Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Çfarë më mbetet nga Sokol Olldashi?

Image may contain: 2 people, people smiling, people standing and indoor

(Pjesë nga shkrimit, 6 vjet më parë për vdekjen e Sokol Olldashit – Në fotografi nga e majta, Sokol Olldashi, Ruben Avxhiu dhe Admir Banaj)

“…Në fund, ishte e qartë se e lexuam në mënyrë të ndryshme historinë e viteve ’90. Unë si arsye për t’u larguar nga Shqipëria. Ai si thirrje për t’u futur më thellë brenda saj.
Ndryshe nga shumë politikanë shqiptarë, Sokoli mund të kishte ndjekur me shumë sukses çfarëdolloj rruge tjetër në jetë. Ai nuk ishte aty se nuk kishte ku të shkonte. Ishte aty se nuk donte të ishte diku tjetër. Ishte nga ata të paktë që e kishte pasuruar politikën me pjesëmarrjen e tij, kur shpesh ndodhte e kundërta.
Suksesi i tij në vite, në karrierë dhe në detyra ishte në përputhje me vizionin e tij. Të ndryshoje Shqipërinë ishte e mundshme. Kurse, dy humbjet e tij më të mëdha në politikë dhe fundi i papritur i jetës së tij, pastaj, përkojnë më shumë me imagjinatën time të zymtë se një shoqëri e sëmurë nuk i fal dot ata që duan t’i bëjnë mirë.


…Sot, kur shoh radhën e mëkatarëve që shkojnë për t’i bërë homazh. Kur thonë fjalët e bukura, ata që në jetë u përpoqën ta sabotonin e ta izolonin; kur shoh sesi armiq e kundërshtarë, miq e të njohur, janë mbledhur të gjithë bashkë për ta përcjellë, e pranoj se, ashtu siç mendonte ai, dashuria dhe njerëzorja janë mbi të gjitha e mund t’i bëjnë njerëzit bashkë; e mund ta bëjnë armikun të thotë fjalët e mira.
Por, nuk mund të rri pa u ndjerë, për fat të keq, i legjitimuar edhe nga këndi im: se paturpësia e falciteti nuk mungojnë kurrë në paradën publike e se pseudo-miqtë janë në qendër të kamerave e ata, që vërtet e kanë dashur, kanë mbetur në periferi të vëmendjes, ashtu si gjithë njerëzit për të cilët kujdesej aq shumë e i vinte re.


…Po ndoshta, këto që them shtrembërohen nga largësia, nga emocionet dhe trauma e ngjarjes. Nuk ka analiza të përkryera në raste të tilla. Janë të gjitha të nxituara dhe shpesh pa vend.
Në njëfarë mënyre, nuk e përfyroj tani Sokolin politikan. E imagjinoj vetëm të ulur përballë meje në kafenenë e vogël anash Lanës, duke më zgjatur një cigare, duke parë makinat që si jeta vrapojnë përbri, duke biseduar pa e kuptuar ende nëse kemi filluar jetën e vërtetë apo ende po bëjmë prova.
Që u vra aty larg, që humbi aty larg, që nuk jetoi dot më aty larg, ndjenjat më vijnë të përziera. Si ndjenja e çlirimit e përzierë me vrasjen e ndërgjegjes, të dezertorit që zgjodhi të ikte nga lufta e përbashkët. Po edhe si parandjenja e spektatorit fatalist që e di se nuk mund të ndryshojë fundin e dramës duke kërcyer si i çmendur në skenë. Se është shkruar shumë kohë më parë e se e vetmja zgjedhje ka qenë që të bëhemi aktorë ose spektatorë.
Dje humbën një njeri që besonte sinqerisht se mund t’ia shkruante ndryshe historinë Shqipërisë dhe njerëzimit. Për humbje të tilla lotët nuk do të rreshtin kurrë, ashtu si shiu i natës së tmerrshme nëpër të cilën çau për herë të fundit e nuk u kthye më.

Please follow and like us: