë, e shoqëroi atë në këtë vizitë edhe pse kjo gjë mund t’i shkaktonte dhënien e ndonjë vërejteje prej shefit të tij.

Përsa i përket drojtjes së Kadaresë, për mendimin tim është e shpjegueshme po të kemi parasysh se ky autor pasi botoi novelën “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1979) pati pasojë disa goditje përmes artikujve të gazetave dhe më e madhja, pas kësaj ai nuk u zgjodh më deputet në Kuvendin Popullor.

I zoti i shtëpisë ndjehej i dërmuar, aq sa nuk mundi të ngrihej për të respektuar vizitorët. Ai i falenderoi miqtë për vizitën dhe kërkoi lejë të rrinte shtrirë sepse ndjehej “i shkatërruar”.

Lasgushi ashtu shtrirë filloi të dëgjojë e të marrë pjesë në bisedë. Duke qenë të tre krijues, biseda kaloi shpejt tek letërsia. Ra fjala për poetin Gjergj Fishta. Lasgushi u gjallërua dhe gjeti rastin të shprehte kritikën e tij ndaj qëndrimit zyrtar me të cilin ishin pajtuar gjithë studiuesit dhe krijuesit e kohës, pra dhe dy vizitorët. Meqenëse vizitorët nuk dhanë ndonjë vlerësim për Fishtën, Lasgushi e shpalli atë “Kollos” dhe për t’ua mbushur mendjen për vlerat artistike të poetit kombëtar, filloi të recitonte vargjeve nga kryevepra “Lahuta e Malsisë”. Mirëpo respekti që ai ndjente për Fishtën si njeri dhe si krijues, si dhe kultura perëndimore me të cilën ishte brumosur, e bëri të mos ndjehej mirë. U mobilizua dhe për ta shprehur respektin si meritonte miku i tij, u ngrit më këmbë duke deklaruar: “Jo, jo, do ngrihem në këmbë se Fishta duhet recituar në këmbë…” Dhe, kështu shton Maria, vazhdoi recitimin”.

Pikërisht këtu te ngritja më këmbë e Lasgushit për të vijuar recitimin me më shumë patos e respekt, është pika kulminante e veprës. Ky moment në fakt transmeton mësimin që u dha poeti vizitorëve: Lasgushi që ndjehej “i shkatërruar” kur hynë në dhomë miqtë, gjeti forca për t’u ngritur që të recitonte ashtu si meritonte poeti “kollos”.

Dëgjuesit u shushatën, nuk gjetën kurajo as ta kundërshtonin, as ta aprovonin mësimin e Lasgushit. Erdhën t’i jepnin kurajë, por sjellja e Lasgushit u dha një mësim që nuk e prisnin. Duket se u ndjenë të shkurajuar…

Vepra edhe pse shumë e shkurtër arrin të zbulojë karakterin trimëror të Lasgushit, i cili nuk nguroi të vlerësonte lart Atë Gjergj Fishtën në kohën kur partia-shtet e shante, si dhe karakterin jo trimëror të vizitorëve, të cilët nuk kishin guxuar të merrnin pjesë në ceremoninë e djeshme të varrimit dhe tani gjatë bisedës nuk guxuan të pohonin ose mohonin deklaratën e Lasgushit se Fishta ishte poet “kollos”. Madje ata nuk e vlerësuan Lasgushin pasi ky përfundoi recitimin në një pozicion dinjitoz e vlerësues për Fishtën.

Ky shkrim për nga lloji letrar është një skicë publicistike letrare me subjekt të ndërtuar mbi kujtimet e autores nga dita e dhimbshme e pasvarrimit të nënës së saj. Meritë e autores është dhe fakti se ajo i ka qëndruar larg politizimit, ka rrëfyer ngjarjen ashtu si ndodhi pa dhënë asnjë koment a interpretim të sajin.

Ideja e veprës nënkuptohet pa vështirësi: Në këtë skicë vihen përballë vlerat e dy kulturave. Nga njëra anë shpalosen vlerat e kulturës europiane perëndimore të përfaqësuara prej Lasgushit të moshuar, i cili edhe në momente të vështira të jetës, kur ndjehej “i shkatërruar”, pati guximin të mbronte vlerat e mohuara të Gjergj Fishtës dhe më tej gjeti fuqi të ngrihej e të vijonte recitimin më këmbë për të shprehur respektin që meritonte vepra e këtij poeti kombëtar.

Nga ana tjetër shpalosen vlerat e mungura të kulturës socialiste të përfaqësuara prej dy intelektualëve të rinj shqiptarë, të cilët nuk patën guxim të pohonin vlerat e mohuara të Gjergj Fishtës dhe as ta vlerësonin Lasgushin për gjestin kulturor që bëri para tyre për të vlerësuar si meritonte recitimi i veprës së Fishtës.

Të gjithë lexuesit e formuar në kohën e diktaturës komuniste duhet të pranojnë se shkolla socialiste ishte një inkubator ku përgatiteshin intelektualë të nënshtruar ndaj politikës së partisë shtet, njerëz pa kurajo dhe me mungesa të theksuara kulturore e morale.

Si thashë më lart drojtja, si dhe frika janë ndjenja njerëzore, dhe kur shfaqja e tyre nuk i dëmton të tjerët, ato janë të falshme. Shumë nga ne, pra dhe unë, që u formuam dhe punuam gjatë regjimit diktatorial, kemi shfaqur shpesh herë frikë dhe aprovim të politikës së partisë. Për pasojë kemi lënë pa i përmendur vlerat e shkrimtarëve të talentuar si Gj. Fishta, F. Konica, E. Koliqi, etj, madje dhe kemi kritikuar aspekte të ndryshme të veprave të tyre. Për këtë arsye, Kadarenë dhe shkrimtarë të tjerë të talentuar të kohës së diktaturës, për mospranimin e vlerave të krijuesve që nuk i donte partia-shtet, nuk kemi të drejtë qytetare që t’i kritikojmë ne që kemi gabuar bashkë me ta. Detyra jonë është që të evoluojmë dhe të kritikojmë me fjalë dhe vepra gabimet tona të asaj kohe.

Të drejtën për të kritikuar Isamil Kadarenë e kanë pasur trima si Lasgushi dhe ata të përndjekur të ndërgjegjes që kaluan vite të tëra nëpër burgje e kampe internimi sepse nuk iu nënshtruan politikës diktatoriale. Të tillë kanë qenë Guljelm Deda, Musine Kokalari, Selfixhe Ciu Broja, Trifon Xhagjika, Arshi Pipa, Bilal Xhaferi, etj, kurse sot janë Sami Repishti, Lek Pervizi, Eugjen Merlika, Jozef Radi, Visar Zhiti, etj.

Në fund dua të shtoj se përsa i përket vlerësimit të veprës letrare të Ismail Kadaresë, vepra e tij letrare është vlerësuar po vlerësohet dhe do të vlerësohet gjithnjë e më shumë nga institucione të kulturës shqiptare dhe botërore. Kjo ndodh e do të ndodhë sepse për vlerësimin e veprave të një shkrimtari ose artisti merren parasysh vetëm vlerat idore e letrare të veprave të tyre dhe jo mungesat e karakterit të krijuesit, as kritikat që ata u kanë bërë njerëzve të ndryshëm të shquar ose jo. Ky vlerësim është shkencor sepse merr parasysh vetëm nivelin e realizimit artistik të karaktereve dhe vërtetësinë e tematikës dhe problematikës që trajtojnë vepra artistike.

Ndërkohë dhe faktori lexues, që ka vlerë të madhe në ekonominë e tregut, për të blerë një vepër arti niset nga këto vlera dhe jo nga karakteri ose edukata e autorit që e ka krijuar veprën. Këtë dukuri e tregoi shumë qartë dhe dhënia sivjet e çmimit Nobel shkrimtarit austriak Peter Handke. Ky shkrimtar kishte qenë një mik e përkrahës i kasapit të popujve të Ballkanit, Sllobodan Milosheviçit, por në veprat e tij shkrimtari Handke nuk i kishte hymnizuar bëmat e këtij krimineli.

Please follow and like us: