Albina Deda Gjoci: Të shkallmojmë skelën themelore që mban gjallë krimin dhe dhunën ndaj grave!
Albina Deda
Sot është dita botërore kundër dhunës ndaj grave!
Dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut.
Dhuna ndaj grave është pasojë e diskriminimit ndaj grave, në ligj dhe në praktikë, si dhe pabarazi e vazhdueshme midis burrave dhe grave.
Dhuna ndaj grave ndikon dhe pengon përparimin në shumë fusha, duke përfshirë çrrënjosjen e varfërisë, luftën kundër HIV dhe AIDS, paqen dhe sigurinë.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është e pashmangshme.
Parandalimi është i mundur dhe thelbësor.
Është tronditës fakti që një në tri gra ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës së saj – një pandemi e përmasave rajonale dhe globale.
Pavarësisht makiazhit me kolore e batuta banale kafenesh të Edi Ramës sot gjendja e gruas në Shqipëri është nën një presion mesjetar duke reflektuar dhe vetë qeverisjen klanoro-sulltanore të vendit.
Nënat e vajzat shqiptare vuajnë jo vetëm mbeturinat e doket e kaluara, por jetojnë ekonomikisht skajet e mbijetesës, me paga të trishtueshme në një shoqëri të kushtueshme.
Turp për një kryministër që me çitjane e batuta tallet anekënd Shqipërisë e mijëra nëna nuk kanë drekën t’jua shërbejnë vogëlushëve pa përmendur qindra që jetojnë pa energji e pa ujë të ndaluar nga “reformatori” i çitjaneve!
Sot në varreza anë e kënd vendit prehen tragjikisht qindra gra e vajza të vrara e masakruara, ndërsa në spitale paraqiten me mijëra të rrahura kafshërisht e të dhunuara.
Natyrisht nuk jam aq infantile sa të fajësoj Edi Ramën për çdo rast, por kam gjithë argumentet jetësore, njerëzore e psikologjike ta fajësoj e ngrej gishtin mbi të në dy aspekte të cilat përbëjnë shtyllën dhe shtysën themelore të kësaj gjendje:
E para ne jemi një vend i vogël që jetojmë energjikisht epokën dixhitale dhe nuk ka njeri që nuk e din me shembuj se Kryeministri i Shqipërisë është i dalluar e provuar botërisht si një dhunues frekuent grash.
Ky fakt i jep kurajo deri në qytetari krimit e dhunës ndaj grave.
Edi Rama në 6 vite qeverisje ka rrënuar jo vetëm moralin demokratik, por dhe rendin ekonomik duke e shndërruar vendin në “parajsë” të varfërisë e krimit!
E këtë më shumë se kushdo e përjeton dhe e pëson gruaja.
Emancipimi e revulocionarizimi i jetës së gruas shqiptare janë veçse pikturë e degraduar propagandistike e laboratorit mashtues mediatik të Edi Ramës.
Ndaj le të mos ndalojmë së ngrituri zërin, të reflektojmë e të protestojmë për të shporrur simbolin kombëtar e individual të dhunës së grave shqiptare dhe jo vetëm me një emër të përveçëm: Edi Rama.
Kjo nuk zgjidh “deus ex machina” çdo problem të zonjave shqiptare, por shkallmohet një skelë themelore që mban gjallë krimin dhe dhunën ndaj grave!