Albspirit

Media/News/Publishing

Irma Kurti: Unë do t’i flakja tej celularët

 Image may contain: 1 person, flower, plant, sky, outdoor and nature

I telefonoja nënës atë mbrëmje;
ndonëse zilja binte vazhdimisht
ajo nuk përgjigjej. Shqetësimi
filloi të më vriste pa mëshirë.

Si nuk e dëgjoje thirrjen nënë,
si s’arrinte tek ti ajo vallë?
Ti që më ndieje çdo psherëtimë
apo rënkim të pafaj nëpër natë?

Ti, në sytë e mi dalloje lotin
ende pa rrëshqitur porsi vesë.
Ti i dëgjoje rrahjet e zemrës
sime të lodhur e të pashpresë.

Hapa sytë, ishte veçse ëndërr!
Trishtimi më mbështolli lehtë.
Përgjigje gjetën tërë pyetjet,
brenga u bë shumëfish e rëndë.

Unë do t’i flakja tej celularët
në pellg, në liqen apo në det,
që vetëm ty, o e shtrenjta ime
të të kisha pranë edhe njëherë!

 

Marrë nga libri: “Mesazhe nga lart”, 2018.

Please follow and like us: