Shkarkohet nga detyra anëtari i Gjykatës Kushtetuese, nuk kaloi vettingun
Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar ditën e stome nga detyra Besnik Muçin, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, i cili u emërua nga Presidenti Meta pak ditë më parë.
Relatori i çështjes u shpreh se Muçi ka cenuar besimin e publikut dhe është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm. Sipas KPA, Muçi nuk provon ligjshmërinë e huave të marra nga babai, vëllai e motra e tij.
Gjithashtu, rezulton se Muçi ka probleme me pasurinë pasi nuk ka deklaruar pronën që ai dhe bashkëshortja e tij kanë në zotërim. Po ashtu, sipas hetimeve, Muçi nuk justifikon shpenzimet e viteve 2003-2006.
“Lidhur me pasurinë apartament 57 m2, blerë në 2016 me vlere 1.9 mln lekë, për krijimin e të cilës KP pretendon se subjekti dhe personat e lidhur nuk justifikon, KPA vlerëson se subjekti nuk provon ligjshmërinë e huave të marra nga babai, vëllai e motra e tij. Subjekti është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm. Lidhur me shkakun e ankimit të mos deklarimit të pasurisë së personit të lidhur, bashkëshortja, rezulton se në vitin 1991, subjekti dhe e shoqja kanë përfituar pasuri nga ligji7501, KPA vlerëson se subjekti dhe bashkëshortja nuk ka deklaruar me saktësi pasurinë. Për pasojë, subjekti gjendet në situatën e deklarimit të pamjaftueshëm. Lidhur me shkakun e ankimit për mos justifikim të shpenzimeve për vitet 2003-2006 subjekti nuk i justifikoj në burime të ligjshme. Subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm”.
Me shkarkimin e Muçit, Gjykata Kushtetuese bën një hap pas, pasi mbetet me katër anëtarë, nga nëntë që duhet të ketë në total.