Kaosi i Gjykatës Kushtetuese, Xhafaj: Presidenti nuk ka të drejtë
Debatit për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, pas përplasjes mes Presidencës dhe Qeverisë, i është futur edhe ish ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ky i fundit, i cili ka qenë dhe një nga njerëzit kryesorë të hartimit të reformës në drejtësi, thotë se situata e koklavitur është jo për faj të kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim.
“Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i Ekspertizës më të mirë vendase e SHBA, BE dhe Gjermanisë. Opinioni i KV ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve & mekanizmave zhbllokues. Partnerët bashkëhartues të kushtetutës e ligjit të GjK duhet të reagojnë qartë. Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur”, shkruan Xhafaj.
Sipas tij zonja Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë, thotë ai. Po ashtu Xhafaj ngre pikëpyetje edhe për zonjën Vitore Tusha.
“Në web e Gjykatës Kushtetuese znj.Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të GjK u bazua kjo vendimmarrje?” thotë Xhafaj.
Presidenti Meta njoftoi se do të kallëzojë penalisht në prokurori të hënën kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtesi, Ardian Dvorani, për shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit, apo detyrës shtetërore gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, Dvorani synoi krijimin e një gjendje anti-kushtetutshmërie, duke e vendosur presidentin e Republikës në pamundësi kushtetuese, dhe u përpoq të krijojë një gjendje të faktit të kryer ndaj presidentit.