Poetja Irma Kurti merr çmimin e dytë në Itali
Një tjetër vlerësim për poeten dhe shkrimtaren e njohur shqiptare Irma Kurti. Pas çmimit të parë me të cilin u vlerësua poesia e saj “E zakonshme” në Konkursin letrar “Scriptura” që u zhvillua në muajin maj në Napoli, kësaj radhe “Briciole di gioia” (Grimca gëzimi) nderohet me vendin e dytë në Edicionin e 16-të të Konkursit të Poezisë “Enrico Brianza” në Treviglio të provincës së Bergamo-s.
Konkursi u zhvillua në formë anonime për poezi të pabotuara në seksionin e poezisë në gjuhën italiane dhe në dialekt.
Poetja shprehet kështu lidhur me këtë vlerësim: “Ishte e emocionuar kur dola për të recituar vargjet edhe pse ato i kushtoheshin babait që nuk jeton më. Përpara se t’i lexoja, u ndala paksa në krijimtarinë time nëpër vite. Ishte një surprizë për të pranishmit të mësonin se unë isha nga Shqipëria dhe kjo për mua përbën njëkohësisht një kënaqësi dhe sfidë.”
Lidhur me poezinë fituese, Kurti thotë: “E kisha shkruar pak vite më parë dhe e nxorra nga blloku i shënimeve për ta redaktuar pikërisht për ta paraqitur në këtë konkurs. Kisha bindjen e padiskutueshme që do të pëlqehej, sepse pasi e përfundova e kuptova që ishte nga ato poezi që nuk shkruhen çdo ditë…”
Irma Kurti ka botuar tetëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, 12 në italisht dhe katër në gjuhën angleze. Ajo njihet edhe si autore e shumë teksteve të këngëve të suksesshme.